Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

sexhdja e leximit

Sexhde e tilavetit (leximit) quhet sexhdja, që duhet bërë pasi këndohet ose dëgjohet një prej ajeteve të sexhdes, që ndodhen në katërmbëdhjetë ajete të Kuranit Famëlartë. Profeti (a.s) kur ka kënduar një sure, që ka patur ajet sexhdeje, ka bërë sexhde dhe sahabet kanë bërë sexhde bashkë me të.

Profeti (a.s) ka thënë: “Kur njeriu reciton ajetin e sexhdes dhe bën sexhde, shejtani qan dhe ikën që aty, duke thënë: “Mjerë për mua! Njeriu u urdhërua të bëjë sexhde dhe bëri sexhde menjëherë, kështu Xheneti është i tij. Kurse unë u urdhërova të bëj sexhde, por u shmanga, prandaj Xhehenemi është imi!” (Muslim, Iman 35)

Çdo person i konsideruar fetarisht përgjegjës, i cili e këndon ose e dëgjon ajetin e sexhdes, duhet të bëjë sexhde.Bërja e sexhdes së tilavetit, sipas hanefive është vaxhib, kurse sipas tri medhhebeve të tjera është sunet. Personi që nuk e di se mes ajeteve, që po dëgjon ka ajet sexhdeje nuk e ka për obligim të bëjë sexhde.

Ndërkohë, duhet theksuar fakti që kur ajeti i sexhdes lexohet në një gjuhë tjetër veç arabishtes, nuk të ngarkon asnjë përgjegjësi, duke qenë se në aspektin teknik Kuran i Vërtetë konsiderohet vetëm versioni në gjuhën e origjinës.

Bërja e Sexhdes së tilavetit:

Në fillim, personi që do të bëjë sexhden e tilavetit, duhet të jetë i përgatitur si për namaz. Personi kthehet në drejtim të kibles me nijetin për të bërë sexhden e tilavetit, thotë “Allahu Ekber” dhe bie në sexhde. Pasi thotë tre herë “Subhane Rabbijel A’la“, thotë “Allahu Ekber“, ngrihet në këmbë dhe thotë:

سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا ۖ غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ ٱلْمَصِيرُ

(Semi’na ue eta’na gufraneke rabbena ue ilejkel masir), kuptimi i së cilës është: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!”.

Sexhdja e tilavetit mund të bëhet në moment, por nësë nuk është mundësia, atëherë mund të shtyhet edhe për më pas.

Sipas hanefive ajetet e sexhdes kalojnë në këto versete: Araf 7/206; Rad 13/15; Nahl 16/49; Isra 17/107; Merjem 19/58; Haxh 22/18; Furkan 25/60; Neml 27/25; Sexhde 32/15; Fussilet 41/37; Sad 38/24; Nexhm 53/62; Inshikak 84/21; Alak 96/19.

Krahas këtyre kemi edhe Haxh 33/77, që sipas hanefive nuk është ajet sexhdeje, por është sipas medhhebeve të tjerë.

Allahu di gjithçka më së miri!/insi.al/