Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Profet muxhize mrekulli

Në këtë pyetje ka dy dilema: A ka mundësi të ndodhë mrekullia/muxhizeja dhe a është i vërtetë lajmi i mbërritur deri te ne rreth asaj mrekullie?

Fillimisht duhet të themi se mrekullia, në origjinal “muxhize”, në kuptimin terminologjik është një ngjarje që ndodh jashtë ligjeve të natyrës, të cilën Allahu (xh.sh) e krijon për të mbështetur një profet prej profetëve të Tij. Mbështetur në zakonin e ligjeve të natyrës mrekullia është e pamundur të ndodhë. Por mbështetur në logjikë ajo është lehtësisht e realizueshme, kjo sepse Ai që krijoi gjithësinë, natyrën dhe vendosi ligjet natyrore në të, ka fuqinë dhe mundësinë t’i ndryshojë këto ligje në një moment për të mbështetur profetësinë e të dërguarve të Tij. Ai që krijoi ligjin e gravitetin ka mundësi të urdhërojë detin të çahet në dysh për të kaluar Musai (alejhisselam) me popullin e tij, ose Ai që bëri të vdesë një njeri, zotëron mundësinë të urdhërojë shpirtin e tij të kthehet te ai trup për ta ringjallur me dorën e Isait (alejhisselam), duke mbështetur kështu profetësinë e këtyre profetëve. Krijuesi dhe Sunduesi i gjithësisë vepron si të dojë, për Të nuk është e rëndë asnjë punë. “Kur Ai dëshiron diçka, mjafton t’i thotë: ‘Bëhu!’ dhe ajo bëhet.” (Jasin, 36:82)

Përsa i përket dilemës së dytë rreth vërtetësisë së lajmit të mbërritur te ne në lidhje me këtë ngjarje themi se besimtari mysliman kushtëzohet t’i besojë ngjarjeve që i kanë mbërritur atij me anë të transmetimit “teuatur”. Teuatur do të thotë dokumentimi i pjesëmarrjes në transmetim brez pas brezi të një grupi personash (në çdo brez) që është e pamundur të bien dakord në gënjeshtër. Kurani kështu është transmetuar nga Profeti (alejhisselam) deri më sot. Po kështu shumë hadithe, ndër to edhe hadithe që flasin për mrekullitë.

Së fundmi mund të shtojmë se Allahu (xh.xh) ka realizuar shumë mrekulli nëpërmjet dorës së Profetit Muhamed (alejhisselam), por mrekullia më e madhe, që i është dhënë është Kurani Famëlartë, fjala e Allahut (xh.sh). Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (s.a.s) (ka thënë: “Secilit prej profetëve i janë dhënë mrekulli, të cilat i kanë besuar njerëzit. Ajo që më është dhënë mua është shpallja prej Allahut, Kurani. Kështu shpresoj që të jem me më tepër pasues ditën e Kiametit.” (Buhari, Itisam, 1).

Kurani është libri i fundit i dërguar nga Allahu, që është i vlefshëm për çdo kohë dhe çdo vend. Allahu thotë për të: “Atij (Kuranit) nuk mund t’i afrohet e kota (gënjeshtra) nga asnjë anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.” (Fussilet, 41:42). Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/