
Ky ajet përmendet kur Allahu (xh.sh.) urdhëron engjëjt t’i bënin sexhde Ademit (alejhisselam), Surja Bakara, 2:30-34. Engjëjt, të cilët më parë, duke parë ndjenjat e urrejtjes, epshit dhe kapriçove të njeriut, që burojnë nga aspekti tokësor, e pyetën Allahun (xh.sh.) se a do të krijonte një qenie, që do të derdhë gjak, të vrasë dhe të bëjë shkatërrime në tokë, më pas u përulën me nderim ndaj tij. Sepse njeriu posedon edhe aspektin shpitëror. Në këtë aspekt ai ka aftësinë që të arrijë gradat më të larta të krijimit. Kështu Allahu (xh.sh.) i mësoi Ademit (alejhi selam) emrat e të gjitha gjërave, gjëra që engjëjt nuk i dinin. Me mësimin e këtyre emrave Ai e bëri njeriun mëkëmbësin e Tij në tokë.
Në lidhje me emrat që Allahu (xh.sh.) i mësoi Ademit (alejhi selam) komentuesit e Kuranit kanë shprehur mendime të ndryshme. Disa kanë thënë se ato janë emrat e të gjitha sendeve si toka, guri, hëna, dielli, pema, etj. Disa të tjerë kanë thënë se këto emra janë përmbledhjet e shkencave të ndryshme. Pra Ademit (a.s) iu mësua thelbi i kimisë, fizikës, astronomisë, mjeksisë, etj. Disa të tjerë kanë mbrojtur tezën se ato janë Emrat e Bukur të Allahut (xh.sh.).
Këto mendime të ndryshme, si dhe faktin që engjëjt nuk i dinin këto emra, mund t’i përmbledhim kështu: Engjëjt janë krijesa drite dhe dimensioni që ato shohin dukuritë është i privuar nga aspekti material. Prandaj ata nuk kanë mundur të kuptojnë ligjet e natyrës që Allahu (xh.sh.) ka krijuar në tokë, rrjedhimisht as edhe shkencat e formuara dhe shfaqjet e Emrave të Bukur të Allahut në to. Ademit (alejhisselam) iu mësuan këto shkenca dhe Emrat përkatës të Allahut që shfaqen në to. Për shembull, në shkencën e inxhinierisë shfaqet madhështia e urtësisë së emrave të Allahut Adl (I Drejti) dhe Mukaddir (Përcaktuesi me detaje). Në shkencën e mjekësisë shfaqet mëshira dhe shërimi i Mjekut Absolut që buron nga emri i Tij, Shafi (Shëruesi).
Kështu, ndërkohë që përmbledhja e shkencave dhe e Emrave të Bukur të Allahut iu mësua Ademit (alejhisselam), detajet e të gjitha këtyre shkencave dhe kulmi i tyre iu mësua krijesës më të lartë dhe më të dashur të Allahut (xh.sh.), Profetit Muhamed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.
Allahu di gjithçka më së miri!/insi.al/