Të nderuar besimtarë e besimtare!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ(1) الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ(2) الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ(3) مَالِكِ يَوْمِ الدِّين(4) إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ(5) اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ(6) صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلَا الضَّالِّينَ(7)
—–o—-o—–
Kurani nis me suren Fatiha, namazi çelet me suren Fatiha, çdo vepër e vyer hapet me këtë çelës magjik dhe errësira e botës që na pret pas këtyre dyerve shuhet përsëri nga ky burim drite. Për këtë arsye surja e parë është quajtur Fatiha, pra Hapëse, sepse është kreu i gjithçkaje. Është quajtur edhe Shafije/Shëruese, sepse shëron shumë plagë individuale dhe shoqërore. Ajo është një recetë e mjaftueshme për problemet e mbarë njerëzimit, prandaj është quajtur edhe Kafije/e Mjaftueshme. Ndërkohë që është edhe thelbi dhe versioni më i shkurtuar i gjithë Kuranit, prandaj quhet Ummulkitab/Thelbi i Kuranit.
Fatihaja, në mënyrë indirekte prek dhe jep mesazhe për të gjitha temat kryesore që përmban Kurani. Ajo përmend besimin, adhurimin si dhe rendin shoqëror. Këto nuk janë thjesht terma apo koncepte në mendjen e njeriut, por parime jetike të cilat duhet të mishërohen në vetëdijen dhe jetën e tij të përditshme. E pra, surja Fatiha, të gjitha këto i shpreh në formën më të shkurtër, duke i ndërlidhur parimet në fjalë me njëri-tjetrin, me një strukturë unike dhe me fjalë mbresëlënëse. Kush fal 5 vaktet së bashku me vitrin, e lexon dhe e rilexon minimalisht 20 herë në ditë këtë sure. Kush shton edhe namazet sunet të pesë vakteve, ia rikujton vetes 40 herë në ditë këto parime. Kështu, jeton çdo moment rreth boshtit të besimit.
Por çfarë na thotë surja Fatiha? Si çdo sure tjetër ajo nis Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ Dhe më pas thotë:
الْحَمْدُ للّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ “Çdo lavdërim i përket Allahut” Sepse është Allahu. Përse i përket Atij çdo lavdërim? Sepse është Zoti i tërë botëve. Ai është Rabbul alemin, pra Edukuesi i mbarë botëve, i Cili e ngre njeriun në gradat e larta duke e edukuar, sepse mbarë mesazhet hyjnore janë edukuesit tanë. E ç’dhuratë më të madhe të na japë? Prandaj Ai meriton çdo lëvdatë.
“Çdo lavdërim i përket Allahut”, sepse Ai është الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ “i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti”. Dhe mëshirën e Tij ne e dallojmë gjithandej. E gjejmë në pamjen e njeriut, në formën e tij fizike, në aspektin e brendshëm të njeriut dhe botën e tij shpirtërore. E si të mos pranohet si Zoti i botëve, një qenie, ekzistencën dhe ndikimin e të Cilit ne e ndiejmë dhe e dallojmë çdokund dhe në çdo gjë? Si mos të dëshmohet me plot gojë, që është Zot i botëve, një qenie që na ka kapluar me mëshirën e Tij të pafund? E pra, edhe falënderimi e lëvdatat i takojnë pikërisht Atij.
Dhe nga ana tjetër, na tërheq vëmendjen me ajetin e radhës: مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ “Sunduesi i Ditës së Gjykimit”. Pra, o njeri, të janë dhënë kaq mirësi. Shpërdorimi i tyre është padrejtësi dhe në ditën e gjykimit do të jepet llogaria e çdo grimce. Mendoje edhe këtë o njeri! Kështu do ta falënderosh dhe lavdërosh Atë, sepse është Sunduesi i Ditës së Gjykimit, është Pronari i Vetëm i xhenetit dhe xhehenemit, i shpërblimit dhe dënimit. Por shikoni mëshirën e Allahut, i Cili përpara se të na paralajmërojë për llogaridhënien, na kujton që Allahu është i Gjithëmëshirshëm, duke na bërë një parapërgatitje emocionale. Pas këtij rikujtimi, hidhini hapat duke menduar që do të gjykoheni një ditë. E pra, kjo është edhe forma e edukimit hyjnor, që njeriun e ngre në gradat e larta moralo-shpirtërorë.
Pasi kemi dalluar mirësitë dhe dhuntitë e Allahut, pasi kemi mësuar se kujt i përket në të vërtetë gjithçka dhe pasi na është diktuar se si duhet të veprojmë në këtë situatë, me gjithë shpirtin dhe qenien tonë, e të vetëdijshëm për pozitën dhe detyrat tona, i drejtohemi Allahut të Madhëruar me përgjërim me fjalët: إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِين “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. E themi në shumës “ne”, sepse e kuptojmë që të vetëm e kemi të pamundur që ta shprehim mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Krijuesit të gjithësisë. Kjo është edukata e myslimanit karshi Zotit të tij. Kush ne? Vetëm ne njerëzit? Jo vetëm njerëzit, por mbarë gjithësia. Njerëzit, xhindët, engjëjt, madje edhe kafshët dhe sendet, përulen me përgjërim përballë Lartmadhërisë së Tij. Sepse Ai është i vetmi që e meriton lartësimin. Pikërisht kjo duhet të jetë vetëdija jonë në namaz.
Nga ana tjetër deklarata “Vetëm Ty të adhurojmë” është e madhe dhe ta kryesh me të vërtetë në formë të përsosur është jashtëzakonisht e vështirë. Kjo mund dhe duhet ta frikësojë besimtarin. Për këtë arsye, në vazhdim, ai mbështetet tek ndihma hyjnore, duke kërkuar ndihmë që kolektivi ta kryejë sa më mirë këtë adhurim me lutjen: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”.
Në të njëjtën kohë, nga të gjitha këto, kuptojmë se “rruga e drejtë” është rruga që Ai dikton, është ajo që Allahu quan “rruga ime” dhe, me përulje, pranojmë faktin që pa ndihmën e Tij, këtë rrugë s’mund ta gjejmë, prandaj e kërkojmë këtë duke thënë اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ “Udhëzona në rrugën e drejtë!” Udhëzona Zot, sepse ne jemi tepër të dobët, ne i ngatërrojmë gjërat shumë lehtë. Udhëzona, sepse po të na braktisësh Ti, mundësia që ne të biem në gabimin e shumë të tjerëve është shumë e lartë. Ekziston mundësia që të biem Në rrugën e atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd dhe që janë të humbur. Disa mund të mendojnë që rruga e drejtë dallohet qartë. Të mos dallosh këtë rrugë gjigande e kaq të gjerë, kaq të zbukuruar e të ndriçuar, është verbëri, por ja që o vëllezër, ka shumë njerëz shumë më të zgjuar se ne të gjithë bashkë, që e kërkojnë diku tjetër hidajetin. Prandaj besimi në Islam, duhet pranuar si një mirësi tjetër, si dhurata më e vyer e Allahut për njeriun, por një dhuratë që duhet kërkuar me ngulm. Po mos ta kërkojmë, ekziston përsëri mundësia e fortë që të devijojmë. Këtë na kujtojnë dy ajetet e fundit ku thuhet: اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ (6) صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلَا الضَّالِّينَ “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”
Kështu finalizohet kjo sure e mrekullueshme, me rrugën e drejtë. Rrugën e atyre që u është dhënë mirësi, është rruga e profetëve, rruga e të devotshmëve, e njerëzve që i janë nënshtruar Allahut me plot vetëdije, e sa bashkudhëtare të mirë që janë këta./insi/