Të nderuar besimtarë e besimtare!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
وَاعْبُدُوا اللَّهَ وَلَا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا وَبِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَالْجَارِ ذِي الْقُرْبَى وَالْجَارِ الْجُنُبِ وَالصَّاحِبِ بِالْجَنْبِ وَابْنِ السَّبِيلِ وَمَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ مَنْ كَانَ مُخْتَالًا فَخُورًا
“Adhurojeni Allahun, duke mos i bërë shok Atij. Silluni mirë me nënën dhe babanë, kushërinjtë, jetimët, ata që janë në nevojë, fqinjët e afërt dhe ata të largët, shokut që keni pranë, udhëtarit dhe kujtdo që gjendet nën juridiksionin tuaj. Allahu nuk i do ata që u pëlqen vetja, e fillojnë të mburren.”
(Nisa, 4/36)
Të nderuar besimtarë e besimtare,
Një tjetër çështje shumë e rëndësishme të cilës Kurani dhe Suneti i kushtojnë një rëndësi të veçantë, përveç mirësjelljes karshi nënës dhe babait dhe ruajtjes së marrëdhënieve të mira farefisnore, është ruajtja e relatave me fqinjët, e trajtuar nën kapitullin e të drejtave të fqinjëve.
Në ajetin që sapo cituam prej sures Nisa, Allahu shprehet kështu: “Adhurojeni Allahun, duke mos i bërë shok Atij. Silluni mirë me nënën dhe babanë, kushërinjtë, jetimët, ata që janë në nevojë, fqinjët e afërt dhe ata të largët, shokut që keni pranë, udhëtarit dhe kujtdo që gjendet nën juridiksionin tuaj. Allahu nuk i do ata që u pëlqen vetja, e fillojnë të mburren.” (Nisa, 4/36)
Ndërkohë që Profeti (a.s) është shprehur kështu në lidhje me çështjen: مَا زَالَ جِبْرِيلُ يُوصِينِي بِالْجَارِ حَتَّى ظَنَنْتُ أَنَّهُ سَيُوَرِّثُهُ “Xhebraili më këshilloi aq këmbëngulshëm për relatat ndaj fqinjëve, saqë mendova se fqinji do bëhej pjesëtar i trashëgimisë së fqinjit.” (Buhari, edeb, 28; Muslim, birr, 141) Megjithëse pjesëtarët e vërtetë të trashëgimisë janë nëna, babai, djali, vajza, motra, vëllai; i Dërguari i Allahut (s.a.s), me këto fjalë, ka dashur t’na tregojë rëndësinë që i karakterizon të drejtat e fqinjëve.
Në një tjetër hadith, duke e lidhur çështjen më fort me parimet e besimit, thuhet:
مَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلْيُحْسِنْ إِلَى جَارِهِ وَمَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلْيُكْرِمْ ضَيْفَهُ وَمَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلْيَقُلْ خَيْرًا أَوْ لِيَسْكُتْ “Ai që i beson Allahut dhe ditës së gjykimit, le të bëjë mirë karshi fqinjit të tij. Kush i beson Allahut dhe ditës së gjykimit ta presë mirë mikun e tij. Ai që i beson Allahut dhe ditës së gjykimit, ose të flasë gjëra të mbara, ose të heshtë.” (Muslim, iman, 74; Buhari, edeb, 31)
Pra, dallohet qartë, që një prej kushteve për të qenë një besimtar i përsosur është edhe bërja mirë ndaj fqinjëve. Dhe vijon i Dërguari i Allahut (s.a.s), duke theksuar se “besimtari që bie në gjumë i ngopur, teksa fqinji i tij është i uritur, nuk mund të jetë besimtar i vërtetë” (Hâkim, Mustedrek, 2/15), madje edhe paralajmërimin se “ai fqinj, prej të cilit fqinji tjetër nuk është i sigurt, nuk ka për të shkuar dot në Xhenet”. (Buhari, edeb 29; Muslim, iman 73)
Përderisa e drejta e fqinjit zë kaq shumë vend në Kuran dhe Sunet, atëherë duhet kuptuar edhe rëndësia e saj e veçantë. Ajo duhet të jetë pjesë e jetës tonë. T’i përshëndesësh, tu buzëqeshësh, tu jesh pranë në rast nevoje materiale apo emocionale, të formosh ura komunikimi me ta, p.sh., në rast festash tu shpiesh një qerasje, sado të thjeshtë. Të gjitha këto u hapin rrugë njerëzve që ta duan dhe respektojnë njëri-tjetrin, ose, nëse kanë paragjykime, i bëjnë të mendojnë mirë.
Siç dihet, e kundërta e të mirave të mëdha, janë të këqija të mëdha. Kështu, edhe një sjellje e pahijshme ndaj fqinjit është një mëkat me gradë të lartë. Sepse ndjenjat që duhet të ekzistojnë me të afërmit ose me fqinjët, janë besimi dhe siguria e ndërsjellë. E nëse një e keqe të vjen prej një njeriu “të besuar e të sigurt”, atëherë ajo nuk ngelet si një e keqe çfarëdo. Ajo shumëfishohet, fryhet, aq sa merr përmasat e një të keqeje shumëdimensionale.
Sot ndërtesat e ftohta me mure të shumtë, janë kthyer në pengesa të mëdha komunikimi. Fqinjët trokasin te njëri-tjetri vetëm për ndonjë lajmërim apo për tu ankuar, se janë të shqetësuar prej zhurmës. Ne mbase s’mund të ndryshojmë tërë shoqërinë, por mund të japim një kontribut modest nga këndvështrimi ynë, por shumë me vlerë tek Allahu.
Allahu na mundësoftë t’i japim hakun fqinjësisë!/insi.al/