Në lidhje me duhanin nuk ka asnjë ajet dhe hadith të drejtpërdrejtë, sepse cigarja nuk ka qenë përdorur në kohën e Profetit (a.s). Në lidhje me çështjet që s’ka tekst fetar të drejtpërdrejtë janë juristët, të cilët duke grumbulluar argumentet në lidhje me çështjen arrijnë në një konkluzion dhe japin gjykimin fetar.
Jurstët bashkëkohorë kanë arritur në konluzionin që konsumimi i duhanit është rreptësisht i ndaluar në një nga kategoritë tahrimen mekruh (mekruh afër haramit) ose haram, bazuar në argumentet e mëposhtme:
Së pari, në suren Nisa ajeti 29 thuhet: “…dhe mos e vritni veten” (Nisa, 4/29). Ky ajet përfshin edhe çdo gjë që cenon jetën e njeriut, rrjedhimisht çdo gjë që çon në dëmtimin e shëndetit.
Në këtë aspekt dihet se çfarë dëmi i shkakton cigarja trupit të njeriut, duke qenë se edhe mbi paketa shkruan që dëmton shëndetin. Duhanpirësit janë shumë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve si kanceri, sëmundjet kardiake, impotenca, komplikacione në shtatzëni, depresioni, etj. Prandaj, siç thonë mjekët, duhani të vret dalëngadalë. Ky është argumenti bazë që e bën këtë veprim të ndaluar.
Së dyti, cigarja del në trajtën e tymit nga trupi i njeriut dhe dëmton edhe shëndetin e çdokujt që gjendet pranë, pavarësisht se vetë nuk e konsumon. Gjithashtu Profeti (a.s) ka ndaluar që të vinë në ambientet e xhamisë personat që kanë konsumuar qepë, hurdhra apo prasë, sepse me gramën e tyre shqetëson njerëzit e tjerë (Buhari, Et’ime 49; Muslim, Mesaxhid 73). S’duhet harruar edhe se një person që gjendet vazhdimisht në ambiente ku konsumohet cigarja mësohet me të dhe ka shumë mundësi të nisë dhe ta konsumojë edhe vetë.
Së treti, në suren A’raf, ajeti 31 thuhet: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini, por mos shpërdoroni, se Ai nuk i do ata që shpërdorojnë.” (A’raf, 7/31) Të shpërdorosh do të thotë “përdor pa kujdes, keq e me tepri diçka; e kaloj masën e përdorimit të diçkaje”. Kjo është ndaluar me ajet. Edhe sikur duhani të mos kishte asnjë dëm, ajo s’ka asnjë dobi, ndërkohë që krijon edhe varësi. Kush lidhet me duhanin e ka të vështirë ta lërë atë. Parimisht, që njëriu të harxhojë paratë për diçka që s’ka asnjë dobi është shpërdorim. Për më tepër në këtë rast bëhet fjalë për diçka që dukshëm dëmton shëndetin.
Në një farë kohe dijetarët s’kanë parë nevojën që ta quajnë haram konsumimin e cigares, sepse s’ka pasur evidenca. Të japësh gjykimin haram për diçka është shumë e rëndë dhe duhen prova të forta. Prandaj, në fillimet e veta, dijetarët e kanë gjykuar si mubah ose një pjesë tjetër si mekruh (e papëlqyeshme por jo gjynah), për shkak se disa persona shqetësoheshin prej erës së saj. Me të dhënat e sotme është e pamundur që konsumimi i cigares të vlerësohet si i lejuar apo i papëlqyeshëm. Tashmë shumica dërrmuese e qendrave të fetvasë dhe e juristëve bashkëkohorë e gjykojnë konsumimin e duhanit si haram. Një pjesë e vogël ngurrojnë të thonë haram, sepse sidoqoftë harami i duhanit nuk është në nivelin e haramit të alkoolit apo drogës. Kështu e gjykojnë si tahrimen mekruh, pra mekruh afër haramit. Në të dyja rastet bëhet fjalë për përgjegjësi, pra mëkat.
Në këtë rast, siç është haram konsumimi, është haram edhe shitja e blerja e cigares. Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/