Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Fikh jurisprudence islame

Me emrin e Allahut Mëshiruesit Mëshirëplotit.[1]

Kërkoj ndihmë prej Tij! O Zot begatoje përpjekjen time me të mira!

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili i bëri dijetarët trashgimtarë të profetëve dhe pasues të evlijave. Për ata dijetarë, luten engjëjt në qiell, peshqit në ujë dhe zogjtë në ajër. Paqja, përshëndetjet më të larta dhe më të plota qofshin për ajkën e më të zgjedhurve, për esencën e thelbit të ekzistencës dhe shtyllën kryesore të gjithësisë, Muhamed Mustafanë (sal`lallahu alejhi ue sel`lem), për familjen e tij të pastër dhe të ndershme, dhe për të gjithë shokët e tij punëmirë, yjet orientues dhe udhëzues në rrugën e drejtë.

Thotë Ali b. Sulltan b. Muhamed el-Herauî el-Hanefî, i strehuar në mbrojtjen e Allahut, Krijuesit të gjithësisë në mënyrë të shkëlqyer dhe pa të meta (I begatoftë Allahu të dy me gostitë e pashtershme dhe mirësitë e pafundme):

Studiuesit islamë janë të mendimit që ndër shkencat Islame, fikhu është më i rëndësishmi. Kjo, për shkak se në të përfshihet nga personi më i thjeshtë deri te dijetari më i madh i një populli. Kështu që për të kërkohet një përkushtim i veçantë, në mënyrë që të arrihen gradë të larta. Allahu Teala ka thënë: وَمَا كَانَ الْمُؤْمِنُونَ لِيَنْفِرُوا كَۤافَّةً فَلَوْلَا نَفَرَ مِنْ كُلِّ فِرْقَةٍ مِنْهُمْ طَۤائِفَةٌ لِيَتَفَقَّهُوا فِي الدِّينِ وَلِيُنْذِرُوا قَوْمَهُمْ إِذَا رَجَعُوا إِلَيْهِمْ لَعَلَّهُمْ يَحْذَرُونَ “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut.” (Teube, 9/122) Në një ajet tjetër thuhet: قَدْ فَصَّلْنَا الْاٰيَاتِ لِقَوْمٍ يَفْقَهُونَ “Ne ua kemi shpjeguar qartë shpalljet Tona njerëzve që kuptojnë”. (Enam, 6/98)

Në veprën e Ahmet b. Hanbelit, të Buhariut dhe Muslimit, si dhe në disa burime tjera, transmetohet se disa sahabë kanë përcjellë nga Profeti (alejhisselam) të ketë thënë: مَنْ يُرِدِ اللّٰهُ بِهِ خَيْراً يُفَقِّهْهُ فيِ الدِّينِ “Kujt i dëshiron të mirën Allahu, e thellon atë në dijet e fesë”[2].

 Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe transmetojnë këtë hadith nga Ibni Abbasi në trajtën merfu[3]: فَقِيهٌ وَاحِدٌ أَشَدُّ عَلَى الشَّيْطَانِ مِنْ أَلْفِ عَابِدٍ “Një i ditur (fakih) është më i fuqishëm ndaj shejtanit sesa një mijë praktikues të thjeshtë”[4].

 Ibni Maxhe transmeton këtë hadith nga Ibni Abbasi në trajtën merfu: إنَّ أُنَاساً مِنْ أُمَّتِي سَيَتَفَقَّهُونَ فيِ الدِّينِ وَيَقْرَؤُنَ الْقُرْاٰنَ ويَقُولُونَ نَأْتِي الْأُمَرَاءَ ونُصِيبُ مِنْ دُنْيَاهُمْ وَنَعْتَزِلُهُمْ بِدِينِنَا وَلَا يَكُونُ ذٰلِكَ كَمَا لَا يُجْتَنٰى مِنَ الْقَتَادِ إِلَّا الشَّوْكُ كَذٰلِكَ لَا يُجْتَنٰى مِنْ قُرْبِهِمْ إِلَّا الْخَطَايَا Nga bashkësia ime do të dalin persona që do zotërojnë njohuri të thella  në fe, do të lexojnë Kuranin dhe do të thonë kështu; Të qëndrojmë pranë prijësve të shtetit dhe të përfitojmë nga të mirat e tyre materiale, por në çështjet fetare të qëndrojmë larg tyre. Mirëpo, e vërteta nuk është siç thonë ata. Kjo është njësoj sikur të mundohesh të vjelësh fruta nga kaktusi dhe të mbledhësh vetëm gjembat e tij. Po kështu, edhe ky afrimitet, nuk sjell gjë tjetër vetëm se gabime.”[5]

Tirmidhiu transmeton këtë hadith nga Ebu Umame: فَضْلُ الْعَالِمِ عَلَى الْعَابِدِ كَفَضْلِي عَلَى أَدْنَاكُمْ “Epërsia e një dijetari ndaj një praktikuesi; është njësoj si epërsia ime ndaj një individi të thjeshtë”[6]. Sepse dituria nuk është e dobishme vetëm për personin që e mëson, por edhe për të tjerët, ndërkohë që adhurimi është i dobishëm vetëm për individin që e kryen atë. Gjithashtu të nxënët është obligim, individual ose kolektiv, ndërsa adhurimet suplementare krahas obligativeve janë plotësuese. Adhuruesi i thjeshtë mund të jetë imitues (mukalid), kurse dijetari (jurist i fikhut) është studiues i mirfilltë dhe ekspert në çështjet e fesë. Kështu që nuk mund të jenë kurrë të barabartë. Në lidhje me këtë transmetohet një fjalë e tillë: يُوزَنُ مِدَادُ الْعُلَمَاءِ بِدِمَاءِ الشُّهَدَاءِ وَيَرْجُحُ مِدَادُ الْعُلَمُاءِ “Peshohet boja e penës së dijetarëve me gjakun e dëshmorëve dhe rëndon më shumë boja e penës së dijetarëve”[7].  Boja e penës është hapi fillestar i dijetarit në rrugën e dijes, ndërkohë që gjaku i dëshmorit është hapi final në fitimin e kësaj grade të lartë./insi.al/

Autor: Mulla Ali el-Herauî

Përktheu: Shefki Ferati dhe Aorel Senja

———–

[1] Ky artikull është hyrja e veprës së Mulla Aliut të titulluar “Fet’h bab el-inâje”.

[2] Buhari, Ilm 9, 13; Muslim, Zekat 33; Ibn Hibban, Sahih, 1/291(89); Ahmed b. Hanbel, Musned, 5/11 (2790).

[3] Në transmetimin merfu’, hadithi, qoftë muttasil ose munkati, në mënyrë të drejpërdrejtë (sarih) ose të sugjeruar (hukmen) i atribuohet Profetit (s.a.s). Këtu përfshihen thëniet, veprimet dhe aprovimet e Tij.

[4] Ibn Maxhe, Iman 17.

[5] Ibn Maxhe, Iman 23.

[6] Tirmidhiu, Ilm 19.

[7] Ibn Haxheri, Lisanu’l-mizan, 5/128, 225.