Të nderuar vëllezër e motra!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
فَبِمَا رَحْمَةٍۢ مِّنَ ٱللَّهِ لِنتَ لَهُمْ ۖ وَلَوْ كُنتَ فَظًّا غَلِيظَ ٱلْقَلْبِ لَٱنفَضُّوا۟ مِنْ حَوْلِكَ ۖ فَٱعْفُ عَنْهُمْ وَٱسْتَغْفِرْ لَهُمْ وَشَاوِرْهُمْ فِى ٱلْأَمْرِ ۖ فَإِذَا عَزَمْتَ فَتَوَكَّلْ عَلَى ٱللَّهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ يُحِبُّ ٱلْمُتَوَكِّلِينَ ١٥٩
“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.”
(Al Imran, 3:159)
Sipas një transmetimi, Profeti ynë (a.s) duke shikuar Qaben tha: “Pa dyshim, Allahu të ka bërë shumë të nderuar, të respektuar, shumë madhështore; por besimtari është më i respektueshëm se ti” (Ibn Maxhe, Fiten 2; Mexhma’ ez-Zeuaid, 1/81). Si dhe la thënë: “Vlera e besimtarit tek Allahu është më e lartë sesa shkatërrimi i tërë botës” (Nesai).
Në anën tjetër, referenca e vlerës së lartë që ka besimtari është zemra e tij. Profeti (a.s) është shprehur kështu: “Allahu nuk ju shikon trupin/pamjen e jashtme, por shikon zemrat tuaja” (Muslim). Pra Allahu nuk ju vlerëson nga trupi/pamja e jashtme, por ju vlerëson sipas zemrës.
Duke marrë parasysh këto dhe hadithe të ngjashme, si dhe duke pasur parasysh që vlera e besimtarit qëndron në zemrën e tij, dijetarë të mëdhenj kanë thënë:
“Qabeja është një ndërtesë e ndërtuar nga Halil Ibrahimi (a.s), i biri i Azerit. Zemra është vendi ku Allahu i Madhëruar vështron. Për këtë arsye, të thyesh një zemër është më e keqe se të shkatërrosh një mijë Qabe.”
Të gjithë e dimë shumë mirë se sa virtyt i lartë është të gëzosh një zemër. Por, po aq e rëndë është edhe ta thyesh atë. Në këndvështrimin e besimtarit, të thyesh një zemër, nuk është thjesht të ofendosh, lëndosh apo trishtosh dikë. Sepse në zemër gjendet besimi. Zemra është shtëpia e njohjes së Allahut, është vendi ku ruhet dhe kultivohet dashuria ndaj Tij. Zemra është një mineral i ndritshëm, i çmuar. Zemra është aparati që transmeton rrezet e përshpirtshme nga dimensioni shpirtëror në trupin material të njeriut. Ajo i përcjell trupit emocionet e shpirtit dhe e bën atë të drithërojë. Sa e rëndë është të ndikosh për keq në këtë aparat kaq të vyer të njeriut.
Në anën tjetër, kur njeriut i thyen zemrën, e largon atë nga besimi dhe nga Islami. Kush i largon njerëzit nga Islami me qëndrimet dhe sjelljet e tyre është një i mjerë, që me të vërtetë shkatërron zemrat. Edhe nëse nga pamja e jashtme mund të bëhet fjalë për njerëz të adhurimit, ata dëmtojnë reputacionin e Islamit në sytë e njerëzimit me gabimet në marrëdhëniet, sjelljet dhe relatat me të tjerët.
Me sa duket, duke thyer zemra pa pushim, në përgjithësi kjo kategori e myslimanëve e sheh veten në rrugë të drejtë dhe nuk pranojnë këshilla nga askush. Por thellë thellë, të gjithë e dimë, që ky është thjesht një reagim për të refuzuar gabimet e tyre. Ndryshe thënë, ky është një tregues që në fakt zemrat e tyre janë të sëmura. Sepse ashtu si dashuria, edhe rrënjët e errëta të hipokrizisë, mendjemadhësisë dhe dashakeqësisë gjenden në zemër.
Për këtë arsye, ata që duan ta jetojnë Islamin në mënyrë ideale dhe të tregojnë bukurinë e tij – me gojë dhe me sjellje – duhet të marrin si udhërrëfyes të plotë ajetin dhe hadithin e mëposhtëm:
“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Al Imran, 3/159).
Dhe Allahu na mëson këtë lutje: رَبَّنَا لاَ تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا “Zoti Ynë, mos na i rrëshqit zemrat pasi t’na kesh udhëzuar” (Al Imran, 3/8).
Ndërkohë që Profeti (a.s) lutej ditë e natë: اَللَّهُمَّ يَا مُقَلِّبَ الْقُلُوبِ ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ “O Ti që i rrotullon zemrat sa andej këndej, ma fikso zemrën në fenë tënde” (Tirmidhi, Kader 7, De’auat 90; Ahmed b. Hanbel, Musned 6/302).
Imam Rabbani ka thënë diçka të ngjashme në lidhje me temën:
Zemra është fqinji i Allahut Teala. Asgjë nuk është më afër Allahun sesa zemra juaj. Nuk duhet lënduar zemra e askujt, qoftë besimtar apo mosbesimtar, sepse edhe fqinji mosbesimtar duhet mbrojtur. Duhet bërë shumë kujdes që të mos thyhet zemra. Pas mohimit nuk ka mëkat më të madh që e zemëron Allahun, më shumë sesa thyerja e zemrës. Sepse gjëja më e afërt me Allahun Teala është zemra. Të gjithë njerëzit janë robër të Allahut. Nëse robi i dikujt rrihet ose lëndohet, zotëria e tij sigurisht që do të zemërohet. Mendo pak madhëstinë, lavdinë dhe lartësinë e Atij që është Pronari i Vetëm i çdo gjëje. (Pra njeriu është nën tutelën e Allahut dhe mbrojtjen e Tij. Të lëndosh, ofendosh, zemërosh apo trishtosh dikë që është nën tutelën e Allahut, patjetër që do të shkaktojë zemërimin hyjnor.)
Allahu na dhëntë zemra të shëndoha, që rrahin me dashuri ndaj Tij!/insi.al/