Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Zekati klasat grupet

Zekati është një ndër farzet thelbësorë në Islam. Ndër çështjet që Kurani Fisnik ka shprehur qartazi janë kategoritë ku mund të dorëzohet zekati. Kjo është shprehur në suren Teube ajeti 60 ku thuhet: “Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata të cilëve u duhet fituar zemra (në Islam), për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”(Teube, 9:60)

Këto ndryshe janë quajtur tetë kategoritë e zekatit. Ato janë:

1 – Të varfrit: personat që kanë pasuri por nuk e kanë farz zekatin.

2 – Nevojtarët: personat që janë të varfër në mjerim.

3 – Nëpunësit e zekatit: personat që kanë detyrën e grumbullimit dhe administrimit të zekatit.

4 – Personat që synohet t’i ngrohet zemra me Islamin.

5 – Skllevërit: përdorimi i zekatit për lirimin e skllevërve.

6 – Borxhlinjtë: ata të cilët janë aq të bllokuar në borxhe, saqë nëse i paguajnë të tëra, nuk u ngel pasuri sa nisabi.

7 – Në rrugë të Allahut: personave të cilët shkojnë në haxh, udhëtojnë për arsimim apo ata që luftojnë për ruajtjen dhe ngritjen e vlerave islame.

8 – Udhëtarët: janë ata njerëz që tentojnë të shkojnë në udhëtim për ndonjë veprim të mirë, siç është Haxhi apo arsimimi, por nuk u mjafton pasuria e tyre. Ose një person që është nisur në udhëtim, ka mbetur në rrugë dhe nuk ka të holla për tu kthyer në vendbanimin e tij.

Nëse zekati i jepet dikujt, që nuk është ndër këto kategori, atëherë ky adhurimet nuk quhet i kryer. Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/