Me “tri muajt e mirë” i referohemi muajve hënorë: Rexhepit, Shabanit dhe Ramazanit, të cilët mund t’i konsiderojmë si stina e mëshirës. Muaji më i vlefshëm i vitit është Ramazani, në të cilin ndodhet Nata e Kadrit, që ka vlerën dhe shpërblimin e një mijë muajve (afërsisht 84 vite). Prandaj, muajt Rexhep dhe Shaban shërbejnë si një parapërgatitje për këtë muaj kaq të rëndësishëm.
Allahu (xh.sh) u jep mundësi të shumta robëve të Tij për të shlyer gjynahet dhe për të përparuar në gradët shpirtërore. Ashtu siç janë pesë vaktet gjatë ditës dhe dita e xhuma gjatë javës, po ashtu edhe këta muaj të mirë janë mundësia e vitit për përmirësim shpirtëror. Përmes përpjekjeve të tij në këta muaj, njeriu mund të heqë veset e këqija dhe të përvetësojë cilësi të reja pozitive në karakterin e tij. Largimi nga veprat që janë kthyer në zakone të këqija dhe fitimi i cilësive të mira është një proces që kërkon kohë. Shumë dijetarë, bazuar në hadithe të Profetit (alejhisselam), kanë thënë se minimumi kohor për të arritur këtë është 40 ditë. Në këta tri muaj, që përbëjnë 90 ditë, njeriut i jepet mundësia të kryejë këtë “operacion shpirtëror” dy herë.
Në muajt Rexhep dhe Shaban ndodhen edhe tri netë të shënuara: Regaibi, Miraxhi dhe Beraeti, për të cilat ka disa transmetime. Me fillimin e këtyre tri muajve, Profeti (alejhisselam) lutej: “O Allahu im! Na begato në muajin Rexhep dhe Shaban, dhe na mundëso të arrijmë Ramazanin!”
Allahu (xh.sh) na bëftë prej atyre robërve që arrijnë gradat më të larta në këta muaj dhe që festojnë Fitër Bajramin me gëzimin e shfrytëzimit të tyre! Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/
Për më tepër informacion lexoni artikullin e mëposhtëm:
https://www.zaninalte.al/2015/04/nje-analize-rreth-muajve-te-medhenj-rexheb-dhe-shaban/