Të nderuar besimtarë e besimtare!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
… ۖ وَعَسَىٰٓ أَن تَكْرَهُوا۟ شَيْـًۭٔا وَهُوَ خَيْرٌۭ لَّكُمْ ۖ وَعَسَىٰٓ أَن تُحِبُّوا۟ شَيْـًۭٔا وَهُوَ شَرٌّۭ لَّكُمْ ۗ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ ٢١٦
“…ndoshta nuk ju pëlqen një gjë, por ajo është e mirë për ju; ndoshta ju pëlqen një gjë, por ajo është e keqe për ju. Allahu di, ndërsa ju nuk dini.”
(Bekara, 2:216)
Të nderuar besimtarë e besimtare!
Ajeti që sapo cituam thekson se disa situata, që nga jasht duken të dëmshme, mund të kenë përfitime të fshehura. Disa situata, edhe kur duken të pakëndshme ose të dëmshme, në të vërtetë mund të përmbajnë të mira të mëdha për individin dhe shoqërinë. Këtë të vërtetë të madhe e ka vërtetuar në mënyrë të vazhdueshme historia e njerëzimit. Çka ne duhet të kemi parasysh është se qasja jonë ndaj vështirësive dhe sfidave të jetës është një reflektim i besimit tonë. Pra çfarë besimi kemi, ashtu ne reagojmë ndaj vështirësive. Një shembull është durimi në momentet e vështira. Allahu shprehet kështu në Kuranin Fisnik: “O ju që besoni! Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz” (Bekara, 2:153). Kjo tregon se, megjithëse vështirësia dhe vuajtja në plan të parë duken si pengesa, ato janë raste të rralla për të forcuar besimin dhe karakterin tonë, duke na afruar më shumë me Zotin.
Sprovat janë jetike për të arritur suksesin shpirtëror dhe për të kuptuar vlerën e vështirësive. Sfidat që hasim na ndihmojnë të rritemi dhe të forcohemi, në mënyrë që nëse do të vijë ndonjë përplasje më e rëndë, ne të jemi kalitur dhe deri diku të përgatitur për të korrur vetëm suksese. Hap pas hapi, me durim dhe urtësi, mësojmë të përballojmë çdo lloj vështirësie, pa dëmtuar besimin tonë dhe pa rrezikuar relatat me Allahun. Parë nga ky këndvështrim, këto situata e forcojnë lidhjen e besimtarit me Allahun. Përndryshe mund të ndodhë edhe që njeriu të mos tregojë kujdes dhe të vërë në rrezik edhe besimin e tij.
Në një hadith thuhet: “Nëse Allahu dëshiron t’i japë një njeriu të mirat, Ai e provon atë me vështirësi” (Ahmed b. Hanbel). Kjo na inkurajon të shohim vështirësitë si mundësi për të rritur besimin dhe karakterin tonë, për të forcuar marrëdhënien tonë me Zotin. Prandaj, ajo që ndonjëherë duket si një ndëshkim ose pengesë, është në fakt një mjet për pastrimin e brendshëm dhe rritjen e nivelit tonë shpirtëror.
Kur ta ndiejmë veten vërtet ngushtë, krahas durimit dhe urtësisë, të kërkojmë ndihmën e Allahut Fuqiplotë. Një tjetër ajet që e përkrah këtë është: “Dhe kushdo që e friksohet Allahut, Ai i jep atij një dalje” (Talak, 65:2).
Kur muslimanët u përballën me persekutime të rënda në Mekë, shumë prej tyre morën vendimin të migronin në Medinë. Kjo dukej si një situatë e vështirë dhe e dhimbshme, duke lënë pas familjet, shumë pasuri dhe vendlindjen e tyre. Megjithatë, ky migrim u shndërrua në një mundësi për të ndërtuar një shoqëri të re dhe të fortë, ku Islami u përhap dhe u forcua. Kjo tregon se ndonjëherë, sakrifica dhe ndryshimi i ambientit mund të sjellin përfitime të mëdha.
Kështu, Kurani inkurajon të shohim përtej dukjes së jashtme të situatave dhe të përqendrohemi në pasojat e vërteta që ato mund të kenë për jetën tonë kryesisht shpirtërore.
Por edhe e kundërta, disa situata që nga jasht duken të dobishme, mund të kenë dëme të cilat për momentin nuk dallohen. Ato mund të shkaktojnë pasoja negative në jetën tonë shpirtërore dhe sociale. Një shembull i qartë është ndjekja e pasioneve apo dëshira e tepërt për luks, e cila mund të krijojë largësi nga vlera të larta morale. Profeti Muhamed (paqa qoftë mbi të) ka thënë: “Nuk është pasuria ajo që e bën njeriun të pasur, por është zemra e tij” (Muslim). Një hadith tjetër i Profetit (a.s) ka thënë: “Bëni kujdes nga pasuria që e kthen zemrën tuaj të ftohtë” (Ibn Maxhe). Kjo nënkupton se ndonjëherë ndjekja e pasurisë duke lidhur zemrën me të dhe e kënaqësive të kësaj bote, mund të na largojë nga rruga e drejtë dhe të na sjellë dëm në jetën tonë shpirtërore, duke na larguar nga qëllimet e vërteta të jetës.
Prandaj, besimtarët duhet të kenë një qasje të thellë dhe kritike ndaj situatave me të cilat përballen. Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve tona dhe të kërkojmë udhëzim nga Allahu për të dalluar midis asaj që është e mirë dhe asaj që është e keqe, duke pasur parasysh faktin se vetëm Ai di se çfarë është më e mira për ne. Në këtë mënyrë, besimtarët mund të mbajnë një qasje të balancuar dhe të thellë ndaj jetës, duke u përpjekur të kuptojnë më mirë planet e Allahut për ne. Ne mund të kemi planet tona për veten. Por thelbësore nuk është realizimi i tyre. Thelbësore është të kuptojmë planet e Allahut për ne, të cilat janë pa dyshim më të dobishmet, dhe të përpiqemi të dallojmë se çfarë duhet të veprojmë, sidomos në momentet kritike, në mënyrë që të kemi sa më pak efekt negativ në konkretizimin e planit hyjnor, të mirës së madhe.
Allahu na dhëntë këndvështrimin e duhur ndaj ngjarjeve me të cilat sprovohemi!/insi.al/