Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Hadith ahad

Nga Elton Karaj

Çdo sunet/hadith/transmetim që nuk mbërrin gradën meshhur është në gradën ahad. Nëse hadithi është në gradën “muteuatir” ose “meshhur”, atëherë autenticiteti i tij s’mund të vihet në diskutim. Nëse është ahad, atëherë hadithi është gjithnjë i diskutueshëm. Për këtë arsye juristët kanë vendosur disa kushte për aplikimin e informacionit që vjen me këtë rrugë. Në fakt edhe dijetarët e hadithit të cilët e ndajnë hadithin në “sahih” (autentik), “hasen” (i shëndoshë) dhe “da’if” (i dobët), në fakt kanë bërë klasifikimin e haditheve ahad. Sipas kësaj një pjesë e madhe e haditheve ahad janë në gradën sahih.

Të njëjtin lloj transmetimi juristët, që ndjekin metodën “mutekel’limin” e kanë klasifikuar në “garib”, “aziz” dhe “mustefid”. Kurse juristët që ndjekin metodën “fukaha” nuk e kanë klasifikuar hadithin ahad, por kanë vendosur disa kushte në lidhje me aplikimin e këtyre haditheve.

Pika e përbashkët e kësaj teme është se të gjithë medhhebet e pranojnë transmetimin ahad si argument. Por ka edhe raste kur juristët nuk e pranojnë, duke u nisur nga dobësia e mundësisë së hadithit për të qenë fjalë e Profetit (a.s). Ja pra, për pranimin e haditheve ahad, secili prej medhhebeve ka ndërtuar një metodologjinë përkatëse. Kështu, çdo medhheb ka vendosur disa kritere për vlefshmërinë e transmetimeve ahad. Disa prej këtyre kritereve janë të përbashkët për çdo medhheb dhe disa të tjerë jo. Prandaj, në krye do të përmendim kushtet e përbashkëta/përgjithshme dhe pastaj ato specifike të secilit medhheb.

Në kët shkrim do të përmendim kriteret e përgjithshme, që kërkohen nga çdo jurist për të marrë transmetimin në konsideratë. Këto janë kushtet minimale që duhet të plotësojë një transmetim për tu përfshirë në orbitën e konsideratës së studiuesve. Nëse mungon një prej këtyre, atëherë transmetimi nuk mund të përfshihet në diskutim as për çështjet besimore, as për çështjet juridike.

Transmetuesi i hadithit duhet të ketë tiparet e mëposhtme:

1 – Të jetë në moshën e pubertetit dhe të jetë i shëndoshë mendërisht. Nëse një person e ka dëgjuar hadithin në fëmijëri e ka të lejuar ta transmetojë atë pasi ka shkelur në moshën e pubertetit.

2 – Të jetë mysliman: Në fakt ky është një nga tiparet më të natyrshëm që mund të përmbajë transmetuesi. Duke qenë mysliman ai i njeh çështjet e fesë dhe kjo pikë është e rëndësishme.

3 – Të jetë adil/i drejtë (عادل): Në terminologjinë e hadithit kjo do të thotë që personi të ketë një jetë konform rregullave të fesë, të mos jetë mëkatar hapur dhe të qëndrojë larg tyre. Nëse ky person kryen të gjitha detyrimet e fesë, qëndron larg të ndaluarës dhe praktikon këshillat e fesë, atëherë e ka plotësuar kriterin e adaletit (drejtësisë).

4 – Të jetë dabit (ضابط): Kjo do të thotë që transmetuesi të jetë i saktë në memorizimin e hadithit dhe në përcjelljen e tij. Pra të jetë i aftë që ta memorizojë hadithin dhe ta shprehë në formën e drejtë sa herë që të jetë e nevojshme.

Duhet theksuar fakti që kriteret në fjalë kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me transmetuesin, pra janë tipare individualiste. Rrjedhimisht është dashur, që çdo individ, që ndodhet në një varg transmetimi, të analizohet nga të katër aspektet e mësipërme dhe në bazë të kësaj të vlerësohet hadithi në dimensionin e transmetimit. Për këtë është formuar shkenca e “Xherh dhe ta’dil”it. Hadithet që janë transmetuar nga persona, që i plotësojnë të gjitha tiparet e mësipërme, kalojnë me sukses etapën e parë të vlerësimit të tyre. Etapa e dytë, gjithmonë sipas juristëve, përbëhet kriteret që ka vendosur në vazhdim secili medhheb. Kjo do të jetë tema në vazhdim me leje të Allahut./insi.al/