Në kuptimin leksikor fjala din, që në shqip do të thotë fe, mbart kuptimet: ndëshkim, shpërblim, llogari, adhurim i pranueshëm, ligj, bindje, etj.
Dijetarët islamë e përkufizojnë fenë si “manual parimesh hyjnore të cilat i shtyjnë njerëzit në të mirën absolute me vullnetin e tyre të lirë”. Këtë tërësi rregullash hyjnore Zoti i madhëruar ua ka dërguar njerëzve me anë të profetëve, njerëz të mrekullueshëm me cilësi pozitive të shkëlqyera.
Në librat e shenjtë të feve hyjnore bëhet e qartë ekzistenca e fesë bashkë me njeriun e parë. Aty shprehet qartë se Ademi (a.s) ishte njeriu i parë dhe njëkohësisht profet i ngarkuar me detyrë nga Zoti.
Feja është njohja e ekzistencës dhe teuhidit (njëshmërisë) së Zotit, arritja e kthjelltësisë shpirtërore duke vepruar në rrugën e Tij, harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit në emër të Tij dhe sipas urdhrave të Tij, madje ndierja për llogari të Tij, e një interesimi dhe dashurie të thellë ndaj të gjithë ekzistencës.
Feja i drejtohet njerëzve të ndërgjegjshëm dhe me mendje të shëndoshë. Ajo është e nevojshme që njeriu të jetojë i lumtur dhe i qetë, sepse besimi dhe adhurimi i japin njeriut qetësi. Feja bën të mundur që njerëzit të jetojnë në paqe e siguri, sepse ajo ndalon të këqijat e padrejtësitë si krimi, mëria, gënjeshtra e mashtrimi dhe urdhëron dashurinë, respektin, ndihmën e përbashkët, ndershmërinë dhe sjelljen e mirë mes njerëzve. Feja kërkon që njerëzit të shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe të kenë respekt për të drejtat e njëri-tjetrit, këshillon jetesën në paqe. Kështu shoqëria fiton qetësi, siguri dhe lumturi.
Feja është e dërguar nga Zoti dhe ajo është një e vetme, e quajtur Islam, që nga dita e parë me Ademin (a.s). Ndërkaq me kalimin e kohës, njerëzit janë larguar nga feja që iu ka dërguar Zoti dhe kanë formuar besime të ndryshme, të bazuara në mendimet e gjykimet e veta. Si rrjedhojë, kanë lindur fe të ndryshme me burim njerëzor. Nga ky vështrim, fetë ndahen në dy grupe:
- Fetë hyjnore ose fetë qiellore: Fetë e dërguara nga Zoti, të cilat kanë profet dhe libër të shenjtë. Këto janë Hebraizmi, Krishtërimi dhe Islami.
- Fetë johyjnore ose fetë tokësore: Fetë e formuara nga njerëzit duke u bazuar në idetë e veta, si psh.: Budizmi, Taoizmi, Zoroastrizmi, etj.
Për shkak të mbrojtjes së formës origjinale dhe duke pasur një burim hyjnor, Islami është feja e fundit e vërtetë. Megjithëse feja e të gjithë profetëve është Islami, me Profetin Muhamed (a.s) feja islame arriti përkryerjen, u vu pika e fundit mbi fetë dhe këtë fakt Kurani e shpreh kështu: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide, 5/3)/insi.al/