Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Kurani Kerim muxhize zbritje graduale

Zbritja e Kuranit në mënyrë graduale është një fakt. Prandaj ajo që ne mund të bëjmë është të flasim mbi urtësitë e kësaj ngjarjeje, e cila përmban shumë urtësi, ndër të tjera:

1) Gradualizimi në kurimin e veseve të shoqërisë. Shoqëria ku zbriti Kurani duhej të ishte shembull për të gjithë njerëzimin deri në Ditën e Kiametit, por në kohën kur zbriti Libri i Shenjtë ajo shoqëri ishte e zhytur në vese prapanike, të cilat ishin bërë pjesë e karakterit të tyre. Zëvëndësimi i këtyre veseve me vlera morale dhe virtyte të larta në një moment të vetëm binte ndesh me natyrën njerëzore dhe ata nuk do t’i përballonin dot të gjitha direktivat e ardhura me Kuranin Famëlartë. Prandaj për t’i çrrënjosur këto vese dhe për të ngulitur normat morale kuranore, Allahu (xh.sh) e zbriti Kuranin në 23 vite dhe duke ndjekur metodën e gradualizimit i shërbeu gjykimet e reja si të realizueshme për shoqërinë. Kështu na mëson edhe neve që të sillemi me njerëzit kur ata i ftojmë në fenë e Allahut (xh.sh).

2) Përforëcimi i zemrës së Profetit (alejhisselam) dhe shokëve të tij. Këtë arsye Allahu (xh.sh) e shpjegon Vetë në një ajet kuranor ku ka thënë: “E ata që nuk besuan thonë: “Përse të mos i ketë zbritur atij Kurani menjëherë?” (Ai nuk ka zbritur) kështu që me të të forcojmë zemrën tënde” (Furkan: 32). Kjo ishte e nevojshme, sepse kauza islame kishte sfiduar një strukturë të mirëfilltë të mohimit dhe politeizmit, e cila ishte formësuar ndër shekuj. Prandaj në dukje forca e myslimanëve mund të dukej e dobët, sidomos në periudhën e parë të Islamit, e cila quhet periudha e Mekës.

3) Lehtësimi në të kuptuarit dhe memorizuarit të Kuranit. Mësimi menjëherë përmendësh i një libri prej 600 faqesh do të ishte shumë i vështirë në mos i pamundur. Për të lehtësuar këtë gjë Allahu e zbriti Kuranin pjesë-pjesë. Ai shprehet kështu në ajetin 106 të sures Isra: “Dhe Kuranin e ndamë pjesë-pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë”.

4) Rregullimi i ngjarjeve dhe ndodhive. Sa herë që ndodhte diçka ku nevojitej zgjidhje nga Krijuesi, zbriste ajet nga Kurani përmes të cilit bëhej vlerësimi i asaj ngjarjeje apo ndodhie dhe caktohej dispozita rreth saj. P.sh., ajetet 11-15 të sures Nur në lidhje me pastërtinë e Aishes (r.a), ajeti 118 i sures Teube ku tregohet pranimi i pendesës së Ka’b b. Malik (r.a), etj.

5) Vërtetimi se Kurani është fjalë dhe mrekulli e Allahut. Përmes përgjigjeve ndaj pyetjeve të bëra nga mosbesimtarët dhe ithtarët e librave të mëparshëm vërtetohej se Kurani është fjalë e Allahut dhe mrekulli e Tij. Allahu di gjithçka më së miri./insi.al/