Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Kuran

Nga Qazim Hoxha

Kur’ani është një rreshtim i ëmbël dhe i këndshëm, që tregon të vërteta të larta. Ai është një libër i lartë qiellor, i cili pasi në krye thekson se të gjithë njerëzit janë të ndarë në fise prej një familjeje që është e  bashkuar instiktivisht me një unitet fillestar, dëfton se nderi dhe fama e të gjithë individëve që janë të barabartë në pikëpamjen e krijimit, gjendet vetëm në devotshmëri dhe se nuk ka asnjë racë më të lartë se tjerat. Bashkë me këtë, ky libër i madhërueshëm, zgjon në zemra e shpirtra idenë e virtytit dhe shpall se nuk kanë ndonjë vlerë me meritë lavdërimi ata që nuk i pajisin ndërgjegjet e tyre me mesazhin e mësipërm. Ajeti يَاأَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنْثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوبًا وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِير (Huxhurat, 49/13), është një udhërrëfyes për fitimin e vlerave në fjalë.

Kur’ani Famëlartë, fton të gjithë popujt kah paqja e shpëtimi. Ai mundëson një transformim shumë të gëzueshëm në lidhje me moralin e shoqërisë. I përfton njeriut instiktin e duhur për të jetuar në shoqëri, e orienton atë kah veprat e mbara për lumturinë e kësaj dhe botës tjetër, urdhëron drejtësinë dhe mirësinë, ndihmën reciproke dhe mëshirën ndaj nevojtarëve e të pafuqishmëve, përpjekjen për punë të mira dhe virtyte morale, si dhe na ndalon mbështetjen ndaj tiranëve e zullumqarëve. Sepse Allahu i Lartmadhëruar thotë: إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ (Nahl, 16: 90), وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَى وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ  (Maide, 5/2). Siç duket qartë, këta versete janë edukues të urtë për fitimin e virtyteve shoqërore.

Kur’ani diturinë dhe urtësinë e ngre në pozita të larta dhe lartëson vlerën e të diturve deri në shkallën më të lartë njerëzore, si dhe dëfton se të tillë njerëz, duke vëzhguar madhështinë hyjnore që manifestohet në krijimet dhe krijesat e kësaj bote, gjejnë në zemër frikën dhe respektin hyjnor. Kështu, Kur’ani flet me zë të lartë për mirësitë e shumta që ata fitojnë.

هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ (Zumer, 39/9), يُؤْتِي الْحِكْمَةَ مَنْ يَشَاءُ وَمَنْ يُؤْتَ الْحِكْمَةَ فَقَدْ أُوتِيَ خَيْرًا كَثِيرًا (Bakara, 2/269), إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ غَفُورٌ (Fatir, 35/28). Këto ajete të larta kur’anore janë nxitës kah dituria, e cila është baza e perfeksionimit.

Kur’ani na mëson moralin e fisnikët, pastrimin e zemrës, qëllimin e mirë, rregullat për të shkuar mirë në shoqëri, si dhe e bën ndërgjegjen të dashurojë virtytin. وَلَا تَنْسَوُا الْفَضْلَ بَيْنَكُمْ “Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush!” (Bakara, 2/237), وَقُولُوا لِلنَّاسِ حُسْنًا (Bakara, 2/83),وَإِنْ تُبْدُوا مَا فِي أَنْفُسِكُمْ أَوْ تُخْفُوهُ يُحَاسِبْكُمْ بِهِ اللَّهُ “Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të” (Bakara, 2/284).

Përsëri Kur’ani, ka caktuar për ne disa rregulla për jetën shoqërore dhe gjthësecilin prej nesh e ka detyruar të ndjekë disa rregulla qytetërore, në mënyrë që të sigurojë lumturinë dhe shpëtimin, si dhe rregullin e jetës. Ai këshillon dhe urdhëron drejtësinë në shitblerje dhe në relata të tjera ndërnjerëzore, të mos nëpërkëmben të drejtat e njeriut me tirani si dhe të mos prishet rregulli dhe qetësia e botës me këto padrejtësi. Kur’ani i Madhërishëm na kshillon kështu: وَأَوْفُوا الْكَيْلَ وَالْمِيزَانَ بِالْقِسْطِ وَلَا تَبْخَسُوا النَّاسَ أَشْيَاءَهُمْ وَلَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ “Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj, prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në tokë, pasi të jetë vënë rregulli në të.” (A’raf, 7/85). Drejtësia është e vetmja garante për lumturinë njerëzore, prandaj ajetet kur’anore na e urdhërojnë vazhdimisht atë.

Kur’ani gjithashtu e siguron qetësinë e rendin shoqëror duke na këshilluar që detyrat t’ia ngarkojmë atyre që janë të zotët për to. Në këto kushte, ashtu siç urdhëron bindje ndaj Allahut dhe Profetit (a.s), urdhëron bindje edhe ndaj udhëheqësve të tjerë. Në suren Nisa, ajeti 58 thuhet: إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُكُمْ أَنْ تُؤَدُّوا الْأَمَانَاتِ إِلَى أَهْلِهَا وَإِذَا حَكَمْتُمْ بَيْنَ النَّاسِ أَنْ تَحْكُمُوا بِالْعَدْلِ إِنَّ اللَّهَ نِعِمَّا يَعِظُكُمْ بِهِ “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet” (Nisa, 4/58), dhe në vijim shton  يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنْكُمْ “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja” (Nisa, 4/59).

Këto mesazhe të larta hyjnore, tregojnë se themelimi dhe stabilizimi i një sistemi, dhe mbarëvajtja e tij, janë konditat thelbësore për të pasur një jetë të rregullt që perfeksionon lumturinë e njerëzimit.

Në fund, të theksojmë faktin që Kur’ani është një libër i plotë i manifestuar nga i Madhi Zot, ai është një diell i shndritshëm hyjnor që me qartësinë dhe elokuencën e jashtëzakonshme la me gojën hapur elokuencën e mbarë botës. Është një diell që me rrezet e larta tregon madhështinë e Krijuesit tonë, bën të shohësh mrekullitë e botës së padukshme dhe me ndihmën e tij mendjen e shëndosha dhe zemrat e ndritshme, fluturojnë në hapësirën e pakufijshme të botëve.

Në fakt, këto mësime që përmendëm derimë tani, deduktohen me pak njohuri fillestare, ndërkohë që Kur’ani përmban të gjitha dituritë. Ta mbyllim këtë ligjëratë me fjalën e Aliut (r.a), porta e diturisë për në qytetin e Profetit (a.s), i cili shprehet kështu për Kur’anin e Madhërishëm: جميع العلم في القرآن ولكن … تقاصر عنه أفهام الرجال.

Qazim Hoxha, 4 – 5 korrik 1933, Zani i Naltë, IV, 520-523.