Allahu na ka krijuar ne që t’na bëjë të njohur Veten e Tij. Duke njohur Allahun, që është Mirësi Absolute dhe Pronari i Vetëm i gjithësisë, si konkluzion lind dëshira që njeriu ta adhurojë Atë. Në suren Bekare kur Allahu i tregon ëngjëjve se do të krijonte në tokë një mëkëmbës të Tijin, engjëjt e pyetën përse do të krijonte dikë që do të derdhte gjak dhe do të kryejnë shkatërrime. Allahu u përgjigjet: “Unë di atë, që ju nuk e dini. Dhe kështu i mësoi Ademit të gjitha emrat…”(Bekare, 2/30-31). Sipas disa komentuesëve të Kuranit emrat e përmendur këtu janë dituria e fenomeneve natyrore dhe pasqyrimi i emrave të Allahut në këto dukuri. Duke qenë se njeriu nuk ka kapacitetin e nevojshëm për të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë Allahun, e njeh Atë nëpërmjet pasqyrimeve të atributeve të Tij të larta në gjithësi. Kështu një nga qëllimet e krijimi të njerëzve është edhe shfaqja e emrave dhe cilësive të Allahut, studimi i tyre, meditimi rreth tyre dhe kuptimi i madhështisë hyjnore.
Njeriu e dallon të mirën dhe të bukurën. Kjo e shpie atë në dëshirën e madhe për ta vrojtuar, njohur dhe falënderuar. Konkluzioni i njohjes është adhurimi, të cilin Allahu e shpreh qartazi në një ajet tjetër: “Nuk i krijova njerëzit dhe xhindët vetëm se për t’më adhuruar Mua” (Dharijat, 51/56). Ibn Abasi (r.a) e komenton duke thënë se për ta njohur Atë, dhe pasi ta njohim ta adhurojmë.
Për më tepër që Allahu është Krijues. Krijuesi krijon dhe s’mund të mendohet e kundërta. Këtë çështje mund ta kuptojmë nëpërmjet një shembulli të thjeshtë. Ka njerëz me aftësi të veçanta. P.sh., ka njerëz që pilturojnë bukur. Kur ai pikturon, askush nuk pyet përse, por çdokush sheh bukurinë e pikturave të tij, prej bukurive të pikturës arrin në konkluzionin që dikush shumë i aftë e ka pikturuar dhe e përgëzon atë për punën që bën, si dhe e falënderon që i bëri të mundur të shohë bukuri të tilla që lindin vetëm prej njerëzve të veçantë. Ndërkohë që nga rreth 8 milion gjallesa që kanë zbuluar shkencëtarët, i vetmi që ka cilësitë për të njohur dhe të ndërveprojë sipas informacioneve që merr është njeriu. Siç cilëson Kurani Famëlartë “Njeriun e kemi krijuar në formën më të bukur” (Tin, 95/4), e cila është nënkuptuar si forma më e lartë e krijesave./insi.al/