Islami i obligon myslimanët me përmbushjen e disa urdhrave dhe shmangien nga gjërat e ndaluara. Këta urdhra dhe ndalesa ndryshe quhen “teklif”, ndërsa myslimani i cili i zbaton quhet “mukelef’.
Teklif emërtohet urdhërimi i njerëzve nga feja islame që të kryejnë urdhrat e Allahut dhe të respektojnë ndalimet e Tij.
Person përgjegjës që fetarisht quhet (mukel’lef) është:
– personi me zhvillim mendor normal,
– personi që ka mbushur moshën e pubertitetit.
Çdo person që i plotëson këto dy kritere ngarkohet me përgjegjësi me anë të mesazhit të sjellë nga feja islame dhe me pasoja materiale-shpirtërore dhe fetare-juridike për shkak të mendimeve, fjalëve dhe sjelljeve të tij. Kjo do të thotë që ata që kanë probleme mendore dhe nuk janë të vullnetshëm në veprimet e tyre, nuk ngarkohen me përgjegjësi fetare, e cila kërkon aftësinë e dallimit të së mirës nga e keqja. Ndërsa mosha e pjekurisë konsiderohet mosha kur individi fillon të përjetojë zhvillimin e ndjenjave seksuale. Kjo quhet ndryshe pjekuri mendore dhe fiziologjike.
Aktet e personit përgjegjës përkufizohen si më poshtë:
1 – Farz: janë vendime të urdhëruara nga Allahu i Madhërishëm dhe Profeti paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të në mënyrë të prerë dhe të qartë. Braktisja e farzit i shkakton shqetësim besimtarit në këtë botë, kurse mohimi i tij e nxjerr nga feja.
Farzet ndahen në dy pjesë:
a) Farz ajn: Janë veprat, të cilat duhet t’i kryejë çdo mysliman i obliguar. Si p.sh.: namazi, agjërimi, etj.
b) Farz kifaje: Janë detyrime, të cilat nëse zbatohen nga një grup myslimanësh, bie përgjegjësia nga myslimanët e tjerë. Si p.sh.: namazi i xhenazes dhe marrja e selamit. Nëse asnjë nga myslimanët nuk e zbaton një detyrim të tillë, atëherë të gjithë janë përgjegjës për këtë.
2 – Vaxhib: Janë vendime, të cilat mbështeten në dy argumente, ndër të cilët njëri i prerë e tjetri i dyshimtë. Si p.sh.: namazi i vitrit dhe i bajramit.
Edhe konkluzioni i vaxhibit është si i farzit. Për këtë arsye vaxhibi ndryshe është quajtur farz praktik. Po të kryhet, ka mirësi, po të lihet pa kryer, ka ndëshkim. Ndërkaq, nga pikëpamja besimore, vaxhibi nuk është si farzi. Personi që e mohon vaxhibin, nuk del nga feja. Por meqë duke mohuar vaxhibin, mohon një urdhër fetar, konsiderohet se ka mbajtur një qëndrim të sajuar (bid’at) dhe ka bërë mëkat. Personi që e lë pa kryer vaxhibin për harresë ose me vetëdije, është i ngarkuar për ta kryer kaza (më pas). Për shembull, ai të cilit i mbetet pa falur (që nuk e fal dot në kohë) namazi i vitrit, duhet ta falë kaza. Në medhhebet e tjera veç medhhebit Hanefi vaxhibi nuk ndahet nga farzi, por konsiderohet me të njëjtin vlerësim.
3 – Sunet: janë fjalët, veprat dhe çdo gjë të cilën e ka miratuar vetë Profeti (s.a.s). Në terminologjinë e fikhut sunet janë quajtur fjalët dhe veprat e Profetit (a.s) që nuk janë farz dhe vaxhib. Ndërkohë medhhebet e tjera veç Hanefijëve këtë kategori e kanë quajtur mendub. Suneti ndahet në dy pjesë:
a) Sunet mueked (sunet i fortë): Janë vepra të cilat Profeti (s.a.s) i ka kryer vazhdimisht dhe nuk i ka lënë asnjëherë. Si p.sh.: sunetet e namazeve të sabahut, të drekës dhe akshamit. Edhe ezani, ikameti, falja me xhemat, të njohura ndryshe si shenja të Islamit janë sunet mueked. Ndryshe quhen edhe suneti huda.
b) Sunet gajri mueked (sunet jo i fortë): Janë vepra të cilat Profeti (s.a.s) ndonjëherë i ka bërë e ndonjëherë i ka lënë. Si p.sh.: sunetet e namazit të ikindisë dhe të jacisë. Edhe veprimet ditore si ngrënia, pirja, veshja, ulja, ngritja e të tjera të cilat njihen si rregulla të mirësjelljes, në momentin që bëhen në formën që i kryente Profeti (s.a.s,) hyjnë në grupin e sunetit gajri mueked. Këta ndryshe quhen dhe suneti zeuaid.
Në kryerjen e sunetit mueked ka mirësi të mëdha. Edhe nëse lënia pa kryer e tyre me qëllim ose për dembelizëm nuk pasohet nga ndëshkimi me xhehenem, pasohet nga një humbje dhe dëm i madh si privimi nga shefaati i Profetit (s.a.s). Personat që e braktisin sunetin muekked meritojnë qortimin e Profetit (s.a.s), kurse ndryshimi ose mohimi i sunetit muekked është sajim (bid’at) dhe devijim nga rruga e drejtë (dalalet).
Kryerja e sunetit gajri mueked është veprim i mirë dhe me rrjedhoja të mira. Veprimet normale ditore, si ngrënia, veshja, etj., në përputhje me sunetin ose traditën e Profetit (s.a.s), fitojnë vlerë adhurimi. Aktet dhe veprimet, kryerja e të cilave është zakon, në këtë mënyrë, përsëriten e kujtohen, kthehen në pretekste për shefaat dhe i dhurojnë shpirtit të njeriut frymëzime e begati, sepse respektimi edhe i një etike të Profetit (a.s), madje, sjell ndërmend Profetin (s.a.s), duke i dhënë zemrës dritë dhe kënaqësi. Në braktisjen e suneteve gajri muekked nuk ka as mëkat, as qortim dhe konsideratë të ulët, por ka humbje të mirësive të mëdha që i përmendëm më lart, humbje të përfitimit nga drita, edukata dhe etika e vërtetë e sunetit.
4 – Mustehab: janë veprat e pëlqyeshme, të cilat janë kryer ndonjëherë nga Profeti (s.a.s) dhe që janë vepruar e këshilluar tradicionalisht nga dijetarët. Si p.sh.: të japësh sadaka (lëmoshë) dhe të mbash agjërim nafile. Mustehabet janë norma morale që ndihmojnë në kryerjen sa më të mirë dhe më të dobishme të adhurimeve.
5 – Mubah: janë vepra nga kryerja apo moskryerja e të cilave nuk ka as detyrim fetar dhe as pengesë që të kryen. Si p.sh.: të ulesh, të hash, të pish.
Xhaiz: sjellje e veprime fetarisht të lejuara.
6 – Mekruh: janë vepra të papëlqyeshme të cilat ulin sevapin e veprës së kryer. Si p.sh.: të shohësh përreth gjatë faljes së namazit. Mekruhu ndahet në dy pjesë:
a) Tahrimen Mekruh: quhen veprat e papëlqyeshme të cilat janë më afër haramit. Si p.sh.: harxhimi i tepërt i ujit gjatë marrjes së abdesit. Myslimani përfiton sevape nëse e lë mekruhun tahrimen. Nëse vazhdon ta kryejë, ekziston mundësia e dënimit në ahiret.
b) Tenzihen Mekruh: Është mekruhu më afër hallallit. Si p.sh.: pastrimi i hundës me dorën e djathtë. Një veprim i tillë nuk dënohet, por fitohen sevape me braktisjen e tij. Lejimi i mekruheve edhe megjithëse është gabim, nuk e nxjerr njeriun nga feja.
7 – Sahih (i saktë): Është adhurimi ose veprimi i kryer duke përmbushur të gjitha kushtet dhe elementët përbërës.
8 – Mufsid: janë ato vepra të cilat prishin një akt fetar të nisur. Si p.sh.: dalja e gjakut nga trupi kur je me abdes, qeshja në namaz dhe ngrënia kur je agjërueshëm.
9 – Haram: janë vepra të cilat janë të ndaluara me argumente të prera. Si p.sh.: të pish pije alkoolike, të vjedhësh etj.
10 – Hallall: Fetarisht e lejuar. Sjellje dhe veprime që nuk ka pengesë në kryerjen e tyre. Ka kuptim të ngjashëm me termat xhaiz, mubah.
11 – Hukm (vendim, gjykim): Është tërësia e normave që feja Islame ka sjellë me qëllim lumturinë e njeriut në këtë bote dhe në Ahiret. Ato janë të përcaktuara nga ajetet e Kur’anit dhe hadithet e Profetit a.s.
12 – Medhheb: Është shkolla juridike që muxhtehidi (dijetari) i referohet në trajtimin e çështjeve të fikhut. Sot ndër myslimanë janë të pranuar këto medh’hebe: Hanefi, shafi’i, maliki, dhe hanbeli./insi.al/