Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Kuran vahj ruajtja

Kurani i zbritej një njeriu që nuk dinte lexim e shkrim, i rritur në një popull që edhe ai nuk dintë lexim e shkrim. Allahu, duke i vendosur Kuranit si emër të dytë emrin el-Kitab (Libri), në mënyrë indirekte, informonte se vahji duhej ruajtur duke u shkruar. Gjithashtu, në ajetet e para, që i zbritën Profetit (s.a.s), theksohej roli që zë lapsi në veçorinë më të rëndësishme të njeriut, që është të mësuarit. Pra, Allahu i Madhëruar, i Cili njeriut i mëson gjithçka me laps (Alak 96/4), duke i dhënë Kuranit, që do ta nxirrte njerëzimin nga injoranca në dituri, emrin el-Kitab (Libri), që do të thotë “tekst i shkruar”, e ka urdhëruar në mënyrë indirekte shkrimin dhe regjistrimin e vahjit.

Nga vahjet e periudhës më të hershme, nënkuptohet qartë, që Kurani regjistrohej duke u shkruar. P.sh, Kurani na transmeton kundërshtimet e mosbesimtarëve në këtë formë: Dhe ata thonë: “Këto janë përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje.” (Furkan 25/5) Sipas transmetimeve, kjo sure zë radhën e 42 në zbritje. “…se ky është vërtet një Kuran i nderuar në Librin e ruajtur. Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastërtit” (Uakia 56/77-79). Ky ajet, i cili është nga versetet e zbritura më herët, na informon se vahji është i shkruar dhe, që për ta prekur, duhet të jesh i pastër. Gjithashtu, në një ajet, që është edhe më i hershëm për nga radha e zbritjes thuhej kështu: “Mos vepro ashtu! Në të vërtetë, ky (Kuran) është këshillë, pra, kush të dojë, le të marrë këshillë! Ai ndodhet në Faqe të nderuara, të lartësuara, të pastra.” (Abese 80/11-14) Ky ajet mund të quhet si një shenjë, që tregon se Kurani është shkruar që në periudhat e para të zbritjes së tij. Nga historia e konvertimit të Omerit (r.a) në mysliman, në vitin 8 para hixhretit, nënkuptohet, që vahji ishte i shkruar. Sepse Omeri (r.a) në shtëpinë e së motrës kishte gjetur fletë, ku shkruhej sureja Taha dhe Tekuir.

Profeti (s.a.s), memorizonte menjëherë vahjin e zbritur nga Xhibrili (a.s). Pastaj, pa humbur kohë, thërriste një nga shkruesit e vahjit dhe ia diktonte atij, duke përcaktuar edhe vendin që ajo pjesë kuranore kishte në sure. Në atë periudhë, teksti i Kuranit, shkruhej në materiale si lëkurë kafshësh, degë hurmash, gurë të sheshtë, tabela prej dërrase ose në kockat e shpatullave të deveve e deleve, të cilat gjendeshin aty rreth e përqark.

Transmetimet na komunikojnë shumë qartë, që Profeti (s.a.s), me qëllim që të të shmangte çdo gabim të mundshëm, i kërkonte shkruesit që t’ia lexonte tekstin e shkruar pasi ia diktonte. Ky tekst, i siguruar me anë të leximit të ndërsjellë, i dorëzohej Profetit (s.a.s) dhe ruhej në dhomën e tij. Kush dëshironte prej sahabëve, kishte mundësinë, që më pas, të nxirrte një kopje prej origjinales, për mus’hafin personal./insi.al/