Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Shprese meshire falje

Të nderuar vëllezër e motra!

Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:

قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِنْ رَحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.”

(Zumer, 39:53)

Njeriu, krijesa më e bukur e Allahut (xh.xh) sa e përsosur, po aq edhe gabimtare është. Njeriu është gabimtar, ashtu siç thotë edhe vetë Profeti (a.s): “Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, por më i miri i gabimtarëve është ai që e kupton gabimin dhe kthehet prej tij”.

Kjo është natyra e njeriut. I tillë është krijuar ai. Atëherë do të thotë që njerëzit nuk kanë asnjë faj? Njeriut i është dhënë gjithashtu edhe natyra pozitive. Por i është dhënë edhe vullneti, për t’i dhënë drejtim veprave të tij. Askush nuk e detyron të bëjë keq. Nuk duhet harruar që çdo gjë e dhënë prej Allahut është në të mirë të njeriut. Edhe natyra gabimtare e tij është diçka pozitive nëse ai di ta menaxhojë. Në një hadith kudsi i Madhi Zot shprehet kështu: Nëse ju do të ishit popull që nuk gabon, Unë do t’ju fshija nga sipërfaqja e tokës e do të krijoja njerëz që gabojnë. Në mënyrë që t’më njihnit Mua si të Mëshirshëm.

Njeriu rron dhe gjen fuqi me shpresën e tij. Një person që ka humbur shpresën, nuk gjen asnjë pretekst për të vazhduar jetën dhe nuk merr asnjë kënaqësi prej saj. Prandaj Islami i fton besimtarët që në lidhje me çështjen më madhore, që është llogaria në ditën e kiametit, të jenë me shpresë të madhe. E fton të jetojë me frikën se mos ka merituar dënimin apo se mos nuk ka sukses në gjykatën e madhe, por gjithashtu dhe sidomos një ndjenjë shprese se do të jetë i sukseshëm. Kjo sjell ekuilibër në jetën tonë.

Allahu ka deklaruar që:

وَرَحْمَتِي وَسِعَتْ كُلَّ شَيْءٍ

“Mëshira Ime ka kapluar çdo gjë.”

Në një hadith kudsi Zoti i Lartëmadhëruar shprehet:

 عن أنس رضي الله عنه قال، سمعت رسول الله صلى الله عليه وسلم يقول: “قال الله تعالى: يا ابن آدم إنك ما دعوتني ورجوتني غفرت لك على ما كان منك ولا أبالي. يا ابن آدم لو بلغت ذنوبك عنان السماء ثم استغفرتني غفرت لك. يا ابن آدم لو أتيتني بقراب الأرض خطايا ثم لقيتني لا تشرك بي شيئا لأتيتك بقرابها مغفرة” رواه الترمذي وقال: حديث حسن صحيح.

“O bir i Ademit! Përderisa t’më drejtohesh Mua e t’më lutesh Mua, çfarëdolloj mëkati të bësh unë do të ta fal.

O bir i Ademit! Edhe sikur mëkatet e tua të arrijnë kufijtë e qiellit Unë përsëri do të t’i fal ato.

O bir i Ademit! Nëse më vjen me mëkate sa e githë dynjaja, por pa më bërë shirk, do të t’i fal të gjitha ato.” (Tirmidhi)

Kjo është mëshira e Zotit prej së cilës nuk pritet asnjëherë shpresa. I dërguari i Allahut (a.s) në njërën prej perlave të tij na tregon kështu: “Allahu shtrin doren e Tij naten qe te pendohet kush ben mekate diten, dhe shtrin doren e Tij diten qe te pendohet kush ben mekate naten, derisa dielli te linde andej nga perendon”.

Profeti (a.s) tërheq vëmendjen duke thënë që kur njeriu pendohet për mëkatet që ka vepruar, Allahu ëshë më i Gëzuar se një njëri që rigjen devenë e tij pasi e ka humbur atë në mes të shkretëtirës”.

Si të humbësh shpresën tek Allahu, pasi Ai është kaq i mëshirshëm. Por çelësi i suksesit është të kesh fituar mëshirën e Tij.

Allah una mbuloftë me mëshirën e Tij të pafundme!