Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Lyerja e flokeve

Të qenit i pastër, i rregullt dhe i pashëm është ndër gjërat e rekomanduara nga feja jonë. Në lidhje me flokët, Profeti ynë (a.s) thotë: “Kush ka flokë le ta nderojë atë” (Ebu Daud, Teraxhxhul, 3). Nderimi nënkupton pastrimin e flokëve, krehjen e tyre, apo aplikimin e vajit dhe aromës, me pak fjalë, të zbukurosh flokët. Në këtë kontekst, kujdesi për flokët, mjekrën dhe mustaqet duhet të vlerësohet. Pastrimi, larja, aromatizimi, krehja dhe lyerja e flokëve është ndër çështjet e inkurajuara nga Profeti (a.s) (Shiko: Buhari, Ehadithu’l-enbija, 50; Libas, 67; Muslim, Libas, 80). Prandaj, flokët, mjekra dhe mustaqet mund të lyhen pa synimin për të mashtruar të tjerët (Mubarekfuri, Tuhfetu’l-ahuedhi, 5/353-361).

Edhe pse mashkullit i lejohet t’i lyejë flokët me ngjyra të tjera përveç të zezës, si p.sh. me këna, konsiderohet mekruh (e papëlqyeshme) lyerja e flokëve me të zezë. Në ditën e çlirimit të Mekës, Profeti (a.s) ka thënë: “Ndryshojeni ngjyrën e këtij floku të bardhë dhe shmangni të zezën” (Muslim, Libas, 79).

Megjithatë, nëse personi i thinjur është i ri në moshë nuk ka problem që t’i lyejë edhe me të zezë. Sepse në këtë rast flokët e lyer me ngjyrë të zezë do të kthehen në gjendjen e tyre natyrale.

Ndërkohë për gratë nuk ka asnjë kufizim. Çështja që duhet pasur parasysh është që femra të mos ua tregojë flokët meshkujve të huaj.

Duhet pasur parasysh që boja të përbëhet nga materiale të pastra. Nuk duhet të përmbajë substanca që janë në thelb të papastra në aspektin fetar. Në të njëjtën kohë, boja nuk duhet të formojë një shtresë në flokë, përndryshe pengon abdesin. Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/