Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Thyerja e zemres

Pyetje: Thuhet se të thyesh zemrën e njeriut është më e rëndë sesa të shembësh Qaben. Cili është dënimi i atij që thyen zemrën e njeriut?

Përgjigje

Nuk kemi rastisur në ndonjë transmetim të saktë me tekstin “Të thyesh zemrën është si të shkatërrosh Qaben”. Në një burim dytësor përmendet si hadith ky tekst: “Të thyesh zemrën e një myslimani dhe ta lëndosh atë padrejtësisht është mëkat më i madh sesa ta shkatërrosh Qaben 70 herë” (Mevlana Muhammed Rebhâmi, Rijad en-Nasihin). Por nuk ka burim të besueshëm.

Megjithatë, ka transmetime që tregojnë se kjo thënie nuk bie ndesh me parimet fetare. Sipas një transmetimi, Profeti ynë (a.s) duke shikuar Qaben tha:

“Pa dyshim, Allahu të ka bërë shumë të nderuar, të respektuar, shumë madhështore; por besimtari është më i respektueshëm se ti” (Ibn Maxhe, Fiten 2; Mexhma’ ez-Zeuaid, 1/81).

Në një hadith tjetër thuhet: “Vlera e besimtarit tek Allahu është më e lartë sesa shkatërrimi i tërë botës” (Nesai).

Duke marrë parasysh këto dhe hadithe të ngjashme, Mevlana Xhelaledin er-Rumi ka thënë:

“Qabeja është një ndërtesë e ndërtuar nga Halil Ibrahimi (a.s), i biri i Azerit. Zemra është vendi ku Allahu i Madhëruar vështron. Për këtë arsye, të thyesh një zemër është më e keqe se të shkatërrosh një mijë Qabe.” Allahu vështron në zemër, pra vlerëson sipas nijetit, sepse kështu shprehet Profeti (a.s): “Allahu nuk ju shikon trupin/pamjen e jashtme, por shikon zemrat tuaja” (Muslim). Pra Allahu nuk ju vlerëson nga trupi/pamja e jashtme, por ju vlerëson sipas zemrës.

Në lidhje me dënimin e thyerjes së zemrës mund të themi, se sa virtyt i lartë është të gëzosh një zemër, por aq e rëndë është ta thyesh atë. Në këndvështrimin e besimtarit, të thyesh një zemër, nuk është thjeshtë të ofendosh, lëndosh apo trishtosh dikë. Sepse në zemër gjendet besimi. Zemra është shtëpia e besimit, e njohjes së Allahut dhe e dashurisë ndaj Tij. Zemra është një mineral i ndritshëm, i çmuar. Ajo ka dy aspekte. Njëri aspekt vështron botën shpirtërore dhe tjetri botën trupore/materiale. Nëse trupi fizik i njeriut drejtohet për nga shpirtërorja, zemra i përcjell trupit emocionet shpirtërore që merr përmes botës së shpirtit dhe bën që trupi të marrë frymë me paqe dhe qetësi. Pra zemra është aparati që transmeton rrezet e përshpirtshme nga dimensioni shpirtëror në trupin material të njeriut. Sa e rëndë është të ndikosh për keq në këtë organ kaq të vyer të njeriut.

Në anën tjetër, kur një besimtar mysliman thyen zemrën dikujt që mbase ende nuk është njohur me besimin, e largon dhe e ftoh atë nga Islami. Kush i largon njerëzit nga Islami me qëndrimet dhe sjelljet e tyre janë njerëz të mjerë, që me të vërtetë shkatërrojnë zemrat. Edhe nëse këta nga pamja e jashtme janë njerëz të adhurimit, ata dëmtojnë reputacionin e Islamit në sytë e njerëzimit me gabimet që bëjnë në marrëdhëniet, sjelljet dhe relatat me njerëzit. Me sa duket, duke thyer zemra pa pushim, në përgjithësi kjo kategori e myslimanëve e sheh veten në rrugë të drejtë dhe nuk pranojnë këshilla nga askush. Në fakt ky është thjesht një reagim për të refuzuar gabimet  e tyre. Ndryshe thënë, ky është një tregues që në fakt zemrat e tyre janë të sëmura. Sepse ashtu si dashuria, edhe rrënjët e errëta të hipokrizisë, mendjemadhësisë dhe dashakeqësisë gjenden në zemër.

Për këtë arsye, ata që duan ta jetojnë Islamin në mënyrë ideale dhe të tregojnë bukurinë e tij – me gojë dhe me sjellje – duhet të marrin si udhërrëfyes të plotë ajetin dhe hadithin e mëposhtëm:

“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Al Imran, 3/159).

“Trim i fortë nuk është ai që rrëzon kundërshtarin e tij në tapetin e mundjes, por ai që e mposht veten në momentin e zemërimit” (Buhari, Edeb, 76; Muslim, Birr, 107-108).

Dhe Allahu na mëson këtë lutje: رَبَّنَا لاَ تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا “Zoti Ynë, mos na i rrëshqit zemrat pasi t’na kesh udhëzuar” (Al Imran, 3/8).

Ndërkohë që Profeti (a.s) lutej ditë e natë: اَللَّهُمَّ يَا مُقَلِّبَ الْقُلُوبِ ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ “O Ti që i rrotullon zemrat sa andej këndej, ma fikso zemrën në fenë tënde” (Tirmidhi, Kader 7, De’auat 90; Ahmed b. Hanbel, Musned 6/302).

Imam Rabbani ka thënë diçka të ngjashme në lidhje me temën:

Zemra është fqinji i Allahut Teala. Asgjë nuk është më afër Allahun sesa zemra juaj. Nuk duhet lënduar zemra e askujt, qoftë besimtar apo mosbesimtar, sepse edhe fqinji mosbesimtar duhet mbrojtur. Duhet bërë shumë kujdes që të mos thyhet zemra. Pas mohimit nuk ka mëkat më të madh që e zemëron Allahun, më shumë sesa thyerja e zemrës. Sepse gjëja më e afërt me Allahun Teala është zemra. Të gjithë njerëzit janë robër të Allahut. Nëse robi i dikujt rrihet ose lëndohet, zotëria e tij sigurisht që do të zemërohet. Mendo pak madhëstinë, lavdinë dhe lartësinë e Atij që është Pronari i Vetëm i çdo gjëje. (Pra njeriu është nën tutelën e Allahut dhe mbrojtjen e Tij. Të lëndosh, ofendosh, zemërosh apo trishtosh dikë që është nën tutelën e Allahut, patjetër që do të shkaktojë zemërimin hyjnor.)

Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/