Fillimisht duhet të qartësojmë se Allahu (xh.sh) është Zoti, Krijuesi i gjithçkaje, dhe si i tillë Ai nuk ka nevojë për asgjë. “Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të gjithë kanë nevojë për Të, Ai nuk ka nevojë për asgjë!” (Ihlas: 1-2).
Përsa i përket dënimit, Allahu (xh.sh) e ka sjellë Ademin (alejhisselam) në këtë botë si pasojë e një sprove. E krijoi atë dhe u sprovua me konsumimin apo jo të frutit të ndaluar. Njeriu i parë vjen në dynja me një sprovë, dhe më pas, në mënyrë që të dallohet i miri nga i keqi, qymyri nga elmazi, kjo sprovë do të vazhdojë për aq sa të jetë jeta. Siç dikton edhe parimi i drejtësisë, kush e kalon provimin me sukses do të shpërblehet, sepse e ka merituar. Kush dështon në këtë provim, do të meritojë ndëshkimin.
Gjykimi për dënim apo shpërblim nuk është vendosur pa patur parasysh vullnetin e lirë dhe punët e njëriut. “Njeriu do të ketë (shpërblim ose dënim) vetëm atë për të cilën ka punuar dhe përpjekjet e tij do të shihen.(Nëse ka vepruar drejtë) ai do të shpërblehet me shpërblim të plotë.” (Nexhm: 39-41)
Një i ditur ka thënë: “Pushtetari duhet të ketë dy cilësi: 1) Në njërën anë butësinë dhe dhembshurinë. 2) Në anë tjetër ndëshkimin dhe edukimin. Shpërblimi vjen si pasojë e dhembshurisë dhe ndëshkimi vjen si pasojë e edukimit.” Ashtu si mosshpërblimi i vepërmirëve bie ndesh me drejtësinë dhe mëshirën hyjnore, po ashtu mosndëshkimi i mohuesëve, zullumqarëve, despotëve bie ndesh me shenjtërinë, urtësinë dhe drejtësinë hyjnore.
Në këtë provim Allahu (xh.sh) shfaq njëkohësisht cilësinë e xhelalit (madhështisë) dhe xhemalit (bukurisë, bujarisë). Ashtu si Allahu (xh.sh) ka një mëshirë të pafundme, po ashtu ai posedon edhe drejtësinë absolute dhe për këtë është Ndëshkues i Ashpër. Një nga pasqyrimet e atributeve të bukurisë dhe bujarisë hyjnore (xhemal) do të jetë xheneti, ndërsa një nga pasqyrimet e drejtësisë dhe ndëshkueshmërisë hyjnore do jetë xhehenemi.
Allahu është “Maliku’l-mulk, jef’alu ma jeshâ”, “Pronari Absolut i gjithçkaje dhe bën si ç’të dojë”, për të s’mund të ketë asnjë pengesë. Dhe është gjithashtu i Drejti Absolut, nuk i bën padrejtësi askujt. Me Drejtësine e tij ndëshkon robërit për mëkatet e tyre, duke mos bërë aspak padrejtësi. Në anën tjetër me mëshirën e Tij fut në xhenet të gjithë besimtarët, siç na ka rrëfyer Profeti ynë (s.a.s), se edhe vetë ai do të hyjë në xhenet me mëshirën e pakufishme të Zotit (xh.sh) dhe jo vetëm me veprat e tij.
Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/