Një nga karakteristikat e Muajit Ramazan është Nata e Kadrit. Emri i kësaj nate, “kadr”, ka një frymë dhe kuptim vlerësimi. Sikur na thotë: “Ta dish vlerën e kësaj nate që të dihet vlera jote!”. Karakteristika më e rëndësishme e Natës së Kadrit është se Libri ynë i Shenjtë, Kurani i Famëlartë, i cili u jep njerëzve dhe xhindëve lumturinë e dy botëve, u shpall për herë të parë në qiellin e botës. Allahu (xh.xh) shprehet kështu në suren el-Kadr:
اِنَّٓا اَنْـزَلْنَاهُ ف۪ى لَيْلَةِ الْقَدْرِۚ. وَمَٓا اَدْرٰيكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ. لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِنْ اَلْفِ شَهْرٍ. تَـنَـزَّلُ الْمَلٰٓئِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِاِذْنِ رَبِّهِمْۚ مِنْ كُلِّ اَمْرٍۙۛ. سَلَامٌ۠ۛ هِىَ حَتّٰى مَطْلَعِ الْفَجْرِ
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadr, 97:1-4)
Si dhe në ajetet e para të sures Duhan ka thënë:
حمٓ ١ وَٱلْكِتَـٰبِ ٱلْمُبِينِ ٢ إِنَّآ أَنزَلْنَـٰهُ فِى لَيْلَةٍۢ مُّبَـٰرَكَةٍ ۚ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ ٣ فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ ٤
“Hâ, Mîm. Betohem në Librin e qartë! Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.” (Duhan, 44:1-4) S’duhet harruar fakti që në një interpretim këto ajete flasin për Natën e Mesit të Muajit Shaban, pra Natën e Beraetit.
Kurani u zbrit në qiellin e tokës në tërësi në Natën e Kadrit dhe më pas iu shpall pjesë pjesë Profetit tonë (a.s) dhe rrjedhimisht mbarë njerëzimit, sipas nevojave dhe ngjarjeve të ndryshme.
Në ajet thuhet se kjo natë është më e mirë se një mijë muaj. Në veprën e Imam Malikut të quajtur Muatta, ndeshim informacionet e mëposhtme në lidhje me këtë temë:
“Profetit (paqja qoftë mbi të) iu tregua jetëgjatësia e njerëzve para tij. Duke marrë parasysh gjatësinë e jetës së tyre dhe shpërblimet që do të fitonin, Profeti ynë (a.s) e pa jetëgjatësinë e umetit të tij si të shkurtër dhe mendoi se ata nuk do të mund të arrinin shpërblimet që kishin arritur popujt e mëparshëm me një jetë aq të gjatë. Pas kësaj, Allahu i dha atij Natën e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj.” (Muvatta, Itikaf, 15)
Sipas një transmetimi tjetër, “Pejgamberi ynë (paqja qoftë mbi të) një herë u tha shokëve të tij se katër njerëz nga Beni Israilët kanë qenë duke adhuruar për tetëdhjetë vjet pa bërë asnjë mëkat. Sahabët u habitën nga kjo. Më pas erdhi Xhibrili (alejhi selam) dhe tha: “O Muhamed! Umeti u habit kur dëgjuan se ata njerëz ishin falur për tetëdhjetë vjet. Allahu të ka zbritur ty diçka më të mirë se ajo.” Ai lexoi suren el-Kadr dhe pastaj tha: “Kjo është më e mirë se ajo që Ti dhe umeti yt admironi.” (et-Tha’lebi, el-Keshf ue’l-Bejan 10/255; Ibn Kethir, Tefsiru’l-Kur’ani’l-Adhim 4/531)
“Një mijë muaj” janë tetëdhjetë e tre vjet e katër muaj. Nata e Kadrit është një mundësi e madhe për besimtarin që të marrë në një natë të vetme frytin shpirtëror që mund të marrë vetëm gjatë gjithë jetës. Njeriu duhet të përpiqet të mos e humbasë këtë mundësi dhe të bëjë disa sakrifica nëse është e nevojshme. Këtë kuptim ka Itikafi që kryhet në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Një besimtar që i shfrytëzon mirë ditët e Itikafit ka shumë mundësi të ketë shfrytëzuar mirë edhe Natën e Kadrit.
“Kush arrin dhe vlerëson Natën e Kadrit me besim të plotë tek Allahu dhe bindjen që do të fitojë sevapin, i falen të tëra mëkatet e mëpërparshme”, – shprehet Profeti (a.s) në një hadith (Buhari, Iman, 25; Muslim, Salatu’l-musafirin, 176). I njëjti hadith kalon për teravitë dhe agjërimin në ramazan.
Profeti (a.s) kishte një mik të pazëvendësueshëm, që ishte Xhibrili (a.s). Kur ndërroi jetë Profeti (a.s) vahji, shpallja hyjnore, u ndërpre. Dhe bashkë me zbritjen e vahjin u shkëput edhe zbritja e lajmëtarit të vahjit, Xhibilit (a.s). Dhe kështu tha një sahabije e nderuar, e cila po qante kur Profeti (a.s) ndërroi jetë. I thanë: mos qaj kaq shumë sepse çka gjendet tek Allahu për Profetin (a.s) është më e mirë se dynjaja dhe çka në të. Ajo u përgjigj kështu: Nuk qaj për këtë, qaj se ndaloi zbritja e vahjit. U shkëput lidhja e tokës me qiellin. Por sipas sures Kadr, ajeti 4, Allahu i ka dhuruar besimtarëve një mundësi tjetër. Engjëlli që bënte lidhjen mes qiellit dhe tokës, Xhibrili (a.s) ka leje që një herë në vit të zbresë në tokë.
Një veçori tjetër e cituar në ajetin 3 të sures Duhan, Nata e Kadrit është e begatë. E begatë dhe e bereqetshme do të thotë që gjënë e thjeshtë dhe të pakët, e shton aq shumë, saqë mendja nuk e rrok dot. Transmetohet që Aishja (r.a) ka thënë: “Kur ndërroi jetë Profeti (a.s) na kishte mbetur një shportë me hurma. Herë pas here ushqehesha me të. Nuk i kisha numëruar, por nuk ishin shumë. Por ato nuk po mbaronin. Derisa një ditë nga habia e madhe se si spo përfundonin, i numërova. Pasi i numërova nuk zgjati shumë dhe përfunduan.” Kjo do të thotë e begatshme. Kështu është edhe Nata e Kadrit.
Në ajetin e 4 të sures Duhan thuhet që në këtë natë vendoset çdo punë e urtë. Prandaj interpretimi i kësaj është bërë që në këtë natë identifikohet kaderi i vitit në vijim për çdo njeri. Kush, kur do të vdesë, çfarë rizku do të ketë, me çfarë sfidash do të përballet, etj.
Si dhe në lidhje me këtë natë të veçantë Profeti Ynë i Dashur (a.s) na ka mësuar një dua: “Allahumme inneke Afuvvun tuhibbu’l-afve fe’fu anni!”, “Allahu Im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua!” (Tirmidhi, De’auat, 84)
Allahu di gjithçka më së miri.