
Xhindët dhe shejtanët mund t’i shkaktojnë probleme njeriut, por nuk mund të ndikojnë tek çdo njeri. Ata mund të kënë më shumë ndikim tek njerëzit që jetojnë larg adhurimeve.
Besimi në ngjarjet e shkaktuara nga xhindët është shumë e përhapur si dukuri në të gjitha shoqëritë. Ky fenomen nuk është i pranishëm vetëm tek besimi mysliman por edhe në besimet e tjera.
Imam Shibliu shpjegon se xhindët mund të hyjnë në trupin e njeriut dhe t’i shkaktojnë probleme të ndryshme. Ky mendim mbështetet nga dijetarët e Ehl-i Sunnetit, përfshirë Ebu’l-Hasan el-Esh’ariun. Dijetarët e shpjegojnë, duke u mbeshtetur tek ajeti i Sures Bakara, ku thuhet: “Ata që e hanë kamatën nuk ngrehen ndryshe pos siç ngrehet i çmenduri nga të prekurit e shejtanit..” (Bakara, 2:275) Imam Shibliu e përmend këtë ajet si argument që xhindët dhe shejtanët mund të të futen në trupin e njeriut dhe mund te sjellin çregullime në shëndetin e tyre mendor dhe trupor. Imam Shibliu jep një shembull nga Ahmet b. Hanbeli, kur u pyet nga një person se xhindët nuk mund të hyjnë në trupin e njeriut dhe nuk mund t’i shkaktojnë shqetësime atij. Ahmet b. Hanbeli shprehet se është i pamohueshëm fakti se xhindët mund t’i shkaktojnë shqetësime njeriut (Shibli, Misteri i xhindëve, f. 256-257).
Xhindët, më shpesh prekin besimtarin kur janë në gjëndje të papastër (si pa abdes, pa gusl, etj). Çdo gjynah është një derë, që hapet për shejtanët dhe xhindët. Njerëzit më të ndjeshëm ndaj xhindëve dhe shejtanëve, janë ata njerëz që jetojnë një jetë të pakujdesshme ndaj adhurimeve dhe larg atmosferës së duasë.
Profeti (s.a.s) na ka mësuar të bëjmë dua kur hyjmë në vende të pista dhe na ka ndaluar të falemi në vendet ku mund të ndodhen xhindët, siç janë varrezat, vendet e ndotura, tualetet, etj. Profeti (s.a.s) na ka mësuar që kur të hyjmë në tualet të themi “Allahumme inni e’udhu bike minel’hubthi uel’habaith” (O Allah, unë kërkoj mbrojtjen tënde nga djajtë dhe xhindët e ndytë), dhe na ka urdhëruar të bëjmë dua në çdo gjendje që ndodhemi. Ai na ka shpjeguar të formojmë me lutje një atmosferë mbrojtëse dhe të qëndrojmë larg vendeve të ndotura dhe ndikimit të tyre.
Për këtë arsye kushdo që dëshiron të jetë i sigurt dhe i mbrojtur nga shqtësimet që mund t’i vijnë prej xhindëve dhe shejtanëve, duhet të shmangë dhe largohet prej papastërtive materiale dhe shpirtërore.
Allahu di gjithçka më së miri!/insi.al/