Sadakaja e fitrit, ndryshe thënë “Sadakatu’l-fitr” ose “zekatu’l-fitr” është një adhurim material, të cilin e kanë detyrim myslimanët që zotërojnë pasuri në nivel të nisabit, si dhe personat që kanë dikë nën kujdestari të tyre e që e arrijnë Bajramin e Ramazanit. Si dispozitë islame, sadakaja e fitrit është e kategorisë së detyrimit/vaxhib. Por sipas Hanefive vaxhib e kanë vetëm ata të cilët plotësojnë kriterin e nisabit. Thënë më thjeshtë, kushka detyrim zekatin ka detyrim edhe sadakanë e fitrit. Sipas medhhebeve të tjerë praktikisht e ka detyrim çdo mysliman që zotëron sasinë e kësaj sadakaje përveç nevojave bazike të familjes.
Abdullah Ibn Omeri (r.a) tregon:
“Profeti (a.s) e ka caktuar për detyrim sadakanë e fitrit për ramazan një sa’ (masë matjeje ushqimi) hurma, ose një sa’ elb për person të lirë apo skllav, mashkull apo femër nga myslimanët!”
Ngjashëm me këtë, Ibn Abasi (r.a) transmeton hadithin e Profetit (a.s), në të cilin ka thënë:
“Profeti (a.s) e bëri detyrim zekatin e fitrit, pastrim për agjëruesin për fjalët e pahijshme dhe ushqim për të varfrit, prandaj kush e jep para namazit (të Bajramit) ajo është sadaka e pranuar, e kush e jep pas namazit, konsiderohet një sadaka çfarëdo!” (Ebu Daudi)
Në një hadith tjetër thuhet kështu: “Jepeni sadakanë e fitrit për njerëzit për të cilët kujdeseni”.
Sadakaja e fitrit është bërë detyrim vitin e dytë të Hixhretit, atëherë kur është bërë farz agjërimi i muajit të Ramazanit.
Kjo dhënie e detyrueshme e myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit është një adhurim përmes të cilit myslimani i afrohet Allahut (xh.sh). Me të falënderon Krijuesin e Lartësuar për dhuntitë e jetës dhe të trupit, jo vetëm për të, por edhe për familjarët e tjerë ose ata që i ka nën kujdesin e tij. Ajo është gjithashtu edhe falënderim ndaj Allahut të Gjithëmëshirshëm që ua mundësoi plotësimin e agjërimit gjatë muajit të Ramazanit. Nga ana tjetër, për myslimanët që kanë agjëruar, sadakaja e fitrit është një plotësim i mangësive të këtij adhurimi dhe pastrim i gjërave të pahijshme që mundet t’i kenë ndodhur agjëruesit.
Allahu di gjithçka më së miri.