Të themi që në krye se dijetarët janë të ndarë në lidhje me këtë çështje, por shumica dërrmuese e tyre anojnë në mendimin që leximi i Kuranit për të vdekurit lejohet, sevapi i këtij leximi mund t’i dhurohet të vdekurve dhe ata mund ta dëgjojnë këndimin e Kuranit prej lexuesve.
Hanefitë, hanbelitë dhe një pjesë e malikive janë të mendimit që lejohet. Kurse shumica e malikive dhe shafiitë janë të mendimit që vetëm adhurimet materiale mund të dhurohen. Megjithatë dijetarët e mëpasshëm i janë bashkuar mendimit që kjo lejohet. Ndërkohë që selefitë bashkëkohorë janë rreptësisht kundër kësaj praktike.
Në disa hadithe, ka transmetime nga Profeti ynë (a.s) për leximin e sures Jasin për të vdekurit (Ebu Daud, Xhenaiz, 4; Ibn Maxhe, Xhenaiz, 4). Mirëpo, në librat autentikë të hadithit shihet se kjo çështje nuk është trajtuar shumë nga Profeti ynë (a.s). Si detyrë ndaj të vdekurve, Profeti ynë (a.s) kryesisht i vizitonte ata, përshëndeste të vdekurit që gjendeshin të varrosur në varreza, kërkonte falje për ta (istigfar) dhe lutej për ta. Për shembull, Profeti ynë (a.s) gjithmonë e bënte këtë lutje kur vizitonte varret:
“Es-Selamu alejkum, dâra kaumin mu’minîn. Ue innâ inshâAllahu bikum lahikun. Gaferallâhu lî ue lekum exhma’în: O banorë të varrit të muslimanëve, paqja e Allahut qoftë mbi ju. Edhe ne do të bashkohemi me ju. Zoti na faltë ju dhe ne.”
Në këtë aspekt kërkimi i faljes dhe lutjet për ta janë ndër veprat më të mira që mund të bëjmë për të vdekurit myslimanë.
Në lidhje me qasjet e medhhebeve po japim sqarimet e mëposhtme:
Në Medhhebin Hanefi lejohet leximi i Kuranit për të vdekurit, qoftë në varr apo në vende të tjera. Hanefitë pranojnë se nëse dhurohet shpërblimi i leximit të Kuranit, ai do t’i arrijë të vdekurit. (Ibn Nuxhejm, el-Bahru’r-Raik, III/63; Mejdani, el-Lubab, I/38; Ibn Abidin, Raddu’l-Muhtar, I/844)
Hanefitë e argumentojnë kështu qasjen e tyre:
- Profeti ynë (a.s) bëri kurban në emër të umetit të tij,
- Hadithi që tregon se surja Jasin mund të këndohet për të vdekurit,
- Hadithet që tregojnë se pelegrinazhi dhe lëmosha e dhuruar në emër të të vdekurve do tu bëjnë dobi,
- Hadithet që tregojnë se surja Jasin dhe Ihlas mund të lexohen në varre.
Pavarësisht se në Medhhebin Shafii qëndrohet më shumë mbi dhurimin e sevapit prej adhurimeve materiale, Imam Neueui citon këto fjalë të Imam Shafiut: Rekomandohet që vizitorët të lexojnë një pjesë nga Kurani në varr. Do të ishte më mirë të lexonin të gjithë Kuranin. (en-Neueui, el-Edhkar, f. 137)
Sa i përket Medhhebit Maliki, ka dy pikëpamje. Imam Maliku është i mendimit se Kurani nuk duhet t’u lexohet të vdekurve. Por dijetarët e mëvonshëm të këtij medhhebi si Imam Kurtubi, veçanërisht juristët andaluzianë, janë të mendimit se Kurani mund tu lexohet të vdekurve dhe shpërblimet e tij do të arrijnë tek ta. (Kurtubi, et-Tedhkira, I/96) Kurtubiu shton: Shpërblimi i dhuruar për të vdekurit pas leximit të Kuranit i arrin atyre. Sepse Kurani është lutje, falje dhe kërkesë. (Kurtubi, et-Tedhkira, I/103)
Ahmed Ibn Hanbel thotë: Kur të hyni në varreza, lexoni Ajetin Kursi dhe suren Ihlas tri herë dhe lutuni si vijon: O Allah, dhuroja shpërblimin banorëve të këtij varri. (Ibn Kudame, el-Mugni, II/424)
Edhe Ibn Tejmije ka përzgjedhur këtë mendim. (Ibn Tejmije, Mexhmuatu’l-fetaua, XXIV/366 dhe XXIV/323) https://www.islamweb.net/ar/library/content/22/3163/فصل-وصول-ثواب-العبادات-المالية-للميت)
Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/