Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Grua shami pambuluar agjerim namaz

Kush neglizhon shaminë në ambientet publike, por gjatë faljes së namazit mbulohet siç duhet, namazi i saj është i saktë. Njëkohësisht edhe kur kryen pa shami çfarëdolloj adhurimi, që në vetvete nuk e ka kusht të realizimit mbulesën, siç është agjërimi apo zekati, këto adhurime konsiderohen të sakta.

Allahu ka bërë detyrim mbulimin e pjesëve të caktuara për trupin e femrës dhe të mashkullit. Lidhur me këtë, mbulesa për gruan myslimane është obligim fetar (Shiko ajetet: Ahzab, 33/33, 59; Nur, 24/31). Mashkulli ka detyrim të mbulojë trupin e tij nga kërthiza deri tek kupa e gjurit. Këto quhen zona të turpshme të trupit. Ndërkohë që femra e ka më të gjerë këtë hapësirë duke përfshirë tërë trupin e saj përveç fytyrës, duarve dhe këmbëve. Ndërkohë që për ngjyrat e rrobës nuk kemi indikacione obligative, nevojitet që ato të jenë sa më të gjera dhe jo të tejdukshme.

Pavarësisht se ndonjëherë kemi ndërthurje, në përgjithësi obligimet fetare janë të ndara nga njëra-tjetra. Falja e namazit dhe agjërimi janë obligime të pakushtëzuara nga mbulesa në ambientet publike. Nëse ato kryhen sipas kritereve përkatëse, quhen të pranuara dhe besimtarja merr shpërblimin e kryerjes së tyre. Njëkohësisht, kryerja e njërës nuk justifikon braktisjen e tjetrës. Falja e namazit nuk justifikon moskryerjen e agjërimit, nuk justifikon as braktisjen e mbulesës. Çdo obligim i zbatuar reflekton bindje ndaj Allahut, çdo obligim i pazbatuar reflekton të kundërtën.

Në esencë pranimi i një vepre është çështje që i përket Allahut. Allahu është Falës dhe me faljën e Tij tregon mirëkuptim ndaj pamundësive për sa kohë që besimtari përpiqet në udhën e Tij të begatë. Prandaj pavarësisht çdo mangësie tonën ne duhet të ushqejmë mendim të mirë për Zotin Tonë të Gjithëmëshirshëm. Njeriu gabon dhe mëkaton shumë, kurse Allahu fal shumë. Allahu shprehet: “Vërtet, veprat e mira i fshijnë të këqijat” (Hud, 11/114) dhe “Lexo atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (Ankebut, 29:45). Siç na orientojnë këta ajete, namazi dhe veprat e tjera të mira me në krye adhurimet, çojnë në faljen e mëkateve dhe të mbrojnë prej tyre. Sa mirë që Allahu i ka mundësuar dhe i ka lehtësuar një besimtari namazin dhe agjërimin. Ato duhet të kthehen në forcë dhe shpresë që një ditë ne të arrijmë të bëhemi një besimtar shembullor. Mëshira e Allahut është e gjerë dhe nëpërmjet lutjeve të vazhdueshme arrihet mirësia e plotë. Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/