Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

poligamia

Islami në tërësi ka disa rregulla të pandryshueshme. Megjithatë, nëse zbatimi i një rregulli ose dispozite, shfaq rezultate të panatyrshme për një shoqëri të caktuar, është e mundur të ndalohet nëpërmjet vetë myslimanëve ose përfaqësuesve të tyre juridik.

Kjo nuk do të thotë që ndryshon dispozitën që ka përcaktuar Allahu, sepse nuk kthen në haram diçka që është hallall. Por do të thotë, që pasi është identifikuar dobia dhe dëmi i një veprimi dhe si rezultat del, që ai veprim sjell më tepër dëme, atëherë ndiqet një rrugë e shëndetshme për të bërë më të mirën. Sepse disa të drejta individuale mund të limitohen për të mirën kolektive. Kjo është një praktikë e shquar në historinë e jurisprudencës islame.

Nisur nga kjo, Islami e lejon poligaminë të kufizuar në katër. Por duke qenë se martesa është formimi i një familjeje dhe feja kërkon që kjo qelizë të jetë shumë e shëndoshë, orientuese në aplikimin e poligamisë janë zakonet vendase të një shoqërie të caktuar. Në rast se në një shoqëri, martesa e dytë është e papranueshme, dëmton ndjenjat e bashkëshortes së parë si dhe martesa e dytë mund të shkatërrojë familjen eksiztente, atëherë poligamia nuk duhet aplikuar. Sepse familja është një institucion që ka të bëjë me të tërë shoqërinë dhe jo vetëm me dy persona. Kështu që martesa nuk mund të konceptohet e pavarur nga shoqëria ku jeton.

Në rastin e Shqipërisë poligamia mund të shikohet në dy këndvështrime, nga aspekti shoqëror dhe ligjor. Poligamia është ndaluar në vitin 1928 me ligj. Por aktualisht shoqëria shqiptare e refuzon poligaminë. Ndërsa nga aspekti juridik në Shqipëri ligji njeh vetëm martesën me një grua. Në këtë aspekt një martesë e dytë, e bazuar vetëm në terma fetare, nuk siguron të drejtat ligjore të bashkëshortes së dytë. Kështu që poligamia në Shqipëri nuk këshillohet. Në rast të ndryshimit të kushteve, atëherë rishikohet edhe qasja e duhur.

Allahu di gjithçka më së miri!/insi.al/