Çfarë është Forex?
Forex, ose tregu i këmbimit valutor, është një treg global ku kryhet tregtimi i valutave të ndryshme. Ky treg, një nga më të mëdhenjtë dhe më likuidë në botë, funksionon 24 orë në ditë dhe pesë ditë në javë. Investitorët blejnë dhe shesin valuta, duke shpresuar të përfitojnë nga ndryshimet në kurset e këmbimit. Faktorët kryesorë që ndikojnë në Forex janë ekonomitë e vendeve përkatëse, politikëbërja monetare, ngjarjet globale dhe niveli i kërkesës dhe ofertës për valuta specifike.
Edhe pse në Forex zëri kryesor është tregtimi i valutave, shumë platforma tregtare që ofrojnë akses në të lejojnë gjithashtu tregtimin e produkteve të tjera financiare si petroli, metalet e çmuara, produkte bujqësore, kriptovaluta, etj.
Forex është një treg i ligjshëm, por ligjshmëria e tij dhe rregullimi ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Në Shqipëri, tregtia Forex është e lejuar, por mbikëqyret nga AMF. Në disa raste, platforma të palicencuara mund të përpiqen të operojnë në mënyrë të paligjshme, duke mashtruar individët me premtime për fitime të shpejta dhe të lehta.
Këndvështrimi i përgjithshëm fetar
Fetvaja në jurisprudencë mund të jetë personale, e përgjithshme ose lokale/kombëtare. Në shkrimet tona, ne kemi mundësinë t’i trajtojmë çështjet vetëm nga një këndvështrim i përgjithshëm. Prandaj gjykimet në këto shkrime janë për të dhënë një ide rreth çështjeve. Kush dëshiron që të marrë një opinion të qartë, duhet të kontaktojë me personat përgjegjës, si myfti apo imam të formuar, tu shpjegojnë detajet e aktivitetit të tyre dhe pastaj të marrin një opinion përfundimtar.
Forex është një sistem që ndryshon dhe përditësohet vazhdimisht, duke e bërë të nevojshme analizën dhe gjykimin e veçantë për çdo situatë. Por Forex në total është parë si një sistem me shumë problematika nga aspekti fetar. Qendrat e fetvave kanë arritur në disa konkluzione. Për të kuptuar më qartë qëndrimet e juristëve për këtë rast, duhet të kemi parasysh disa pika kryesore:
- Përfshirja e kamatës në kohë dhe në vlerë,
- Siguria e dorëzimit të produkteve dhe pagesave,
- Ekzistenca reale e produkteve dhe pagesave.
Nëse ndonjë prej elementeve të mësipërm përfshihet në transaksione, atëherë aktet në fjalë konsiderohen fasid (të pavlefshme në thelb, por jo plotësisht të anuluara) ose batil (plotësisht të pavlefshme sipas jurisprudencës islame). Pavarësisht detajeve, të dyja rastet janë të pavlefshme fetarisht dhe përfshirja në to është haram.
Aspektet problematike sipas këndvështrimit islam
Së pari, duhet të theksojmë se në Islam blerjet online, këmbimi valutor si dhe çdo blerje, ku nuk përfshihet kamata, çdo gjë është transparente, e kontrolluar dhe asnjë nga palët nuk rrezikohet, janë situata të lejuara. Parimi bazë është që nëse nuk përmban ndonjë element të ndaluar nga feja, atëherë është e lejuar.
Mirëpo, sidomos në tregjet e mëdha, praktikat nuk i përcakton individi, por sistemi. Në këtë aspekt, blerja e një produkti, të cilin s’ke mundësi ta posedosh është e pavlefshme dhe e ndaluar. P.sh., nëpërmjet sistemit Forex mund të blesh petrol online, por në fakt blerësi nuk e posedon vërtet atë. Thjesht e ka virtualisht të regjistruar dhe pastaj mund ta shesë përsëri virtualisht.
Së dyti, kur bëhet blerje e valutës është kusht që këmbimi dhe dorëzimi të bëhen në moment, përndryshe, nëse hyn në mes diferencë kohore, atëherë kemi të bëjmë me kamatë në kohë (riba en-nesie) dhe kamata e bën aktin fasid. Realizimi i kalimit të parave në llogaritë përkatëse jo në moment, por në një hark kohor sado të shkurtër, çon në ndryshim të vlerës së monedhave. Kjo është kamatë. Në Forex ka praktika të dorëzimit brenda ditës, por në shumicën e rasteve tërheqja e të ardhurave mund të realizohet një, dy ose edhe më shumë ditë pas kryerjes së aktit të shit-blerjes. Kjo vonesë është diçka e zakonshme në terrenin e Forex, prandaj është e pashmangshme.
Pavarësisht se një pjesë e argumentojnë këtë si një praktikë zakonore (hukuk ‘urfî) dhe jurisprudenca islame ka njohur vlefshmëri të transaksioneve praktikisht të mirënjohura dhe të pranuara, në këtë rast juristët janë treguar rigorozë ndaj çshtjes së kamatës dhe nuk kanë parë hapësira për ta gjykuar si të lejuar.
Ndërkohë, të kujtojmë që Profeti (a.s) e ka ndaluar këmbimin e dy produkteve veresije (jo në momentin e aktit), duke thënë: “Këmbimi i veresijes me veresijen është i ndaluar” (Sujuti, el-Xhami’ es-Sagir, VI, 330, Hadithi nr. 9470). Kur bëhet fjalë për blerje produktesh, atëherë minimalisht njëri mes parave ose produktit duhet të jepet në moment dhe duhet përcaktuar koha e dorëzimit të tjetrit. Në lidhje me këtë çështje ka ixhma (konsensus mes juristëve).
Kështu që, në rastin e këmbimit monetar blerja në trajtë premtimi e njërës prej monedhave, me idenë që do të merret më pas në dorëzim, është e ndaluar. Gjithashtu, kur bëhet fjalë për veresije nga të dyja palët, sidoqoftë lloji i transaksionit, është e ndaluar.
Së treti, investitorët e thjeshtë përfshihen në Forex nëpërmjet një pagese të ulët si 100 dollarë, por platformat ndërmjetësuese u japin atyre në dorëzim shuma disa fishëshe, si p.sh., 10.000 dollarë. Kjo në një farë mënyre është kredi, por me kushte. Për çdo transaksion që bëhet me këto para, ndërmjetësit në fjalë marrin komision. Ky komision hyn në fushën e kamatës, sepse është përfitim në këmbim kredie. Ky quhet sistem me levë dhe pavarësisht se ka praktika të ndryshme, asnjë prej tyre nuk është vleresuar nga qendrat e fetvasë si e lejuar.
Së katërti, në rast të shmangies së sistemit me levë, ku përsëri gjendet një platformë ndërmjetësuese e cila jep një kredi, në Forex bëhet fjalë për kamatën swap, e cila është kamatë klasike. Për të eliminuar këtë kamatë është ideuar një formë tjetër e kredisë e quajtur swap-free, pra pa kamatë. Në fakt, as në këtë rast nuk eliminohet kamata, por ajo nuk i pasqyrohet kredimarrësit, sepse e merr përsipër kredidhënësi. Sidoqoftë mbetet kontratë me kamatë, prandaj është e ndaluar.
Së pesti, ndërmjetësuesit, të cilët kreditojnë individët e përfshirë në Forex apo i këshillojnë ata, mund të qëllojnë elemente të panjohur dhe të paakredituar. Në këtë aspekt mbetet një hapësirë spekulative, ku këshilltari financiar mund të përfshihet në mashtrime ndaj individëve dhe s’ka asnjë masë që mund të merret në momentin që humb të ardhurat. Duhet theksuar që ky është një rrezik i madh. Ka plot raste ku persona të ndryshëm kanë humbur shuma të mëdha me një këshillë të gabuar nga ndërmjetësuesit.
Së gjashti, disa ekonomistë myslimanë janë të opinionit se tregtia e këmbimit valutor është e lejuar nëse plotësohen disa kushte si: në rast se nuk përfshihet kamatë, nuk i nënshtrohet transaksioneve me diferencë kohore, nuk përfshihen në transaksione spekulative, që mund të dëmtojnë ekonominë vendeve apo individëve, etj. Por shumica aktualisht kanë përvetësuar qasjen që t’i shërbesh një sistemi në tërësi kundër vlerave islame, nuk mund të quhet e lejuar në parim.
Konkluzion
Në konkluzion, mund të themi se në Forex praktikisht është e pamundur të shmangësh situata problematike. Kamata, terreni spekulativ, pasiguria dhe hapësira për tu mashtruar, kanë bërë që shumica e qendrave të fetvasë të mos japin leje për tu përfshirë në këtë sistem. Kujdes duhet bërë sidomos për rastet që prezantohen si versione islame të tregtisë, ku në fakt detajet tregojnë të kundërtën. Allahu di gjithçka më së miri!/insi.al/
* Shih: https://www.dar-alifta.org/ar/fatawa/13136/الفوركس.