Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

ETIKA E XHUMASË

يَا اَيُّهَا الَّذينَ اٰمَنُوا اِذَا نُودِيَ لِلصَّلٰوةِ مِنْ يَوْمِ الْجُمُعَةِ فَاسْعَوْا اِلٰى ذِكْرِ اللّٰهِ وَذَرُوا الْبَيْعَ ذٰلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ اِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ

“O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!” (Xhumua, 62/9)

Të nderuar besimtarë dhe besimtare!

Sot është xhuma, dita më e mirë dhe më me bereqet e javës. Sot është ditë gëzimi për besimtarët, ditë në të cilën grumbullohemi së bashku. Xhumaja nga aspekti fetar është sebep për të fituar mëshirën dhe faljen hyjnore, nga aspekti social është një mundësi për të mbajtur gjallë vëllazërinë dhe për ta forcuar atë. Kjo përzierje e cilësive të ditës se xhuma, bën që të gjendemi në një atmosferë shpirtërore ndryshe nga ditët e tjera të javës. Dhe Profeti (a.s) ka thënë kështu për xhumanë: Dita më e mirë në të cilën lind dielli është e xhumaja. Ademi (a.s) u krijua dhe hyri në xhenet në këtë ditë, po ashtu edhe dalja u realizua të xhuma.Pra edhe shkelja për herë të parë e njeriut në tokë ka ndodhur të xhuma. Vijon Profeti (a.s) duke thënë: Edhe dita e kiametit do të ndodhë ditën e xhuma. (Muslim, Xhumua, 18)

Ditët e gëzimit për myslimanët, janë njëkohësisht ditë adhurimi. Vepra më e rëndësishme që mund të kryejmë sot, është falja e namazit të xhumasë. Xhumaja është farz për meshkujt, rrjedhimisht një nga përgjegjësitë më të mëdha, përgjegjësi e nivelit më të lartë. Allahu i Madhëruar na e ka shpallur këtë detyrë nëpërmjet Librit të Tij, pikërisht në suren Xhumua ku thotë:

يَا اَيُّهَا الَّذينَ اٰمَنُوا اِذَا نُودِيَ لِلصَّلٰوةِ مِنْ يَوْمِ الْجُمُعَةِ فَاسْعَوْا اِلٰى ذِكْرِ اللّٰهِ وَذَرُوا الْبَيْعَ ذٰلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ اِنْ كُنْتُمْ تَعْلَمُونَ

Aq me vlerë është për Allahun ky namaz, saqë e ka urdhëruar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Prandaj braktisja e namazit të xhumasë pa kurrfarë shkaku të qenësishëm është gabim i rëndë. Profeti (a.s) na ka tërhequr vëmendjen në këtë formë: Personit që për shkak të indiferentizmit, braktis tre here rresht namazin e xhumasë, i vuloset zemra. (Ibn Mâxhe, Ikâmet, 93)

Çdo besimtar që dëshiron të përfitojë prej bereqetit dhe mirësive të xhumasë, bën përgatitje sipas Sunetit të Profetit Muhamed (a.s). Ai, para se të dalë nga shtëpia, bën pastrimin material dhe shpirtëror, duke u larë dhe duke marrë abdes. Përkujdeset që rroba e tij të jetë e pastër, si dhe në përshtatshmëri me kriteret e nevojshme për faljen e namazit, që janë mbulimi i detyrueshëm i trupit. Siç dihet, pastërtia materiale dhe shpirtërore, si dhe veshja që mbulon pjesë të caktuara të trupit të njeriut, janë prej kushteve jo vetëm të namazit të xhumasë, por edhe të çdo namazi tjetër. Përtej burrave, kjo çështje kërkon një përkujdesje edhe më të madhe tek motrat tona myslimane.

Të përdorësh parfum është sunet i Profetit (a.s), është edhe sunet i xhumasë.

Besimtari që niset për në xhuma, bën kujdes edhe në veprimet e tij. Di që gjendet në xhemat të xhamisë dhe sillet në përshtatshmëri me ambientin. Kur hyn në xhami, nëse s’ka nisur hytbja, përshëndet me selam besimtarët, gjen një vend të përshtatshëm dhe pa shqetësuar të tjerët ulet në vendin e tij. Sajë të respektit ndaj xhumasë, përpiqet të shmangë veprime, që mund tërheqin vëmendjen e të tjerëve dhe merret me adhurime, si këndimi i Kuranit, dhikri apo duaja. Nëse është në 45 minutëshin para ezanit, duhet të ketë parasysh, që është e papëlqyeshme të falesh kur dielli është duke arritur kupolën e qiellit, duke qene se ky ishte një nga momentet që mexhusitë, adhuruesit e zjarrit, i faleshin diellit.

Pasi nis ezani, tashmë çdo vepër tjetër e personave që janë në punët e tyre të përditshme, ndalon. Tregëtia, bisedat e ndryshme, e çfarëdolloj pune tjetër lihet përgjysmë pa shkaktuar dëme dhe besimtari i drejtohet xhamisë. Pas ezanit në ambientet e xhamisë ka vetëm namaz dhe heshtje. Falen sunetet e xhumasë dhe pritet ezani i dytë. Këto momente mund të shfrytëzohen edhe me dua.

Kurse pas ezanit të dytë, nis hytbja e xhumasë. Hytbja është ligjërimi nga minberi drejtuar ymetit. Është këshillë për çdo besimtar, edhe për vetë ligjëruesin. Është thirrje në besim, në njohjen e Allahut, në vlerat e larta islame, në normat e moralit, është thirrje në të vërtetat më të larta, që ekzistojnë.

Hytbja është një prej deyrimeve të xhumasë. Është adhurim, ashtu siç është vetë namazi. Hoxha ka detyrimin ta ligjërojë, xhemati ka detyrimin ta dëgjojë. Prandaj dëgjimi me kujdes i hytbes është vaxhib, pra detyrim fetar. Të merresh me punë të tjera gjatë hytbes, si psh t’i flasësh personit në krah, të luash me telefonin, të merresh me rrobat që ke veshur, etj, do të thotë të largohesh nga hytbja dhe të privohesh prej sevapeve të mëdha që kjo ditë na mundëson një herë në javë. Profeti (a.s) ka thënë: Është e gabuar qoftë t’i thuash “hesht” shokut që po flet gjatë hytbes. (Muslim, Xhumua, 11)

Krahas kësaj, edhe ligjëruesi duhet të bëjë kujdes, që hytbet të mos jenë shumë të gjata, përndryshe pamundësohet përqendrimi i njeriut. Koha maksimale që njeriu mund të qendrojë i përqendurar është rreth 20 minuta. Pastaj, edhe po të përpiqet, e ka të vështirë. Me sa duket, Profeti ynë (a.s) e dinte shumë mirë këtë, duke qenë se hytbet e tij zgjasnin 5 deri në maksimumi 20 minuta.

Për të ruajtur bereqetin e xhumasë nevojitet që gjithkush të kontribuojë me sjelljet e tij, sepse në të kundërt, kjo do të kthehet në një mundësi të humbur. Përqendrimi ynë gjatë xhumasë duhet të jetë vetëm tek adhurimi dhe sidomos tek duaja. Kjo, për arritur dhe një gëzim tjetër që Profeti (a.s) na ka treguar me këto fjalë të bekuara: Ditën e xhuma, ka një moment, ku Allahu pranon çdo gjë që robi atij i kërkon. (Tirmidhî, Xhumua, 2)

Le të bëjmë përpjekje që të marrim sa më shumë dobi nga kjo ditë e bekuar. Të ndjekim me përkushtim udhëzimet e Profetit Muhamed (a.s) dhe të respektojmë vlerat që na mëson Islami. Le ta mbushim zemrën me dashuri për Allahun, për Profetin tonë dhe për njëri-tjetrin. Le të jemi falënderues për mundësinë që na është dhënë të mblidhemi në këtë xhuma, sepse çdo frymëmarrje dhe çdo moment i shpenzuar në adhurim është një thesar për jetën tonë të përjetshme.

Allahu na bëftë prej atyre që e kuptojnë vlerën e kësaj dite, që e falin xhumanë me përkushtim dhe që e mbushin jetën me vepra të mira.
Allahu na dhëntë të gjithëve udhëzim, mëshirë dhe falje!/insi.al/