Të nderuar besimtarë e besimtare!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
كُلُّ نَفْسٍ ذَائِقَةُ الْمَوْتِ وَنَبْلُوكُمْ بِالشَّرِّ وَالْخَيْرِ فِتْنَةً وَاِلَيْنَا تُرْجَعُونَ
“Çdo qenie do ta shijojë vdekjen. Ne ju sprovojmë me të mirë e të keqe. Por në fund do të ktheheni tek ne”.
(Enbija, 21:35)
Ahiret do të thotë “e fundit, e ardhura më pas, dita e fundit”, kurse në terminologji përfaqëson etapën e fundit të jetës së njeriut me ardhjen e vdekjes, më pas ditës së kiametit dhe përfundimin në parajsë ose ferr.
وَلَـْلاٰخِرَةُ خَيْرٌ لَكَ مِنَ …
“Ahireti është më i mirë se dynjaja”. (Duha, 93:4)
Pas besimit në Zot, çka e bën njeriun më të rregullt në jetën e tij, është besimi në jetën pas vdekjes. Shumë vështirë që kush i beson llogaridhënies në jetën e përtejme, të jetojë joparimor, duke shpërfillur besimin e vet.
Në një ajet Allahu i Madhëruar shprehet kështu:
وَمَا تَكُونُ فِي شَأْنٍ وَمَا تَتْلُو مِنْهُ مِنْ قُرْآنٍ وَلَا تَعْمَلُونَ مِنْ عَمَلٍ إِلَّا كُنَّا عَلَيْكُمْ شُهُودًا إِذْ تُفِيضُونَ فِيهِ وَمَا يَعْزُبُ عَنْ رَبِّكَ مِنْ مِثْقَالِ ذَرَّةٍ فِي الْأَرْضِ وَلَا فِي السَّمَاءِ وَلَا أَصْغَرَ مِنْ ذَلِكَ وَلَا أَكْبَرَ إِلَّا فِي كِتَابٍ مُبِينٍ
Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë. (Junus, 10:61)
Atëherë çdo gjë regjistrohet, e madhe apo e vogël, qoftë kjo edhe e vepruar në fshehtësi. Do të vijë dita e do të paraqiten porsi një film përpara nesh, ose ndoshta edhe përpara githë njerëzisë. Dhe atje do t’na vijë turp për çdo gjë që kemi thënë prapa shpinës së dikujt, për çdo të hollë që kemi vjedhur duke i hequr bukën e gojës dikujt tjetër, për çdo tradhti të kryer ndaj njerëzve që na kanë besuar, etj. Do të thuhet “i nderuar imam, bëre thirrje për xhuma, mblodhe para për një nevojë të xhamisë, të mbështetën deri në fun, a shkoi e tërë kjo sasi për nevojat e xhamisë apo jo?” Nëse po, atëherë njeriu që jeton me këtë ndërgjegjje është i drejtë. Shoqëria të cilën formojnë këta njerëz është e drejtë.
Të imagjinojmë një shoqëri ku nuk ka vjedhje, shkelje ligji, gënjeshtra, tradhti bashkëshortore, ka vetëm respekt, mirëkuptim, besnikëri dhe besueshmëri. Kjo do të thotë një familje e shëndoshë, e cila sjell një shoqëri të shëndoshë. Çka tregon edhe eksperienca është se vetëm një mënyrë mund ta bëjë njeriun të braktisë marrëzine dhe çkufizimin: Besimi në jetën pas vdekjes.
Nëse dëshirojmë që tek çdo njeri të kemi një besim të thellë, aq sa t’i thuhet çdokujt “vepro si të dëshirosh”, atëherë kjo ka vetëm një zgjidhje: “Besimi në botën e përtejme”. Ai do të shërbejë si një rregullator edhe për këtë jete, edhe për atë të përtejmen për çdo person.
Besimi ynë konsiston në bindjen e plotë, që çdo vepër e njeriut, pozitive apo negative, qoftë edhe sa një grimce a sa një atom, do të vendoset në peshoren e vlerësimit të atij personi. Patjetër që njeriu me këtë besim do të ketë kujdes për çdo gjë që vepron, për çdo gjë që flet, për çdo gjë që shikon e për çdo gjë që dëgjon.
Rinia është etapa më aktive e jetës së njeriut. Ajo është gjithashtu shtresa, e cila ka potencialin për të qenë më problematike. Nëse një djalë i ri mendon se do të vijë dita dhe do të japë llogari për çfarë ka bërë, në jetën e tij, ndonjëherë edhe të çoroditur, do të gjejë vend qetësia.
Një ditë Omeri (r.a) ishte duke shkuar në xhami për namazin e sabahut, kur papritmas e kalon një djalosh ende i vogël, i cili nuk e kishte detyrim faljen e namazit. E pyet Omeri (r.a) se për ku ishte drejtuar me kaq vrull dhe ai i përgjigjet se po vraponte për në namaz. Por ti nuk e ke ende detyrim atë, – i thotë Omeri (r.a). Po, por nga ta di unë se nuk do të vdes që nesër. Deri dje kisha një shokun tim bashkëmoshatar, por ai para disa ditësh vdiq. Po sikur të dves edhe unë pa u falur asnjëherë e t’më kërkojë Allahu llogarinë e këtyre ditëve të kaluara vetëm duke luajtur? – pyeti fëmija, duke shtangur Omerin e Madh.
Ky fëmijë që vrapon në xhami për shkak se i frikësohet llogarisë në botën e përtejme, në të njëjtën kohë nuk vjedh, nuk mashtron, nuk vret, qëndron larg çdo ligësie, ka respekt ndaj prindërve dhe çdo njeriu. Ai ka një jetë të konsoliduar me vlerat më të larta morale.
Sigurisht, kjo nuk është çështje frikësimi, por çështje edukimi. Këtu bëhet fjalë për dhënien e llogarisë për çdo vepër që bëjmë. Kjo e ndërgjegjëson njeriun dhe patjetër që me anë të shpjegimeve e shembujve të mirë do të bëhet më e kuptueshme dhe e praktikueshme.
Allahu mos na ndaftë nga e drejat e nga besimi!/insi.al/