Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Lindja e Krenarise se Njerezimit

Të nderuar besimtarë e besimtare!

Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:

لَقَدْ مَنَّ اللَّهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِنْ أَنْفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ

Një botë sterrë e zezë e mbarsur me dritë… Në horizont, jehona mbushur plot sihariqe për kohën e shkurtër të mbetur gjer në shfaqjen e të shumëpriturit… Aq i madh është ndikimi i tij nëpër ndërgjegje, sa shumë mekas tregojnë vazhdimisht për Profetin e Fundit që do të vijë. Dhe një porosi: “Sapo të shfaqet, vraponi për tek ai dhe bëhuni një me shpirtin e tij!”

Ai e kishte të përcaktuar rrugën e tij: do të kalonte nëpër brezin e artë që përçohej nga Hz. Ibrahimi te Ismaili dhe, pastaj, nga Abdulmuttalibi te Abdullahu dhe zemrat prisnin dritën që do të vinte përmes këtij drejtimi.

Ngjarjet që kishin ndodhur e ndodhnin, për ardhjen e tij lajmëronin, kurse dendësimi i errësirës fliste për afrimin e agimit që do ta griste errësirën.

Njerëzimi i asaj dite ishte i privuar nga ideali dhe qëllimi që i japin kuptim jetës. E gjithë vepra njerëzore ishte …كَسَرَابٍ بِقِيعَةٍ يَحْسَبُهُ الظَّمْآنُ مَاءً، حَتَّى إِذَا جَاءَهُ لَمْ يَجِدْهُ شَيْئًا…  “si ndjekja e një iluzioni optik në shkretëtirë. I eturi e pandeh për ujë atë, por, kur arrin në vend, nuk gjen gjë…” (Nur: 39)

Edhe ndjenjat, mendimet dhe sjelljet e njerëzve nuk ndryshonin shumë nga kjo. Ato ishin … كَظُلُمَاتٍ فِي بَحْرٍ لُجِّيٍّ يَغْشَاهُ مَوْجٌ مِنْ فَوْقِهِ مَوْجٌ مِنْ فَوْقِهِ سَحَابٌ، ظُلُمَاتٌ بَعْضُهَا فَوْقَ بَعْضٍ، إِذَا أَخْرَجَ يَدَهُ لَمْ يَكَدْ يَرَاهَ… “si errësira e dendur në një det të gjerë ku njerëzimin e kishin mbuluar dallgë mbi dallgë e sipër tyre re aq sa, po të nxirrte dorën jashtë, edhe atë nuk do ta shihte dot!” (Nur: 40)

Emri i asaj periudhe është Injorancë. Por jo një injorancë si antonim i dijes; ajo ishte një injorancë – sinonim i mohimit dhe herezisë, që janë antonime të besimit.

Ardhja e tij është për çdo njeri favori më i madh dhe mirësia më e gjerë e Zotit. Dhe këtë, na e thotë vetë Zoti ynë: لَقَدْ مَنَّ اللَّهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِنْ أَنْفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ… “Allahu u ka bërë një favor të madh besimtarëve duke u dërguar nga mesi i tyre një pejgamber që t’u lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë (nga të këqijat, nga mëkatet) dhe t’ua mësojë Librin dhe urtësitë” (Al Imran: 164).

I paralajmëruari

Lutja e Ibrahimit (as), sihariqi i Isait (as)

Një ditë, njëri prej pasuesve i thotë Profetit: “O i Dërguari i Allahut, a nuk po na flet pak për veten?” Në një pjesë të përgjigjes së vet, Profeti shprehet kështu: “Unë jam lutja e Ibrahimit dhe sihariqi i Isait!”

1) Ibrahimi (a.s), duke ndjekur urdhërin e të Madhit Zot do të vinte në luginën e Bekës së bashku me bashkëshorten Haxhirenë dhe të birin aq të dashur Ismailin, i cili atëherë ishte tepër  i vogël. E përsëri me urdhër të Allahut do të largohej prej aty duke i braktisur nënë e bir në mes të shkretëtirës pa pikën e ujit. Por ata ishin njerëz të dorëzuar e të bindur ndaj Allahut dhe e dinin, që Ai nuk i kishte sjellë më kot në një vend të atillë. Haxhireja nis të vrapojë nga një kodër në tjetrën për të kërkuar ujë dhe herë pas here kthente sytë tek i biri. Pasi e bëri disa herë ik e hajde nga një majë në tjetrën, një lëvizje e fëmijës i tërheq vëmendjen dhe vrapon tek ai. Kur ç’të shihte, në mes të shkretëtirës nis të burojë ujë me bollëk. Kjo ishte një shenjë e qartë për shenjtërinë e atij vendi.

E pikërisht aty në mes të maleve Faran nis një jetë e re. Qyteza që mori jetë me ujin e zemzemit u kthye tanimë në një qytezë të begatë, fole e njerëzish të begatë.

Ku ta dinte Haxhireja që aty po përgatitej ardhja e Zotërisë së njerëzimit, s’kishte nga ta dinte që vrapi i saj nga një kodër në tjetrën do të ishte rrugë e haxhinjve nga Safa në Merve, nuk kishte nga ta dinte që me atë zemzem do të freskohej e do të merrte abdest Krenaria e njerëzimit. Dhe kështu lutja e Ibrahimit (a.s) plotësohet: رَبَّنَا وَابْعَثْ فِيهِمْ رَسُولًا مِنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِكَ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَيُزَكِّيهِمْ إِنَّكَ أَنْتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ “Zoti ynë! Dërgoju një përfaqësues nga mesi i tyre që t’u lexojë ajetet e Tua, t’u mësojë Librin dhe urtësinë e t’i pastrojë (prej idhujtarisë). Ti je i Dituri, Sovrani.” (Bakara: 129)

2) Kurse Isai (a.s) i tregonte kështu popullit të tij: وَإِذْ قَالَ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ يَا بَنِي إِسْرَائِيلَ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ مُصَدِّقًا لِمَا بَيْنَ يَدَيَّ مِنَ التَّوْرَاةِ وَمُبَشِّرًا بِرَسُولٍ يَأْتِي مِنْ بَعْدِي اسْمُهُ أَحْمَدُ فَلَمَّا جَاءَهُمْ بِالْبَيِّنَاتِ قَالُوا هَذَا سِحْرٌ مُبِينٌ “Kujto se Isai, biri i Merjemes tha: “O të bijtë e Izraelit! Unë jam i dërguari i Allahut tek ju, jam vërtetues i Teuratit(i) të dërguar para meje dhe përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed.” Dhe kur ai u paraqiti argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është një magji e hapët!” (Saff: 6)

Të gjithë flisnin për ardhjen e tij

Librat e shënjtë paralajmëronin ardhjen e një njeriu të veçantë

Ungjilli tregonte: “Mesihu tha: Unë po shkoj te Zoti im dhe juaji gjersa të dërgojë tek ju Faraklitin i cili do të sjellë Interpretimin”.

Kështu Zejd b. Amri do të jepte jetë duke kërkuar për Të, Kus b. Saide do të mërgonte drejt botës tjetër duke kërkuar po Atë, në çdo panair që shkonte përmendte emrin e të Dërguarit të Fundit (a.s), Mekasit do të dëgjonin po emrin e tij në klithmat e Uaraka b. Neufelit. Dhe kjo pritje nuk zgjati shumë. Më 20 prill 571, ose 12 rabiul euuel ditën e hënë Ai shndriti më fortë se dielli. Muhammed thotë e jëma Emine, Muhammed  e quajta, që të jetë i lartësuar si në qiej edhe në tokë. Dhe i lartësuar u bë emri i tij si në qiej edhe në tokë إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا thotë Allahu. Kështu lartësohen salavatet vetëm e vetëm për Profetin Ahmed Muhammed Mustafa (alejhi ekmeluttehaja uetteslimat)

Bajramet janë festa të pasura e të begatshme, shprehje të afrimit te Zoti, shprehje të ndarjes me të tjerët të gëzimit të jetës. Por është edhe një festë tjetër që konsiderohet festa e të gjithë njerëzimit, madje e të gjithë qenies, së bashku me njerëz e xhindë, dita kur i Dërguari i Allahut na nderoi duke denjuar të vijë mes nesh, është Ditëlindja Muhamediane. Me fjalë të tjera, është dita kur Zoti, Dritën që e krijoi në cilësinë e një dielli, e zbriti si një kandil në qiellin e njerëzimit. Po, në saje të asaj Drite, të gjitha errësirat e injorancës u grisën dhe gjithësia u përfshi nga ndriçimi. Dhe kjo është ndihma më e madhe dhe favori më i madh i Zotit, Dritë për xhindët e për njerëzit! Një Dritë e Pashuar për gjithësinë!

Allahu na bëftë pasues të denjë të Profetit (s.a.s.)!/insi.al/