Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

klasifikimi i hadithit

Duhet thënë dhe duhet pranuar që normalisht pyetja “Përse nuk e pranoni këtë hadith, ndërkohë që Profeti (a.s) ka thënë që kudo që të gjeni hadithin tim pranojeni atë dhe praktikojeni?” nuk ka fort kuptim për një person që e njeh pak fikhun dhe natyrën e tij. Kurse fakti, që personi i cili nuk i jep dot përgjigje pyetjes së mësipërme s’ka asnjë domethënie, përveçse personi në fjalë nuk e njeh fikhun dhe argumentin. Patjetër që kur pas kësaj pyetjeje të parë të lënë pa përgjigje vjen një e dytë ku të thuhet “Si guxon të mos ndjekësh hadithin e Profetit (s.a.s)?!”, atëherë këtu njerëzit hyjnë në “krizë identiteti”(!). Ndërkohë që çështja është më e thjeshtë. Një ndjekës i Medhhebit Maliki nuk merr për bazë një hadith të caktuar, sepse nuk e ka marrë për bazë medhhebi apo imami i tij, dhe jo sepse ka bërë kërkime e studime dhe në fund ka mbërritur në rezultatin se “x” hadith nuk është i përshtatshëm për argumentim.

Nisur nga kjo, na del përpara një çështje tjetër e rëndësishme. Dhe ai është fakti që ndjekësit e një medhhebi të caktuar nuk ndjekin argumentin, por fetvanë, e cila është konkluzioni i një pune të gjatë analize juridiko-fetare nga personat adapt të kësaj pune. Nëse çdokush do ta jetonte fenë duke deduktuar vetë konkluzionet nga ajetet dhe hadithet, atëherë do të përballeshim me një kaos total. Realiteti gjithashtu na tregon që edhe personat, të cilët kërkojnë nga një argument (ajet apo hadith) për çdo vepër që kryen dikush, në fakt ndjekin fetvatë dhe interpretimet e një dijetari tjetër. Nëse ky dijetar nuk është Imam Ebu Hanife, është Imam Shafiiu; e nëse s’është Imam Shafiiu, atëherë është Ibn Tejmije. Kjo nuk është mangësi. Përkundrazi, është ndërgjegjshmëri dhe përsosmëri. Ndërgjegjshmëri, sepse personat në fjalë janë të ndërgjegjshëm që s’mund të bëjnë të vetëm, atë që kanë bërë së bashku qindra dijetarë ndër vite me një sistem juridik që sa vjen dhe përsoset. Si dhe është përsosmëri në të jetuarit të fesë, sepse ndjek shembullin më ideal.

Për të qenë më konkret mund të marrim rastin e klasifikimit të haditheve në aspektin e transmetimit, sipas secilit medhheb.

1 – Medhhebi Hanefi

Hanefitë, nga aspekti i transmetimit, i ndajnë sunetet në tri kategori:

a) Suneti muteuatir (المتواتر): Një hadith arrin në gradën muteuatir në momentin që në secilën nga tri brezat e parë (sahabët, tabiunët dhe etbau’t-tabiunët) ka aq shumë transmetues saqë ta kenë të pamundur të bashkohen në gënjeshtër. Kjo është e vlefshme për të tri brezat e parë. Ky është kushti i teuaturit dhe për këtë nuk ka një numër të caktuar transmetuesish.

b) Suneti meshhur (المشهور): Nëse kushti i mësipërm nuk plotësohet në brezin e sahabëve, por plotësohet në brezat e tabiinëve dhe të etbau’t-tabiunëve, atëherë hadithi është në gradën meshhur, një gradë poshtë muteuatirit. Zakonisht këta janë hadithet e transmetuar nga 1 ose 2 sahabi, dëgjuesit tabiunë të të cilëve kanë qenë të shumë të numër.

c) Suneti ahad (الآحاد): Nëse kushti i teuaturit nuk plotësohet edhe brezin e sahabëve, edhe në atë të tabiunëve, pavarësisht se mund të plotësohet në brezin e etbau’t-tabiunëve, hadithi është në gradën e tretë, gradën ahad. Kjo është grada më e ulët sipas juristëve. Ndryshe mund të thuhet që ahad është çdo sunet që nuk arrin në gradën meshhur. Këtu përfshihet pjesa më e madhe e haditheve sahih. Hadithet ahad nuk përmbajnë informacion të prerë. Informacioni, që vjen prej tyre është gjithmonë i dyshimtë. Pavarësisht se hadithi mund të jetë sahih (autentik), nëse është në gradën ahad, atëherë ai është gjithmonë i diskutueshëm. Duke qenë kështu, çështja është shumë e ndjeshme, prandaj çdo medhheb ka përcaktuar një metodë për aplikimin e sunetit ahad. P.sh.: Hadithet ahad nuk mund të merren për bazë në çështjet e besimit. Por kjo është një temë më vete.

2 – Medhhebet e tjerë

Sipas juristëve tjerë përveç hanefive, suneti ndahet në dy lloje sipas transmetimit: Sunet muteuatir dhe sunet ahad. Kurse suneti meshhur, që më sipër u përmend si një kategori më vete, këtu është i shpërndarë në llojet e sunetit ahad. Domethënë, sipas juristëve të tjerë mund të mos merret parasysh termi sunet meshhur kur bëhet fjalë për aspektin teknik. Në logjikën e tyre, nëse një sunet nuk është muteuatir, atëherë është ahad. Ky grup juristësh e ndajnë sunetin ahad në tri lloje: Garib, aziz dhe mustefid.

a) Suneti garib (الغريب): Garib është suneti, në zinxhirin e të cilit ka nga një transmetues për çdo brez, ose që në njërin nga tri brezat ka vetëm një transmetues, e në të tjerët një ose më tepër.

b) Suneti aziz (العزيز): Aziz është suneti në zinxhirin e të cilit ka nga dy transmetues për çdo brez, ose që minimalisht në njërin nga tri brezat ka dy transmetues dhe në të tjerët dy ose më tepër.

c) Suneti mustefid (المستفيض): Mustefid është suneti në zinxhirin e të cilit ka minimalisht nga tri ose më tepër transmetues për çdo brez.

Domethënë logjika është kjo: Nëse në një nga tri brezat (sahabi, tabiun, etbau’t-tabiun) numri i transmetuesve bie në një, atëherë ky është garib; nëse bie në dy, atëherë është aziz; nëse nuk bie nën tri, atëherë është mustefid. Por gjithmonë s’duhet harruar fakti, që këta transmetime nuk arrijnë gradën muteuatir.

Si konkluzion, kuptojmë se, sipas shumicës së juristëve, që një transmetim të merret parasysh për argumentim nuk mjafton të ketë varg transmetimi sahih (autentik). Që në momentin që hadithi nuk është muteuatir apo meshhur, nisin diskutimet për argumentueshmërinë e tij. Këtu mund të dallohet deri diku edhe ndryshimi mes logjikimit të juristëve dhe dijetarëve të hadithit në lidhje me transmetimet profetike (s.a.s)./insi/

Shënim: Përkufizimet janë marrë nga libri i metodologjisë së jurisprudencës islame i përgatitur nga autori bashkëkohor Zekijjudin Sha’ban.

Përktheu: Dr. Elton Karaj