Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Tre Muajt e begate, Rexheb, Regaib, Miraxh

Të nderuar besimtarë e besimtare!

Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:

وَٱعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ ٱلْيَقِينُ

“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (Hixhr, 15:99)

Sapo kemi shkelur në muajin Rexheb, të parin ndër tre muajt e mëdhenj; Rexheb, Shaban dhe Ramazan. Allahu ka deklaruar në Kuranin Famëlartë, që ndër 12 muaj të vitit, 4 prej tyre janë haram. Kjo do të thotë që keqbërja, zullumi, padrejtësia apo lufta, të cilat në kushte normale janë gjithmonë të ndaluara, në këta 4 muaj janë edhe më të ndaluara, sepse krahas të qenit vepra të urryera, bëhet fjalë edhe për shkeljen e një besëlidhjeje mes arabëve, sipas së cilës në muajt haram veprat e shëmtuara nuk lejoheshin në asnjë kusht. Kjo është një traditë, e cila thuhet se buron prej kohës së Ibrahimit (a.s). Mbijetuar ndër shekuj, kjo ishte një marrëveshje aq e fortë, saqë muaji rexheb, një prej muajve haram, ndryshe quhej muaji i shurdhër. Quajtur kështu për shkak se kur dikush dëgjonte që i kishin vrarë një familjar, ai sillej si i shurdhër nisur nga vullneti për të respektuar këtë marrëveshje.

Allahu e vlerësoi këtë zakon në Kuranin Famëlartë, dhe Profeti (a.s) shpalli se këta muaj janë Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Profeti (a.s) cilësoi gjithashtu, se agjërimi është një vepër shumë e vyer për tu kryer gjatë muajve haram. Ibn Maxhe transmeton se Profeti (s.a.s.) ka këshilluar kështu: صم أشهر الحرم  “Agjëro muajt haram!” Ndërkohë që Ebu Daudi transmeton një hadith nga Muxhibe el-Behilijje se Profeti (s.a.s.) i ka thënë tri herë babait të saj: صم من الحرم واترك “Agjëro në muajt haram dhe një pjesë braktise!” Në mënyrë që mos t’i përngjasojë agjërimit të muajit Ramazan.

Prandaj, agjërimi ka fituar një vlerë të veçantë në këtë muaj të bekuar të Rexhebit. Aq sa gjejmë edhe personalitete si Ibn Omer, el-Hasan el-Basri dhe Ebu Is’hak (r.anhum), që i agjëronin të gjithë muajt haram. Sufjan eth-Theuri i bashkohet këtij grupi me fjalën e tij: “Më pëlqen që muajt haram t’i kaloj me agjërim”.

Në anën tjetër, besimtari i vetëdishëm që gjendet në muajin haram, bën më tepër kujdes në sjelljet e tij. Nëse një burrë para 15 shekujsh, i rritur në mes të shkretëtirës, ku e vetmja mënyrë për të fituar të drejtën ishte vetgjyqësia, gjente forcën për të mos reaguar për nder të fjalës së dhënë, vallë si duhet të sillet një mysliman që jeton në vitin 2025? Për më tepër që myslimani është gjithmonë pro butësisë, urtësisë, paqes dhe mirësjelljes. Gjatë muajve haram duhet të jetë edhe më tepër i tillë.

Dhe ky muaj starton me lutjen e Profetit (a.s), të regjistruar nga Ahmed b. Hanbel dhe Bejhakiu. Nga Zijad et-Temimi transmetohet se kur hynte muaji Rexheb, Profeti (s.a.s.) bënte lutje si në vijim: اللهم بارك لنا في رجب وشعبان وبلغنا رمضان “Zoti ynë! Na e bëj të begatë Rexhebin dhe Shabanin, dhe bëj të arrijmë muajin e shenjtë të Ramazanit”.Sepse rexhebi krahas të qenit muaj haram dhe muaj agjërimi, është edhe pararojë e muajit ramazan. Fakti që gjendet kaq afër muajit më madhështor të vitit, e ka përfshirë atë në lutjen e bekuar të Profetit Muhamed (s.a.s), lutje që në fakt shumë natyrshëm zgjon tek të gjithë ne ndjenjat e thella të takimit me muajin e bekuar ramazan. Prandaj lutja e çdo dite duhet të jetë اللهم بارك لنا في رجب وشعبان وبلغنا رمضان “Zoti ynë! Na e bëj të begatë Rexhebin dhe Shabanin, dhe bëj të arrijmë muajin e shenjtë të Ramazanit”.

Dy elemente të tjerë që e veçojnë muajin rexheb janë Nata e Regaibit dhe Nata e Miraxhit. Nata e Regaibit është vendosur si stacioni i parë, që lajmëron nisjen e periudhës së veçantë dhe shumë të begatë të një udhëtimi që të çon në Ramazan. Prandaj kremtimi i saj është kthyer në traditë. Po kështu ka ndodhur edhe me Natën e Miraxhit, e cila mendohet të ketë ndodhur në natën e 27 të muajit Rexheb, pavarësisht se kjo datë është e diskutueshme. Një pjesë e dijetarëve kanë thënë që datat janë të diskutueshme, por që Regaibi gjendet në çerekun e parë të Rexhebit dheMiraxhi në çerekun e fundit të tij.

Besimtarët janë grumbulluar së bashku, duke marrë spunto nga hadithi i Profetit (a.s) kuptimi i zgjeruar i të cilit është: aty ku besimtarët grumbullohen për të lexuar, studjuar dhe jetuar Librin e Allahut, zbresin engjëjt, i mbështjellin ata, mëshira dhe qetësia zbret në mesin e tyre dhe Allahu i përmend ata ndër njerëzit prej të cilëve Ai është i kënaqur. Kështu përkujtohet fakti që ka nisur një periudhë e veçantë dhe e begatë në Natën e Regaibit dhe në rastin e dytë përkujtohet udhëtimi i jashtëzakonshëm plot mesazhe i Profetit (a.s). Ne jemi njerëz dhe harrojmë, humbim përqendrimin, kemi nevojë që hoxhallarët t’na kujtojnë dhe këshillojnë. Prandaj, duke qenë se vlera e këtyre muajve dhe netëve është e pamohueshme, të bësh propagandë kundër tyre apo kremtimeve brenta rrethit të Kuranit dhe Sunetit Profetik (a.s), është minimalisht mungesë e theksuar respekti ndaj burimeve të fesë, është e shëmtuar dhe e pavend.

Në anën tjetër, Zotëruesi i fesë, Allahu Fuqiplotë nuk ka ngarkuar askënd me përgjegjësi të veçanta, sidomos gjatë këtyre netëve. Prandaj edhe të fokusohesh vetëm te këto netë, duke harruar ditët e tjera të muajit apo duke vendosur adhurime me emërtime, që, qoftë edhe nga larg, qartazi nuk burojnë nga Profeti (s.a.s), të sjellin në mendje idenë sikur feja ka pasur nevojë të shtosh diçka. Në fakt këtë nuk e ka thënë dhe nuk e ka pretenduar askush, por nëse humbim ekuilibrin, atëherë besimtarët e thjeshtë mund të bien në të tilla mendime. Hasha, feja ka ardhur e plotë dhe e përsosur.

Ne do t’i kremtojmë netët e mira brenda kornizës së praktikave fetare, do të përmendim patjetër hyrjen e tre muajve, do të theksojmë edhe si mund të shfrytëzohen këto kohëra të bekuara. Por me sa kuptohet, këtu bëhet fjalë për vazhdimësi. Bazuar në transmetimet e shumta dhe tepër konçize, mund të thuhet, që Nata e Kadrit me 99% është në 10 netëshin e fundit të ramazanit, por Imami yni i Madh, udhërrëfyesi ynë më i rëndësishëm pas Profetit (a.s), Kryejuristi i tërë kohërave, për të cilin Imam Shafiiu shprehet se tërë njerëzit janë vazhdimësi e familjes juridike të formuar prej tij, Ebu Hanife, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë se Kadrin e arrin ai që çdo natë të vitit e vlerëson si Natë Kadri. Pra nuk është çështje një nate, tri netësh, netësh tek, 10 netësh apo qoftë edhe tërë ramazanit, por është çështje e tërë jetës.

S’ka dyshim që prej netëve të mira dhe begative që burojnë prej Allahut në këto periudha të veçanta, do të përfitojë më shumë ai që tregohet këmbëngulës, që do t’i kërkojë ato më tepër, që do të përpiqet t’i ndjekë hap pas hapi. Kjo është një karakteristikë e veçantë e fesë sonë, e cila e nxit besimtarin që të ketë gjithnjë një jetesë fetare plot gjallëri. Shiko, për muajin ramazan ka vendosur 2 muaj përgatitje. Pas muajit ramazan ka vendosur 6 ditë agjërimi të shevalit, më pas pa kaluar shumë nisin muajt e haxhit, e këshu me radhë vijon.

Prandaj Profeti (a.s) këshillon agjërimin gjatë muajit Rexheb dhe transmetohet që vetë ka agjëruar. Në muajin Shaban ka agjëruar edhe më shumë, në muajin Ramazan “shtrengonte rripin”. Po kështu me namazet, po kështu me leximin e Kuranit. E tërë përpjekja ishte të arrihej një nivel cilësor i jetës fetare dhe jo të shkëlqenin vetëm disa ditë e disa netë.

Kjo s’do të thotë që netët e mira s’duhen vlerësuar, sepse po themi të kundërtën. Por pa diskutim që arritja e përfitimeve të vërteta dhe më të larta prej këtyre netëve, realizohet sipas përgatitjes shpirtërore që ne kemi arritur në kohë. Fitore të menjëherët, “falas”,brenda një nate s’ka, përveç mëshirës së Allahut Fuqiplotë. Fitorja arrihet me stërvitje të gjata, përgatitje serioze, përkushtim maksimal dhe vazhdueshmëri. Siç ka theksuar Profeti (a.s):

سَدِّدوا وقارِبوا واعلموا أنه لن يُدخِلَ أحدَكم عملُه الجنَّةَ وأنَّ أحبَّ الأعمالِ إلى الله أدومُها وإن قَلَّ

Përpiquni, afrohuni me Allahun Teala, por të dini që veprat tuaja nuk ju fusin në xhenet. (Rëndësi ka të fitoni kënaqësinë e Allahut, prandaj shikoni cila është vepra më e dashur prej Tij) Vepra më e dashur prej Allahut është e vazhdueshmja, pavarësisht se pak. (Buhari)

Prandaj edhe Allahu e ka urdhëruar kështu Profetin (a.s):

وَٱعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ ٱلْيَقِينُ ٩٩

“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (Hixhr, 15:99)