Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

FJALËT DHE VEPRAT E KOTA

Të nderuar besimtarë e besimtare!

Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:

وَالَّذِينَ هُمْ عَنِ اللَّغْوِ مُعْرِضُونَ

“Ata të cilët shmangen nga fjalët e kota.”
(Mu’minun, 23:3)

Lagv, në shqip kotësi, do të thotë fjalë apo vepra pa vlerë, pa asnjë kuptim, të thëna pa asnjë logjikë, qofshin këto në lidhje me këtë botë apo me tjetrën, e pabazuar në ndonjë informacion ose dituri. Ose tallje e shpërfillje ndaj të drejtës, besimtarit ose Islamit.

Besimtari qëndron larg çdo fjale ose vepre që të çon në dëm shpirtëror ose material. Sepse ai është i vetëdijshëm që mos t’i shkojë dëm asnjë moment, por të jetë i indeksuar për në ahiret. Koha e tij kalon me punë të dobishme, p.sh., duke lexuar Kuran, ndonjë libër fetar, duke bërë dua ose duke bërë bashkëbisedime në tema ku kërkohet kënaqësia e të Madhit Zot. Sepse njeriu duke thënë fjalë të kota, duke vepruar pa menduar apo pa kuptuar mirë mund të hapë plagë të pashërueshme në zemrën e tij. Po ashtu mund të hapë plagë edhe në zemrat e të tjerëve. Kështu shprehet një dijetar: “Qendro i gatitur, kujdes ku e hedh hapin, ki frikë se mos fundosesh. Mos u mbyt me një kafshatë, mos u mbyt me një fjalë, mos u mbyt me farë, mos u mbyt me një rreze e as me një shenjë. Mos i shuaj ndjenjat e besimit me një veprim!”

Në suren Kasas thuhet:

وَإِذَا سَمِعُوا اللَّغْوَ أَعْرَضُوا عَنْهُ وَقَالُوا لَنَا أَعْمَالُنَا وَلَكُمْ أَعْمَالُكُمْ سَلاَمٌ عَلَيْكُمْ لاَ نَبْتَغِي الْجَاهِلِينَ

“dhe, kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit”.” (Kasas 28:55)

Ky urdhër hyjnor e ka mbrojtur besimtarin nga shumë rreziqe të mëdha. Nëse besimtari do t’ia kthente me të njëjtën monedhë çdo personi që sillet keq ndaj tij, pra nëse do të provokohej nga veprat e të tjerëve, ai mund të binte në nivelin e tyre. Në fjalën e Kuranit ata janë quajtur “xhahila-injorantë-të paditur”. Në duhet të paraqesim gjithmonë karakterin tonë. Allahu shprehet: قُلْ كُل يَعْمَلُ عَلَىٰ شَاكِلَتِهِۦ فَرَبُّكُمْ أَعْلَمُ بِمَنْ هُوَ أَهْدَىٰ سَبِيلًا ٨٤ Thuaj: “Çdokush sillet sipas mënyrës së vet, por Zoti juaj e di më së miri, se kush është në rrugën më të drejtë” (Isra, 17:84)

Sjellja dhe fjala jonë është nderi ynë. Prandaj, kur dikush shpreh fjalë të papërshtatshme ndaj nesh, besimtarit i shkon për shtat që t’i kthejë shpinën, e ta braktisë atë në pellgun e ndotur nga fjalët e tij të ulëta. Në suren En’am thuhet:

وَإِذَا رَأَيْتَ الَّذِينَ يَخُوضُونَ فِي آيَاتِنَا فَأَعْرِضْ عَنْهُمْ حَتَّى يَخُوضُوا فِي حَدِيثٍ غَيْرِهِ

“Kur t’i shohësh ata të nënçmojnë shpalljet Tona, largohu prej tyre, derisa të kalojnë në bisedë tjetër!” (En’am 6:68)

Vetëm me një kusht na lejohet që të flasim në raste të tilla: “Nëse me fjalët që themi do të arrijmë t’i japim ngjyrën tonë atij vendi e momenti, nëse do të kemi mundësi që me fjalët tona ta lartësojmë të vërtetën atëherë mund të flasim.” Padyshim që kjo është një punë e rëndë dhe me përgjegjësi të madhe. Aty nuk pranohet gabimi. Çdo njeri duhet të njohë kufijtë e vet. Nijeti mbetet çështje thelbësore. Duhet një sinqeritet i thellë, sepse nëse ato fjalë nuk dalin nga pastërtia e zemrës, por nga vetvetja dhe për t’u shprehur se flet bukur, atëherë çdo gjë kthehet në humbje. Zemra duhet kalibruar mirë.

Allahu ka thënë:

وَعِبَادُ الرَّحْمَنِ الَّذِينَ يَمْشُونَ عَلَى الأَرْضِ هَوْنًا وَإِذَا خَاطَبَهُمُ الْجَاهِلُونَ قَالُوا سَلاَمًا

Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!” (Furkan 25:63)

E mbyllim me fjalën e bekuar të Profetit (s.a.s) ku ai shprehet:

مِنْ حُسْنِ إِسْلاَمِ الْمَرْءِ تَرْكُهُ مَا لاَ يَعْنِيهِ

“Braktisja e kotësive është ndër bukuritë e Islamit të personit”.

Allahu na bëftë vepërmirë dhe fjalëdrejtë!/insi.al/