Dropshipping është një model biznesi në të cilin një dyqan online nuk mban fizikisht stok të mallrave që shet. Ai thjesht shfaq në një faqe online fotografitë dhe informacionet e produkteve që ofron. Kur dyqani online merr një porosi nga një klient, ai blen produktin nga një furnizues, i cili e dërgon produktin direkt te klienti. Shitësi online vendos një çmim më të lartë sesa ai i furnizuesit dhe në këtë mënyrë siguron fitimin e vet.
Tregtia në Islam është e lejuar, por ka disa pika që duhen pasur parasysh në mënyrë që mos të rrezikohet e drejta e askujt. Dropshipping ka disa pika të diskutueshme nga ana fetare:
– Problemi i pronësisë: Shitësi online po shet diçka që nuk e posedon. Profeti (a.s) ka thënë: “Mos shit atë që nuk e zotëron” (Ebu Daud, 3503). Në literaturën juridike kjo është quajtur “bej’ul ma’dum” (shitja e inekzistentes). Bazuar në këtë hadith juristët janë shprehur se është e ndaluar shitja e produkteve që shitësi nuk ka në pronësi, e atyre që s’ka marrë në dorëzim apo që s’ka detyrim t’i dëmshpërblejë. Në parim personi mund të shesë produktin që ka blerë më parë dhe që e ka marrë në dorëzim. Por në dropshipping shitësi online shet një produkt që nuk e ka në zotërim.
– Dy kontrata: Nga aspekti të drejtës islame në dropshipping bëhet fjalë për dy kontrata. E para është mes shitësit online dhe blerësit, e dyta është mes shitësit online dhe furnizuesit. Në të drejtën islame kontrata quhet e realizuar në momentin, që palët i dorëzojnë njëri-tjetrit pagesën dhe produktin. Në rastin e dropshipping, duke pasur dy kontrata, duhet të realizohen edhe nga dy dorëzime. Por ndërkohë që bëhen dy pagesa, ndodh vetëm me një dorëzim i produktit. Ai nga furnizuesi tek blerësi fillestar.
– Garari dhe transparenca: Ligji islam thekson transparencën dhe shmangien e garar-it (pasigurisë) në transaksione. Në këtë rast garari është pasiguria në ekzistencën e produktit në momentin e kontratës, pra në momentin e aktit të blerjes online. Nëse shitësi komunikon qartë kohën e dorëzimit, specifikimet e produktit dhe politikat e kthimit, atëherë kjo mund të zbusë shqetësimet në fjalë.
– Problematika të tjera: Përveç këtyre ka edhe çështje të tjera problematike, që ndryshojnë nga një shtet në një tjetër, si fakti që pagesa e bërë prej blerësit në shumë raste është e aksesueshme pas një farë kohe, p.sh., pas 15 ditësh; përdorimi i servisit të furnizuesit për shitësin online pa i vënë në dijeni, rritja e çmimit të tregut në mënyrë artificiale, dhe shumë forma të tjera të hapura për abuzim.
ZGJIDHJE TË MUNDSHME
Shitjet që përmbajnë problematikat e mësipërme, edhe sikur të realizohen praktikisht, nga ana fetare, ku më pak e ku më shumë, janë problematike dhe në shumë raste të ndaluara. Dijetarët kanë vendosur disa kushte për lejueshmërinë e këtij aktiviteti, duke ofruar këto zgjidhje:
1 – Kontratë mes shitësit online dhe furnizuesit
– Për të shmangur problematikën e pronësisë, shitësi online mund të bëjë një kontratë me furnizuesin për të gjitha produktet që do të ofrojë online. Në këtë mënyrë ai konsiderohet një filial online i furnizuesit dhe ka të drejtë ta shesë produktin në çmimin që përcakton vetë.
– Në rast të një kontrate të tillë zgjidhet edhe çështja e dorëzimit të drejtpërdrejtë nga furnizuesi, sepse konsiderohet pjesë e shërbimit që ofron i njëjti dyqan.
– Shfaqja në internet e tipareve të nevojshme për identifikimin e saktë të produktit bashkuar me kontratën e filialit zbut problematikën e gararit.
2 – Kontratë pa detyrime, autorizim
– Nëse marrëveshja mes blerësit dhe shitësit online nuk përcakton detyrime, atëherë kjo kthehet në një kontratë autorizimi (vekale). Në këtë rast blerësi autorizon shitësin online për t’i siguruar produktin dhe i autorizuari merr fitimin për shërbimin që ofron. Për të realizuar këtë shitësi online duhet të bëjë të qarta termat e shërbimit të tij në faqen online, në mënyrë që blerësit të jenë të informuar plotësisht për shërbimin që u ofrohet.
3 – Selem dhe istisna’
Kontrata selem dhe istisna’ janë praktika që prej kohës së Profetit (a.s) dhe ndër më të njohurat në jurisprudencën islame. Kontratat e shitjes kanë detyrim që produktet që shkëmbehen të njihen mirë dhe të mos ketë dyshime të asnjë lloji në kontrata, në mënyrë që të shmanget çdo lloj konflikti. Por shpeshherë ndodh që njerëzit të kenë nevojë për produkte që përkohësisht mund të mos jenë në dispozicion ose që s’gjenden në treg. Jurisprudenca islame këto raste i ka zgjidhur me kontratat selem dhe istisna’. Selem do të thotë që personi të shesë një produkt standard të identifikuar nëpërmjet sasisë, llojit dhe veçorive (mithlî), të cilin nuk e ka ende në zotërim, por që gjendet me lehtësi në treg, duke marrë paraprakisht pagesë të plotë me idenë, që produktin do t’ia dorëzojë më pas në kohën e përcaktuar. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush bën selem për diçka, ta bëjë atë me sasi, peshë dhe kohë të përcaktuar.” (Buhari, Selem, 1, 2, 7; Muslim, Musakat, 128) Istisna’ do të thotë të porosisësh një produkt që nuk gjendet në treg, që është unik, si një pikturë, statujë, veshje e posaçme, punimet e dorës, etj. Edhe në këtë rast bëhet pagesa e plotë paraprakisht dhe produkti dorëzohet në kohën e përcaktuar.
– Së pari, dropshipping përngjason shumë me selemin, por ka edhe diferenca domethënëse nga aspekti i jurisprudencës islame, që e ndajnë. Nëse shitja online kthehet në një kontratë selemi dhe zbatohen dispozitat e saj, atëherë kjo kthehet në një praktikë të lejuar nga ana islame. Për të bërë këtë në radhë të parë duhet që produkti të jetë i disponueshëm në treg, sepse diçka që ka mundësi të mos gjendet konsiderohet madum (inekzistent) dhe shitja e diçkaje që nuk ekziston është e ndaluar. Produkti, ekzistenca e të cilit është e dyshimtë, mund të shitet vetëm pasi shitësi e ka marrë në dorëzim. Por kur flasim për produktet që prodhohen me shumicë, ato mund të gjenden lirshëm në pika të ndryshme furnizimi, sepse në përgjithësi janë gjëra që njerëzve i nevojiten dhe prodhohen me aq fluks saqë shoqëria thuajse asnjëherë nuk vuan për t’i siguruar. Produkti i dropshipping duhet të jetë në këtë kategori, që të quhet selem.
– Së dyti, blerësi duhet të këtë informacionet e nevojshme rreth produktit. Kushtet e selemit janë që të identifikohen qartësisht veçoritë (Profeti (a.s) ka kushtëzuar të përcaktohen lloji, masa, sasia, pesha, etj.), të jetë e gjindshme në treg dhe të përcaktohet koha e dorëzimit.
Për realizimin e kësaj kontrate si selem, nevojitet që të sigurohen dy elemente thelbësore: (1) dorëzimi tek blerësi dhe (2) dëmshpërblimi në rast të kundërt. Kjo është edhe një nga diferencat mes selemit dhe shitjes klasike, sepse tek kjo e fundit nevojitet pronësia e produktit që shet.
– Së treti, s’duhet anashkaluar fakti se blerësi në përgjithësi është në dijeni që furnizuesi nuk është dyqani ku po blen online, por një palë e tretë. Kështu që di edhe se shitësi online është vetëm një ndërmjetës. Ai pranon të bëjë një blerje në këto rrethana. Kështu, në aspektin juridiko-fetar, mund të thuhet që në një farë mënyre tashmë kjo praktikë është kthyer në zakon (urf). Tradita dhe zakoni është element i njohur nga jurisprudenca dhe ka vlerë juridike. Nisur nga kjo, arrihet në konkluzionin e përgjithshëm që nëse nuk ka rrezik në lidhje me dorëzimin e produktit, atëherë këto lloj kontratash janë të lejuara.
– Së katërti, dorëzimin e produktit duhet ta bëjë ndërmjetësi dhe jo shitësi. Kjo është edhe metoda e selemit në kohën e Profetit (a.s). Për të zgjidhur këtë problematikë ndërmjetësi mund të bëjë një marrëveshje me furnizuesin ose vetë dorëzuesin, duke e autorizuar për dorëzimin. Si dhe të bëjë të ditur publikisht që ai nuk i posedon produktet që shet, por që i gjen dhe i vë në dispozicion të blerësit. Pagesa duhet të dorëzohet e plotë, jo pjesërisht.
KONKLUZION
Ligji islam nuk ndalon a-priori praktikën e dropshipping. Por duke qenë se kjo praktikë ka forma të ndryshme, quhet elejuar pasi janë plotësuar në formë të qartë kushtet që kërkon feja islame. Shmangia e abuzimeve është çështja më jetike në marrëdhëniet financiare. Kompani të mëdha si Amazon i kanë rregulluar këto shitje me ligj dhe marrëveshje me filialet online, duke reduktuar thuajse në zero mundësitë e abuzimit. Është e vështirë që çështjet financiare t’ia lësh në dorë koshiencës së gjithkujt. Kryesisht në hapësirat gjeografike, ku shitjet online janë të parregulluara me ligj, rreziku për abuzim është shumë i madh. Në ditët e sotme rolin kryesor për të shmangur çdo abuzim duhet ta luajnë autoritetet kompetente, sepse format e tregtisë janë të pandalshme. Ne më sipër shprehëm në parim disa zgjidhje praktike, të cilat duhet të marrin formën e tyre finale duke u konkretizuar rast pas rasti. Për këtë arsye, një besimtar mysliman që kërkon të dijë nëse forma se si aplikon dropshipping është brenda kritereve islame apo jo, duhet t’i drejtohet autoriteteve kompetente fetare për të marrë një vlerësim të qartë dhe final.