Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Hased smira

Të nderuar besimtarë e besimtare!

Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:

قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ ٱلْفَلَقِ ١ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ ٢ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ ٣ وَمِن شَرِّ ٱلنَّفَّـٰثَـٰتِ فِى ٱلْعُقَدِ ٤ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ ٥

Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit, që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar, dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri, dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji), dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.”

(Surja Felak)

Smira (hased), ka kuptimin e dëshirës që një njeri të humbasë një pasuri që e ka fituar me të drejtë. Në një shkallë më të tepruar, smira shndërrohet në përpjekje për tu bërë shkak që njeriu ta humbasë atë pasuri që e ka fituar me të drejtë. Smira nganjëherë përzihet me ambicie. Ambicia mund të thuhet që është një anë e pranueshme te njeriu. Por nëse ambicia kthehet në sëmundje dhe ngjyet me inatin, lind smirën. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të), duke tërhequr vëmendjen tek ky dallim mes smirës dhe ambicies, ka thënë: “Besimtari ushqen ambicie, hipokriti ushqen smirë”. 

Në këtë aspekt “Përse mos ta kem unë atë që ke ti?” Madje, “përse ta kesh ti, pavarësisht nëse e kam apo nuk e kam unë?”, “ti e ke, por unë dua që të mos e kesh”, “unë do të luftoj që ti të privohesh prej saj”, etj, janë disa nga simptomat e gjendjes së sëmurë të një smirëziu. Prandaj Kurani e paraqet smirën si një sjellje e dëmshme dhe burim të keqeje, prej së cilës duhet të kërkojmë mbrojtjen e Allahut (shih: surja “Felek”).

أَمْ يَحْسُدُونَ ٱلنَّاسَ عَلَىٰ مَآ ءَاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ مِن فَضْلِهِۦ ۖ فَقَدْ ءَاتَيْنَآ ءَالَ إِبْرَٰهِيمَ ٱلْكِتَـٰبَ وَٱلْحِكْمَةَ وَءَاتَيْنَـٰهُم مُّلْكًا عَظِيمًۭا ٥٤

Në një ajet urdhërohet e thuhet kështu: “A i kanë smirë ata njerëz të cilëve Allahu u ka dhuruar prej mirësive të Veta? Ne u patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e urtësinë dhe u patëm siguruar pushtet të madh.” (Nisa, 4/54)

Smira është sjellja e atyre shpirtrave të mjerë e zemërngushtë, të cilët në vend që të kërkojnë prej thesarit të Allahut, i gëzohen humbjes së asaj që një tjetër zotëron. Shkak i thuajse të gjitha të këqijave që buronjë nga dora e njeriut si lufta, dhuna, shpifja, kaosi, vrasja, shthurja etj., është smira. Madje, edhe ndër arsyet kryesore të kundërshtimit e të mohimit të profetëve, sipas Kuranit Famëlartë, qëndron smira. Në suren Bekara thuhet: Shumë nga ithtarët e Librit,1 prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Bekare, 2/109)

Ndërkohë që Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ju bëj thirrje të shmangeni prej smirës, sepse smira i shfaros veprat e mira të njeriut siç e shfaros zjarri drurin.”  Si dhe “Në një zemër nuk mund të gjenden së bashku edhe besimi (iman), edhe smira (hased).”

Bediuzzaman Said Nursi, në lidhje me smirën, shpreh kështu këshillën e tij ndaj nxënësve besnikë të Kuranit:

“Vëllezërit e mi! Në punën tonë, drejtimi më i rrezikshëm i egoizmit është smira. Nëse puna nuk është veç për hir të Allahut, zilia ndërhyn dhe e prish. Sikurse te njeriu njëra dorë s’ka smirë për dorën tjetër, syri nuk ka smirë për veshin, sikurse zemra nuk garon me mendjen, edhe mes gjymtyrëve të trupit të bashkësisë myslimane nuk duhet të ketë smirë. Detyra juaj morale e shpirtërore nuk është që të konkuroni njëri-tjetrin, por që të krenoheni me vlerat e njëri-tjetrit, që t’u gëzoheni atyre.”

Të nderuar besimtarë!

Smira dhe zilia kaq negative, janë një peshë e rëndë për psikologjinë dhe zemrën e njeriut. Ajo vjell veç vrerë dhe nuk e lëshon njeriun thuajse në asnjë moment. E detyron atë që çdo punë ta mendojë “si të dëmtoj” dhe nëse ia arrin, ai ndien kënaqësi. Sa keq që njeriu të ndiejë kënaqësi nga vepra djallëzore, me të cilat ai bën shkrumb e hi jetën e tij të përtejme. I zhytur në helmin e smirës, ai kujton se po noton në mjaltin e shpirtit.

E kundërta, heqja tutje e smirës, durimi i fortë dhe qëndrueshmëria ndaj saj, do t’i japë njeriut shpërblime të mëdha. Krahas vllazërisë së pazhbëshme dhe suksesit të madh në këtë jetë, do t’i dhurojë kënaqësi të papërshkrueshme në jetën e përtejme. Në xhenet, Allahu, që do tu dhurojë banorëve të Parajsës mirësi që mendja nuk i ka rrokur, veshi s’i ka dëgjuar e që biri i njeriut s’i ka parë as në ëndërr, do t’u bëjë një dhuratë edhe më të madhe. Ajo është çrrënjosja dhe zhdukja e ndjenjës së zilisë e të smirës (hased). Kurani e shpreh kështu këtë të vërtetë:

وَنَزَعْنَا مَا فِى صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهِمُ ٱلْأَنْهَـٰرُ ۖ وَقَالُوا۟ ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِى هَدَىٰنَا لِهَـٰذَا وَمَا كُنَّا لِنَهْتَدِىَ لَوْلَآ أَنْ هَدَىٰنَا ٱللَّهُ

 “(Në Parajsë,) ndërsa nën ta rrjedhin lumenj, nga zemrat e tyre ç’pastë prej zilisë ua nxjerrim e ua hedhim tej. Dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu. (Araf, 7/43)

Mbështetur në rregullin “shpërblimi është sipas llojit të punës”, sikurse në jetën e kësaj bote, edhe në jetën e përjetshme, njeriu do të shpërblehet sipas vështirësive që ka vuajtur në këtë jetë duke iu dhuruar, kësaj radhe, një jetë pa vështirësi e brenga. Po ashtu, njeriu që ka kapërcyer vetveten duke luftuar kundër ndjenjave e pasioneve që janë quajtur dikur “sëmundje të zemrës”, si zilia, urrejtja, zemërimi, smira, inati, egoizmi e të tjera si këto, do të shpërblehet duke u çliruar përgjithmonë prej tyre në jetën e amshuar.

Allahu na ruajt nga smirëzinjtë e na ruajt nga shndërrimi në smirëzinj!/insi.al/