Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Së pari, Kurani i shkruar në fletë në formatin e një libri është quajtur mus’haf. Së dyti, Allahu (xh.xh) është shprehur kështu në Kuranin Famëlartë: “Askush nuk mund ta prekë atë (Kuranin) përveç atyre që janë të pastër (abdes)” (Uakia, 56/79). Profeti (a.s) në letrën që i ka dërguar Amr b. Hazmit (r.a) ka cituar: “Kuranin ta prekin vetëm të pastërtit” (Malik, Muvatta) Nisur nga ky ajet juristët kanë arritur në konkluzionin, që mus’hafin nuk mund ta prekë askush pa abdesin e vogël. Në anën tjetër, leximi i Kuranit pa abdes nga libri por pa e prekur apo përmendësh lejohet. Kurse në mungesë të abdesit të madh (guslit), asnjë nga këto vepra nuk mund të kryhet.

Nga kjo nënkuptohet që prekja pa abdes e mus’hafit apo një pjese të mus’hafit është e ndaluar. Në anën tjetër, nisur nga fakti që telefoni, tableti, kompjuteri apo televizori nuk konsiderohen mus’hafe, juristët bashkëkohorë kanë konkluduar në gjykimin se lejohet leximi i Kuranit prej telefonit pa abdes, si dhe lejohet gjithashtu prekja e ekranit të tij, në momentin që gjendet një faqe Kurani e hapur.

Megjithatë, besimtari duhet ta bëjë pjesë të jetës së tij leximin e Kuranit me abdes.