Të nderuar besimtarë e besimtare!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
وَٱلَّذِينَ ٱسْتَجَابُوا۟ لِرَبِّهِمْ وَأَقَامُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ وَأَمْرُهُمْ شُورَىٰ بَيْنَهُمْ وَمِمَّا رَزَقْنَـٰهُمْ يُنفِقُونَ ٣٨
“Për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne.”
(Shura, 42/38)
Islami na edukon dhe na formon në çështje të ndryshme të jetës. Një prej tyre është këshillimi, i përmendur si istishare apo shura. S’mund të ishte ndryshe në një fe që në themelet e saj ka diturinë, urtësinë, të drejtën dhe të vërtetën. Kur ne të marrim një vendim, duhet ta bëjmë pasi të kemi kryer çdo sebep e të kemi marrë çdo masë në mënyrë që të arrijmë tek e vërteta dhe më e drejta. Ky është një tipar që i karakterizon myslimanët dhe i dallon ata. Në Kuranin Fisnik thuhet: “Ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne.” (Shura, 42/38)
Profeti (a.s) merrte komunikata dhe udhëzime nga shtatë qiejt, por Kurani e urdhëron kështu në suren Al Imran: “dhe këshillohu me ta për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Al Imran, 3/159)
I Dërguuari i Allahut (a.s) e ka zbatuar aq me përpikmëri urdhrin në fjalë, saqë Ebu Hurejra (r.a.) e shprehte kështu këtë ndjeshmëri: “Unë nuk kam parë askënd që këshillohet me shokët e tij, më shumë se i Dërguari i Allahut.” (Tirmidhi)
Një shembull shumë i njohur është rasti i Uhudit. Në këtë luftë Profeti (a.s) jep mendimin e një përballjeje me karakter mbrojtës dhe të mos luftojnë në shesh të hapur. Por disa prej sahabëve, pasi pyetën nëse ky ishte vahj apo jo, këmbëngulën që lufta të bëhet ne Uhud, në shesh të hapur. Duke mbizotëruar mendimi i fundit, Profeti (a.s) zbatoi konkluzionin e këshillimit.
Ai (a.s), si në Mekë, ashtu edhe në Medine, çështjet për të cilat nuk kishin zbritur ajete, i zgjidhte duke u konsultuar me shokët e tij, dhe i këshillonte ata të vepronin në të njëjtën mënyrë. Vetë Profeti (a.s.) thotë: “… Allahu i Madhëruar e zbriti atë (konsultimin) si mëshirë mbi umetin tim. Prej tyre, kush konsultohet nuk humb rrugën nga e drejta. Dhe kush e braktis këshillimin, nuk shpëton nga gabimi.” (Bejhaki) Gjihashtu ka thënë: “Nëse udhëheqësit tuaj janë më të mirët ndër ju, nëse të pasurit tuaj janë njerëz bujarë dhe veprat tuaja kryhen me konsultim, atëherë, sipër tokës është më mirë për ju se sa poshtë saj…”(Tirmidhi)
Këto direktiva hyjnore këmbëngulëse, si dhe ekzsperienca mbarënjerëzore kanë treguar se një person i mbyllur, që nuk respekton mendimin e të tjerëve, edhe sikur të ketë temperament të lartë e të jetë gjeni, do të shikojmë që gabon më shumë, në krahasim me dikë tjetër, i cili e konsulton mendimin e tij. Njeriu më i zgjuar është ai, i cili respekton konsultimin dhe përfiton më shumë nga mendimet e të tjerëve. Sepse këshillimi është një kala kundër pishmanllëkut. Ndërkohë, ç’ka e bën njeriun pishman është këmbëngulja në mendimin e vet. Aliu (r.a) ka thënë: “Konsultimi është burim udhëzimi. Ai që nuk këshillohet, rrezikon.”
Prandaj kultura e sjelljes së një besimtari është që, para se të nisë një punë, merr të gjitha masat e duhura duke bërë çdo konsultim të nevojshëm, në mënyrë që të shmangë sa më shumë gabimet. Përndryshe, më pas do të kërkojë fajtorë duke drejtuar gishtin ndaj dikujt, ose do të kritikojë kaderin, caktimin e Zotit. Para se të vendoset për një çështje, nëse fundi nuk mendohet mirë dhe nëse nuk bëhet këshillimi me personat e duhur, zhgënjimi dhe pendesa janë të pashmangshme.
Në thelb, metoda që duhet ndjekur në këshillim, është diskutimi dhe rrahja e përbashkët e mendimeve. Qëllimi parësor i tij është qartësimi i të vërtetës, dhe arritja e mendimit të kulluar. Në diskutim, parim themelor është respekti karshi mendimit të palës tjetër, duke u treguar sa më mirëkuptues.
Ndonjëherë mendimet dhe sugjerimet tona na duken shumë origjinale. Por nuk është e drejtë të kemi pritshmëri, që ato të mirëpriten prej të gjithëve. Ne duhet të respektojmë mendimin e çdokujt. Pasi dëgjon mendimet e të tjerëve, qasja e myslimanit është e tillë: “Ju keni shumë të drejtë. Unë e hedh firmën nën çdo fjalë a propozim tuajin. Mirëpo edhe mua më ka ardhur një ide e tillë. Ç’mendim keni për të?”
Në anën tjetër rrahja e mendimeve nuk duhet të kthehet në debat. Prej debatit nuk lindin rrezatime të të vërtetës, por përçarje, kategorizime e ndasi mes “të vërtetash”.
Por ka edhe një çështje tjetër që duhet theksuar. Këshillimi bëhet me përgjegjësit e punës dhe me njerëzit e fushës. Këshillimi nuk është një mundësi për tu shfryrë. Përndryshe kthehet në një lëmsh pa sens dhe në shumë raste në thashetheme pa fund. S’ka nevojë ta vërdallosim fjalën. Është mëse e qartë që kjo sjellje të çon direkt e në gropën e xhehenemit.
Një sahabiu të nderuar i qe bërë një pyetje, të cilës ai i qe përgjigjur menjëherë. Pasi mbaron fjala e tij, radha i vjen Hasan Basriut, një prej më të mëdhenjve të tabiinëve. Asohere ishte në moshën 25-30 vjeçare. Sapo filloi të fliste, sahabiu fisnik u magjeps prej fjalëve të tij dhe tha: “Pse vini të na pyesni neve, kur pranë jush keni një njeri të këtillë?” Prandaj në këshillim nuk mendohet prestigji, kurrsesi uni, por vetëm hatri i Allahut, që është me të drejtën. Është thënë: Hatri i Allahut është i lartë, ai nuk mund të sakrifikohet për hatër të askujt./insi.al/