Të nderuar besimtarë e besimtare!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
۞ إِنَّ ٱللَّهَ ٱشْتَرَىٰ مِنَ ٱلْمُؤْمِنِينَ أَنفُسَهُمْ وَأَمْوَٰلَهُم بِأَنَّ لَهُمُ ٱلْجَنَّةَ ۚ
Të nderuar besimtarë e besimtare!
Disa njerëz në adhurime janë porsi evlija, por në relatat njerëzore janë shumë të shkujdesur. Sidomos gjuha, porsi një shpatë e mprehtë i copëton adhurimet, i bën copë e çikë. Dhe më e keqja është që këto veprime ndonjëherë shoqërohen me një indiferencë të habitshme.
Disa mendojnë për rreziqet e mëdha që i kanosen fesë. Nisin të merren me çështje globale dhe plane të fshehta që i dëgjojnë sa këtu e atje, duke e ngarkuar edhe me nota emocionale tmerruese, por s’kanë aspak kujdes në çështje që na dëmtojnë si shoqëri dhe si komunitet besimtarësh. Në fakt, ky është rreziku numër një: të falësh namaz si një evlija, por jashtë namazit të jesh i shkujdesur.
Jo më kot Kurani përmend vazhdimisht besimin të shoqëruar me veprën e mirë, duke thënë: Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Vepra të mira nuk janë vetëm adhurimet. Rrezja e veprës së mirë është shumë e gjerë. Krahas adhurimeve ajo përfshin të gjitha sjelljet e njeriut. Ato individuale, kolektive, familjare, sociale, tregtare, ekonomike, politike, e shumë të tjera. Prandaj juristët aspektin praktik të jetës fetare të një besimtari mysliman, e kanë ndarë në dy kategori: Adhurimet dhe marrëdhëniet civile (muamelat). Muamelat përfshin çdo vepër të besimtarit përveç adhurimeve. Dhe ulemaja ka thënë: feja është mu’amele. Pra nuk është vetëm adhurimi, por edhe të tëra sjelljet e tjera të besimtarit.
Shejtani i sugjeron vazhdimisht njeriut, që “ti falesh, agjeron, bën haxhin, jep zekatin, ti je mashallah”. Këtu duhet t’i kthehemi atij e t’i themi: Nuk mjafton që falem, nuk mjafton që agjëroj. Falet dhe është i besueshëm, agjëron dhe është i drejtë, bën haxh dhe është sjellshëm, jep zekatin dhe është punëtor, e kështu me radhë. Të imagjinojmë të kundërtën: falet por gënjen, agjëron por bën thashetheme, bën haxh por merr ryshfet, etj. Është e rëndë ta thuash, por namazi, agjërimi, haxhi e adhurimet e tjera individuale mund të mos kenë asnjë vlerë në ditën e llogarisë.
Profeti (a.s) ka pyetur shokët e tij: A e dini se kush është i dështuari? Ata thanë: Ne të dështuar i themi atij që nuk i ka mbetur as para e as pasuri. Profeti (a.s) tha: I dështuari është ai që vjen në ditën e kiamet me namaz, agjërim, zekat, por njëkohësisht ka sharë dikë, ka shpifur për dikë, i ka dhunuar pasurinë dikujt, ka derdhur gjakun e dikujt, ka rrahur dikë. Kështu, për tu shlyer me ata që i ka hyrë në hak, merren prej sevapeve të tij. Pastaj i merren përsëri. Nëse sevapet e tij përfundojnë pa shlyer të drejtat e atyre që u ka hyrë në hak, atëherë mëkatet e këtyre të fundit, i ngarkohen atij. Dhe më pas ai flakërohet në zjarr.
Lavdërojnë dikë në prezencë të Omerit (r.a). Omeri (r.a) i drejtohet personit që foli dhe e pyet:
- A ke fqinjësi personin që lavdërove? – Jo, – i përgjigjet.
- A ke udhëtuar bashkë me të? – Jo, – i përgjigjet.
- A ke bërë tregti me të? – Jo, – i përgjigjet.
- Me sa po kuptoj e ke parë në xhami që lexon Kuran duke tundur kokën apo jo? – Po, – i përgjigjet.
- Atëherë mos e lavdëro kot tjetrin, sepse sinqeriteti dhe devotshmëria nuk janë të varura në qafë të njeriut.
Nga kjo kuptohet, që pavarësisht se në adhurime njerëzit janë shumë të përkushtuar, mund të ndodhë që të jenë ndryshe në relatat njerëzore. Prandaj, mysliman i mirë është ai që arrin të ndjekë të njëjtën linjë në të dyja fushat e jetës.
Mes imanit, pra besimit, dhe veprës ka një lidhje të fortë. Kur besimi nxjerr në pah veprën, atëherë vepra e ushqen dhe e forcon besimin. Kur burim i veprave tona nuk është besimi, por kërkesat dhe tekat e nefsit, ajo vepër e dobëson besimin.
Termat që përdorim për të identifikuar besimtarin janë mu’min (besimtar) dhe muslim (mysliman/praktikant). Mu’min do të thotë besimtar dhe njeri i sigurisë. Muslim do të thotë i dorëzuar dhe i nënshtruar ndaj urdhëresave dhe këshillave të Allahut. Por besimtar apo mysliman nuk bëhesh sepse kështu të quajnë, por je atëherë kur besimi dhe sjellja realizojnë kuptimet që këto terma përmbajnë. Të tilla janë respektimi i kufijve të hallallit dhe haramit, kriteret fetare dhe principet e moralit.
Myslimani në relatat me njerëzit është maksimalisht i drejtë, i kujdesshëm, i durueshëm, i sjellshëm, respektues, i njerëzishëm. Madje jo vetëm karshi njerëzve, por ai duhet të përqafojë me dashuri dhe dhembshuri mbarë gjithësinë. Sepse zemra e tij ka një gjerësi marramendëse. Allahu ka thënë: Nuk më nxënë qiej e tokë, por më nxë zemra e besimtarit. Përse e ngushtojmë ne?
Allahu na bëftë prej vepërmirëve!/insi.al/