Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

fitne kaos

Të nderuar besimtarë e besimtare!

Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:

وَٱلْفِتْنَةُ أَشَدُّ مِنَ ٱلْقَتْلِ ۚ

“Fitnia është më e rëndë se vrasja”. (Bekara, 2:191)

Të nderuar besimtarë e besimtare!

Synimi i besimtarit të vërtetë është gjithmonë hallall, kauza e tij është gjithmonë e drejtë, e vërteta është ajo që kërkon dhe sinqeriteti është mënyra si punon. Tek hallalli arrihet vetëm me hallall dhe jo me haram. Tek e vërteta arrihet vetëm me të vërtetën dhe jo gënjeshtra. Tek e drejta arrihet vetëm me të drejtën dhe jo me zullum. Tek pastërtia arrihet vetëm me të pastërtën dhe jo me shpifje. Kjo është rruga e besimtarit.

Ndonjëherë rruga e drejtë është e gjatë dhe padurimi e bën njeriun të kërkojë forma të tjera në qëllimet që i ka vendosur vetes. Madje ndonjëherë edhe kauza e tij mund të jetë e gabuar dhe për të përdorur rrugë të shkrutra, apo, në pamundësi të mënyrave të drejta, i legjitimon vetes rrugët e gabuara, rrugët e padrejtësisë për një të drejtë më “të lartë”; ato të gënjeshtrës dhe shpifjes, për një ditë “larg mashtrimeve”; rrugët e haramit për të “zhbërë” një haram më të madh dhe për të mbërritur kështu në “rrugët e hallallit”. Habia më e madhe shfaqet atëherë kur kjo rrugëzgjidhje s’ka kurrë fund dhe në shumicën e rasteve nuk të shpie në synimin e përcaktuar në nisje. Madje shtrembërimet e shumta me të cilay përballen rrugës, shumë herë i detyrojnë “naivët” e këtij rrugëtimi të ndryshojnë synim.

Këto janë tentuar shumë herë më parë, janë provuar dhe nuk kanë sjellë asgjë tjetër veç përçarjes. Kjo situatë në literaturën tonë quhet fitne, dhe veprimi është përhapje e fitnes. Fitne do të thotë të tregosh diçka ndryshe nga çka është në realitet. Pra është përçarje e shkaktuar nga gënjeshtra dhe mashtrimi, ose nga një e vërtetë e shoqëruar me një mijë gënjeshtra. Fitnia ndodh mes njerëzish që jetojnë në paqe e qetësi. Dikush me vetëdije apo pa vetëdije, nis të përhapë fjalë të rreme apo ngre insinuata të paqena kundrejt një individi apo shoqërie, dhe kjo shpërndahet gjithandej. Siç dihet gënjeshtra shpërndahet lehte. Fitnia, e cila gënjeshtrën dhe shpifjen e ka vetëm një prej elementëve të strukturës së saj të pasur, shpërndahet edhe më shpejt. Ajo përhapet porsi zjarri në kashtë në të nxehtin e verës. Pasi përhapet s’ka më fuqi njeriu që ta ndalë atë. Ajo vetëm përhapet, shumëfishohet dhe forcohet nëpërmjet individëve apo shoqërive, me vetëdije apo vetëdije. Prandaj kur fitnia merr rrugë, vetëm mirësia e Allahut mund ta ndalë.

Transmetohet që Profeti (a.s) ka thënë: «الفتنة نائمة لعن الله من أيقظها» Fitnia është në gjumë, mallkuar qoftë kush e zgjon atë. Allahu në Kuran ka thënë që fitnia është më e rëndë sesa vrasja. Vrasja meriton ndëshkim të rëndë në këtë botë, në botën tjetër meriton xhehenemin e përjetshëm dhe kush vret një mysliman është njësoj sikur të ketë vrarë tërë botën. Kështu na tregon Kurani Famëlartë.

Fitnia, për nga pesha, është më e rëndë sesa vrasja. Në të shkuarën është bërë sebeb për vrasjen e mijërave. Ka një fuqi shfarosëse aq të madhe, saqë edhe shumë prej sahabëve kanë vuajtur konkluzionet e rrëmujave. Sepse kur ajo shpërndahet praktikisht është e pashmangshme dhe ai që e nis apo që e shton, edhe po të bëhet pishman, është me përgjegjësi, sepse nuk sqaron dot çdokënd, si dhe, edhe po ta falë Allahu, duhet ta falin njerëzit të cilëve u ka shkaktuar dëm.

Amr b. As (r.a), një nga sahabët më të afërt me Profetin (a.s), në momentet e fundit të jetës së tij, lotonte. E pyesin, – Ç’ke o komandant? Ai përgjigjet, – Në vaktit, luftova kundër Profetit (a.s). Po të kisha vdekur atëherë do të hyja në xhehenem. Pastaj luftova në krah të Profetit (a.s). Po të kisha vdekur atëherë, ka mundësi që të hyja në xhenet. Pasi ndërroi jetë Profeti (a.s) u përzieva me ca punë jo të mira. Tani nuk e di se ku do të përfundoj.

Pra, po thotë më mirë të kisha vdekur në kohën e Profetit (a.s) dhe të mos isha përzier me punë të tjera. Ja dëmi që shkakton fitnia. E bën njeriun aq pishman, saqë dëshiron që më mirë të kishte vdekur, sesa të kishte shkaktuar rrëmujat.

Për ata që nuk e vrasin mendjen për asgjë, ka një fjalë që mund t’i japë ngushëllim: Nëse s’ke turp e ndrojë (karshi Allahut dhe njerëzve), bëj ç’të duash.

Allahu na ruajt prej fitnes!/insi.al/