Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Adhurim

Në terminologjinë fetare adhurimi është përulja dhe bindja me vetëdije ndaj Allahut si dhe veprimi dhe sjellja me objektiv kënaqësinë e Zotit dhe që Zoti është i kënaqur prej tij. Kjo veprimtari dhe sjellje përfshin dëshminë e besimit, ritet fetare, aktivitetin kontribues në cdo nivel, dhe cdo përpjekje të brendëshme apo të jashtme (të mendimit apo aksionit) që ka si synim kënaqësinë e Allahut.

Kur’ani e përmend adhurimin si arsye të krijimit të njerëzve dhe xhindëve: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë” (Dharijat, 51/56).

 Ndërkaq, nga njëra anë adhurim është të përmendësh shpesh dëshminë “La ilahe il’lallah,” të falësh namaz, të agjërosh e të shkosh në haxh etj. Nga ana tjetër edhe punë të tjera si leximi, mësimi, sigurimi i drejtësisë janë adhurim. Njeriu që punon që të ushqejë familjen me fitim hallall, njerëzit që shkojnë mirë me njëri-tjetrin, gjithashtu, bëjnë një lloj adhurimi.

Sikurse është adhurim që njeriu të falënderojë me rite, përmendje të Zotit dhe falënderime për të gjitha mirësitë që përfton si shëndeti, mirëqënia dhe kënaqësitë e kësaj bote, gjithashtu, megjithëse nuk kërkohet, atij i hapet një derë e madhe adhurimi kur goditet nga fatkeqësi ose sëmundjet, sepse njeriu kupton dobësinë, nevojën dhe paaftësinë e tij, dhe duke u kthyer nga Krijuesi Mëshirëplotë, kërkon strehim te Ai, i lutet Atij, dhe kryen kështu një adhurim të pastër ku nuk futet hipokrizia.

Përulja përpara Allahut është heqje dore prej përuljes përpara gjithçkaje të krijuar, është kusht për ta ruajtur veten të papërlyer prej mëkatit, për të qenë njeri fisnik, i lumtur dhe në harmoni shpirtërore me veten e me të tjerët. Për këtë qëllim u krijua njeriu, dhe ky është detyrimi i tij më i madh që ka në jetë. T’i përulesh Allahut dhe të plotësosh të gjitha porositë e tij është e domosdoshme, sepse njeriu e ka të palarë borxhin që i ka Atij. Pra, është një mënyrë e shprehjes së mirënjohjes Zotit, që e lartësoi njeriun mbi shumë krijesa të tjera dhe tërë kohën i dhuron atij të mira. Se Mëshira dhe Mëshirëbërja e Zotit nuk ka fund, Urtësia e Tij është e pashoqe, kurse vetitë që e karakterizojnë Atë janë aq të përsosura, saqë Ai me të vërtetë e meriton përuljen dhe dashurinë e qenieve të gjalla.

Forma dhe mënyra e disa adhurimeve janë të përcaktuara me ajete Kur’anore dhe hadithe profetike, ndërsa disa të tjera janë shpjeguar në përgjithësi si vepra të mira. Ato kryhen sikurse janë urdhëruar dhe quhen taabudi (çështje adhurimore), si psh. mënyra e faljes së namazit, numri i rekateve, etj,.  Me gjithë urtësitë dhe sekretin që mbart forma dhe mënyra e kryerjes së adhurimeve specifike thelbi i cdo adhurimi është sinqeriteti, dhe me adhurim synohet devotshmëria ndaj Krijuesit, sikurse përmendet në ajetin:

“Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit” (Bekara, 2/177).

Ne e adhurojmë Allahun sepse e duam. Me anë të adhurimeve, i shprehim Atij besimin, dashurinë, respektin që ndiejmë për Të dhe për të përmbushur detyrën tonë si rob të Tij. Adhurimi i jep njeriut ndjenjën e sigurisë dhe e bën të ndihet mirë.

Duhet theksuar se Allahu nuk ka nevojë për adhurimin e njeriut. Dobi nga kryerja e rregullt dhe e pastër e adhurimit ka vetë njeriu. Kurse në qoftë se njeriu nuk e plotëson detyrën që ka, atëherë ai dëmton veten e tij, e nuk i sjell asnjë dëm Allahut. Se Zoti e krijoi botën jo se kishte nevojë për engjëjt apo për njerëzit, nuk e krijoi as sepse e rëndonte vetmia. Ai vetëm se i fali mëshirë gjithçkaje që krijoi dhe që sot ekziston. Janë mëshira dhe dashuria e Tij ato që e shtyjnë t’u tregojë rrugën e drejtë krijesave të Tij, të cilat e kanë për detyrë që të synojnë në jetë drejtësinë dhe ta ruajnë me përkushtim rendin hyjnor në mbarë gjithësinë.

Ne e adhurojmë Allahun, sepse Ai është Allahu dhe e meriton adhurimi më të sinqertë. E adhurojmë si falënderim për çka na ka dhënë. Kurse shpërblimi në xhenet nuk është fryt i adhurimeve tona, por është Mëshira dhe mirësia e pafundme e Allahut, që e ka shumë përzemër bamirësinë.

Kështu mund të themi se nëse adhuruesit do t’i kategorizonim në tri grada, në gradën e tretë gjenden ata të cilët e adhurojnë Allahun për shkak të frikës ndaj xhehenemit dhe dëshirës për xhenet, në të tretën gjenden ata të cilët e adhurojnë Allahun për shkak se Ai ka urdhëruar dhe në gradën më të lartë gjenden  personat, të cilët i bëjnë Adhurim Allahut vetëm sepse Ai kështu dëshiron dhe se ky është pëlqimi i Tij. Kjo nuk do të thotë që besimtari nuk do kërkojë prej të Madhit Zot që ta ruajë nga dënimi në xhehenem dhe ta vendosë në xhenet, por është shprehja e gjendjes shpirtërore deri ku personi mund të arrijë me anë të adhurimit.

Adhurimi është një formë falënderimi ndaj mirësive të Allahut. Mes gjithë mirësive të Zotit, jeta është pa dyshim, mirësia më e madhe. Përsa kohë të jetë gjallë, njeriu duhet të bëjë adhurim si përgjigje ndaj kësaj mirësie. Në Kur’an thuhet: “Adhuroje Zotin tënd gjersa të të vijë vdekja” (Hixhr, 15/99).

Adhurimet tona si myslimanë mund t’i ndajmë në tre grupe:

– Adhurimet trupore. Janë adhurimet e bëra me trup si namazi dhe agjërimi.

– Adhurimet pasurore. Janë adhurimet e bëra me para dhe sende pasurie si sadakaja, zekati, kurbani.

– Adhurime edhe trupore edhe pasurore. Janë adhurimet e bëra edhe me trup edhe me pasuri si haxhi, umreja, etj.

Pavarësisht kësaj ndarjeje, në përgjithësi adhurimet janë të ndërfutura tek njëratjetra. Përshembull zekati mund të cilësohet si një adhurim pasuror, por derisa njeriu të vijë në gjendje të japë zekatin ai i hyn shumë përpjekjeve edhe trupore.

Kuptimi i adhurimit është që robi të shikojë e ndjejë gabimet, nevojat, pafuqinë dhe varfërinë e tij dhe në praninë Hyjnore të përulet me dashuri të pastër dhe me mahnitje e vlerësim përpara plotësisë, mëshirës dhe fuqisë Hyjnore.

 Më poshtë do të rendisim përkufizimet e terminologjisë që do të na duhet për të kuptuar si duhet adhurimet, përgatitjen që duhet për disa adhurime si dhe do të shpjegojmë me radhë adhurimet kryesore, të cilat janë dhe shtylla të fesë islame, namazin, agjërimin, zekatin dhe haxhin./insi.al/