Kuptimi leksikor i fjalës “Kuran”
Megjithëse rreth çështjes ka mendime të ndryshme, më i pranuari është, që fjala “Kuran” vjen nga trajta “gufrân” dhe ka kuptimin “lexim” nga folja “ka-ra-e”. Këtë formë e kemi të shprehur edhe në Kuran:
اِنَّ عَلَيْنَا جَمْعَهُ وَقُرْاٰنَهُ فَاِذَا قَرَاْنَاهُ فَاتَّبِعْ قُرْاٰنَهُ
“Leximi dhe mbledhja e Kuranit në zemrën tënde është detyra jonë. Atëherë, kur Ne lexojmë Kuran, ti na ndiq!”[1]
Njëkohësisht, rreth prejardhjes së fjalës “Kuran” ka edhe qasje të tjera, si p.sh.: “karîne”, që do të thotë përngjasim, për shkak se disa ajete përngjasojnë me njëri-tjetrin; ose nga folja “ka-ra-ne”, që do të thotë afrim; ose që nuk rrjedh nga asnjë fjalë, por që është emër i veçantë, ose që vjen nga emri “el-kar’u” në trajtën “fu’lân”, kuptimi i së cilës është “përmbledh”.
Kuptimi terminologjik i “Kuran”-it
Rreth Kuranit janë bërë shumë përkufizime terminologjike, por ai më gjithëpërfshirësi është si më poshtë:
اَلْقُرْآنُ هُوَ كَلَامُ اللهِ الْمُنْزَلُ عَلَى سَيِّدِنَا النَّبِيِّ مُحَمَّدٍ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ الْمَكْتُوبُ فِي الْمَصَاحِفِ الْمَنْقُولُ بِالتَّوَاتُرِ الْمُتَعَبَّدُ بِتِلَاوَتِهِ الْمُعْجِزُ وَلَوْ بِسُورَةٍ مِنْهُ
“Është fjala muxhize e Allahut, e zbritur Profetit Muhammed (s.a.s) me anë të vahjit[2], e shkruar në mus’hafe, e transmetuar me teuatur, me leximin e të cilit kryhet adhurim”.
Të zgjerojmë paksa përkufizimin e mësipërm:
1 – Fjala e Allahut e zbritur Profetit Muhammed (s.a.s) me anë të vahjit: Do të thotë, që sado e përsosur të jetë, asnjë fjalë tjetër nuk mund të emërtohet si fjalë e Allahut. Kjo, qoftë fjalë e ndonjë njeriu të veçantë, qoftë fjalë e Profetit (a.s), nuk ka asnjë dallim nga kjo pikëpamje. Njëkohësisht, është theksuar se i është zbritur Hz. Muhammedit (s.a.s). Dmth., librat e tjerë të zbritur më parë si Ungjilli, Teurati apo Zeburi, nuk mund të emërtohen me fjalën Kuran.
2 – E shkruar në mus’hafe[3]: Edhe ky është një tipar dallues i Kuranit. Ka nisur të shkruhet nga shkruesit e vahjit që në momentin që është zbritur. Profeti (s.a.s) diktonte tekstin hyjnor dhe shkruesit e shënonin atë identikisht në sende të ndryshme si dërrasa, lëkurë kafshësh, kocka, etj. Në të njëjtën mënyrë është grumbulluar dhe përsëri në të njëjtën mënyrë është shtuar. Kështu, Kurani ka arritur deri në ditët e sotme me një korrektësi të madhe.
3 – E transmetuar me teuatur: Teuatur do të thotë “diçka e transmetuar nga një grup njerëzish, të cilët e kanë të pamundur të bashkohen në gënjeshtër”. Dmth., një lajm i transmetuar në të njëjtën formë nga aq shumë persona sa është e pamundur që këta të kenë bërë ndonjë marrëveshje bashkë me njëri-tjetrin për t’u bashkuar në të njëjtin mendim. Për këtë arsye, është e pamundur që Kurani të jetë transmetuar me gabime.
Gjithashtu, Kurani është ruajtur edhe me shkrim, gjë që e shton gradën e teuaturit.
4 – Me leximin e të cilit kryhet adhurim: Në fakt, leximi i Kuranit, qoftë në namaz, qoftë jashtë tij, është adhurim. Që namazi të jetë i pranueshëm, është kusht të lexohet një pjesë nga Kurani në arabisht.
Këtu bëhet edhe dallimi midis fjalës së Allahut që ndodhet në Kuran dhe asaj që nuk ndodhet në të. Fjalët e Allahut që nuk janë përfshirë në Librin e Shenjtë janë quajtur hadith kudsî.
5 – Fjalë muxhize: Veçoria më e madhe e Kuranit është pashkrueshmëria e tij nga dora e njeriut. Njerëzit nuk kanë arritur asnjërehë të kompozojnë diçka sadopak të ngjashme me tekstin e Kuranit. Këtë veçori e kanë të gjitha suret kuranore, nga më e gjata, deri tek më e shkurtra. Ky është njëkohësisht është edhe argumenti më i qartë e më i fortë rreth qenies së këtij libri “fjalë e Zotit”.
Kjo është sfida më e madhe që Kurani i ka bërë të gjithë njerëzve, të cilët nuk besojnë se Kurani është fjalë e Allahut. Në Kuran thuhet:
قُلْ لَئِنِ اجْتَمَعَتِ اْلاِنْسُ وَالْجِنُّ عَلٰى اَنْ يَاْتُوا بِمِثْلِ هٰذَا الْقُرْاٰنِ لاَ يَاْتُونَ بِمِثْلِهِ وَلَوْ كَانَ بَعْضُهُمْ لِبَعْضٍ ظَهِيرًا
“Thuaj: ’Betohem se, sikur njerëzit e xhindët të mblidheshin për të shkruar diçka të ngjashme me këtë Kuran, ata nuk do t’ia arrinin qëllimit të tyre edhe sikur të mbështeteshin tek njëri-tjetri!’”[4]
وَاِنْ كُنْتُمْ فِى رَيْبٍ مِمَّا نَزَّلْنَا عَلٰى عَبْدِنَا فَاْتُوا بِسُورَةٍ مِنْ مِثْلِهِ وَادْعُوا شُهَدَاءَ كُمْ مِنْ دُونِ اللّٰهِ اِنْ كُنْتُمْ صَادِقينَ فَاِنْ لَمْ تَفْعَلُوا وَلَنْ تَفْعَلُوا فَاتَّقُوا النَّارَ الَّتِى وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ اُعِدَّتْ لِلْكَافِرِينَ
“Nëse keni ndonjë dyshim në atë çka i kemi zbritur robit Tonë, atëherë sillni edhe ju një sure të ngjashme me suret e tij. Madje, nëse pretendimi juaj është i drejtë, ftoni edhe të gjithë të tjerët veç Allahut për ndihmë! Por nëse nuk arrini ta realizoni një gjë të tillë, që nuk e realizoni dot, atëherë frikësojuni zjarrit të përgatitur për mosbesimtarët, shkarpat e të cilit janë njerëzit e gurët.”[5]
Disa nga emrat e Kuran-it Famëlartë
Kurani ka emërtime të ndryshme. Disa prej tyre janë si më poshtë:
el-Kitab: Libër. Merr këtë emër për shkak se mbledh në një vend shkronjat dhe fjalitë.
Nûr: Dritë. Ndriçon udhën e drejtë të hidajetit dhe shpëtimit.
Furkân: Dallues. Kurani bën dallimin midis së drejtës dhe të gabuarës, besimit dhe blasfemisë, hallallit dhe harramit, të mirës dhe të keqes.
Dhikr: Përkujtues. I përkujton njerëzve Allahun, atributet dhe udhëzimin e Tij. Gjithashtu përkujton edhe llogarinë në ditën e kiametit.
Shifa: Shërim. Kurani është vetë shërimi nga sëmundjet materiale dhe shpirtërore. Ai të shëron nga sëmundja e mosbesimit, shirkut, dyfytyrësisë, etj. Çdo sëmundje e zemrës shërohet me të.
Gjithashtu ka edhe emra të tjerë si Rahmet, Hudâ, Meu’idha, Hikmet, Hablullah, Ahsenu’l-Hadîth, Tenzîl, Rûh, Vahj, Bejân, Hakk, el-‘Uruetu’l-Vuthkâ, Tedhkira, Adl, Sidk, Kasas, Bushrâ, Azîz, Beshîr, Belâg./insi.al/
——————–
[1] Kijâme 75/17-18.
[2] Vahj: Shpallje hyjnore.
[3] Mus’haf: Fleta të bashkuara me njëra-tjetrën, dmth., libër.
[4] Isra 17/88.
[5] Bekara 2/23-24.