
Është fakt i njohur se Profeti (a.s) ka agjëruar shumë në dy muajt para Ramazanit dhe ka këshilluar që të veprohet kështu. Ndërkohë, në lidhje me një ose dy ditë para nisjes së muajit Ramazan ka thënë: “Mos e prisni Ramazanin duke agjëruar një ose dy ditë më parë. Nëse personi agjëron këto ditë, sepse është zakon i tij, le të agjërojë.” (Buhari, Saum, 14; Muslim, Sijam, 21)
Kështu, dita para nisjes së Ramazanit është quajtur jeum shek (dita e dyshimtë), sepse hyrja e muajit përcaktohet nga shikimi i hënës. Kjo shpeshherë ka bërë që persona të ndryshëm të vijnë me konstatime të ndryshme. Disa kanë thënë që Ramazani nis të nesërmen e të tjerë që nis pas dy ditësh. Kriteri është që Ramazani nis sipas përcaktimit të autoritetit fetar lokal. Por disa njerëz mund të kenë mendimin që të agjërojnë një ditë më parë në mënyrë që mos të kenë dyshime se e kanë kapur nisjen e Ramazanit. Pikërisht këtë e ka ndaluar Profeti (a.s), përveç nëse ky agjërim përkon në një ditë që personi e ka pasur zakon të agjërojë, siç janë agjërimet sunet, të hënë e të enjte.
Allahu di gjithçka më së miri!/insi.al/