Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Personat ose institucionet që kanë të drejtë ta pranojnë zekatin, mund ta marrin edhe sadakanë e fitrit, sepse atyre që iu takon zekati, iu takon edhe sadakaja e fitrit.

Në lidhje me destinaconin e zekatit Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata të cilëve u duhet fituar zemra (në Islam), për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Teube, 9:60)

Sadakaja e fitrit nuk mund t’i jepet personave që konsiderohen fetarisht të pasur, pra që zotërojnë sasinë e nisabit, pavarësisht nëse është efektiv ose jo). Gjithashtu, nuk mund t’i jepet bashkëshortes; paraardhësve të vet: babait, nënës, gjyshit dhe gjyshes; pasardhësve të vet: djalit, vajzës, nipit, mbesës dhe të tjerëve, që i ka nën kujdestarinë e tij.

Me rastin e dhënies së sadakasë së fitrit, duhet t’i jepet përparësi të varfërve të vendit pranë, mjedisit ku jeton, farefisit që mund të banojë edhe larg, të varfërve me sjellje morale të mirë, si dhe nxënësve të varfër.

Në realitetin e sotëm, është bërë praktikë, që përveç njerëzve të varfër, sadakaja e fitrit dhe zekati të jepen për fondet e bashkësive (komuniteteve) islame, të formuara në bazë të vendimeve të marra nga dijetarët kompetentë të çështjes. Materialet e grumbulluara nga sadakaja e fitrit dhe zekati orientohen në destinacionet përkatëse që dikton feja islame.

Allahu di gjithçka më së miri.