Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

Te drejtat e kafsheve

Të nderuar besimtarë e besimtare!

Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:

ۗ وَعَدَ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ مِنْهُم مَّغْفِرَةًۭ وَأَجْرًا عَظِيمًۢا ٢٩

Besimtarëve që kryejnë vepra të mira Allahu u ka premtuar faljen dhe shpërblim të madh.”

(Fet’h, 29)

Sistemi i vlerave që ka sjellë feja jonë e madhe, Islami, në çdo situatë parashikon trajtim me mëshirë dhe dashuri jo vetëm të njerëzve, por të të gjitha krijesave të Allahut. Mëshira është manifestim i emrit të Allahut, Rrahman, dhe kjo ndjenjë e mëshirës që Zoti ynë i Plotfuqishëm na ka dhënë si natyrë është përgjegjësia jonë njerëzore, si ndaj njerëzve, ashtu edhe ndaj krijesave të tjera, në çdo moment të jetës sonë.

Në një hadith Profeti (a.s) ka thënë: اِرْحَمُوا مَنْ فِي الْأَرْضِ يَرْحَمْكُمْ مَنْ فِي السَّمَاءِ Tregoni mëshirë ndaj krijesave në tokë, t’ju mëshirojë Kush është në qiell (Ebu Daud, Adab, 58). Ai e donte krijimin për shkak të Krijuesit, nuk poshtëroi e as përçmoi asnjë krijesë të gjallë dhe për kafshët tha: “Sikur të mos ishin kafshët, nuk do të binte shi nga qielli” (Ibn Maxhe, Fiten, 22). Profeti (a.s) i shihte ato krijesa, që nuk kanë mëkat, si mjet mëshirë nga Allahu i Madhëruar.

Transmetohet që një ditë një deve nxiton drejt Profetit (a.s). Ajo ishte duke rënkuar dhe i rridhnin lotë nga sytë. Profeti (a.s) e përkëdheli derisa ajo u qetësua. Pastaj thirri: E kujt është kjo deve? Një djalë i ri prej ensarëve, banorëve të Medinës, u përgjigj: Është e imja. Profeti (a.s) më një shikim të vrenjtur e qortoi: A nuk ke frikë prej Zotit për këtë kafshë që të ka dhënë?! Kafsha ankohet se e ke lënë të uritur dhe e ke lodhur.”

Kështu, sepse Profeti (a.s) ishte mëshirë e gjallë për tërë botët dhe kafshët janë pjesë e tyre.

Pejgamberi ynë (a.s) e paralajmëroi umetin e tij që të mos qëndrojnë mbi kafshë më gjatë se ç’duhet: “Mos përdorni shpinën e kafshëve tuaja si minber. Zoti i vuri në shërbimin tuaj për t’ju çuar në një vend ku vështirë se mund të shkoni vetë.” “Plotësoni nevojat tuaja në tokë, jo në shpinën e kafshës suaj në këmbë.”(Ebu Daud, 2567)

Kur pa një klloçkë, që përplaste krahët e saj nga agonia, sepse i kishin larguar zogjtë, i Dërguari i Allahut (a.s.) i paralajmëroi ata që kishin bërë këtë dhe urdhëroi që asaj t’i riktheheshin të vegjëlit. (Ebu Daud, 2675-5268).

Profeti Muhamed (a.s) ndaloi rreptësisht lidhjen e një kafshe të gjallë dhe kthimin e saj në shënjestër për ta goditur (Muslim, 1907; Ebu Daud, 1475). Madje sipas disa transmetimeve, ai i mallkoi ata që e bënin këtë. (Buhari, Dhebaih, 25; Muslim, Sajd, 58-60). Ai nuk lejoi mundjen dhe luftimin mes kafshëve (Ebu Daud, 2562; Tirmidhi, 1708) dhe ndaloi gjuetinë e tyre thjesht për argëtim.

Ndërkohë që plotësimi i nevojave të kafshëve si ushqimi dhe strehimi çon në faljen e Zotit, lënia e kafshëve të uritura dhe të etura shkakton ndëshkimin e Tij. Prej thënieve të Profetit tonë (a.s) është se një grua e famëkeqe ka fituar faljen e Allahut të Madhëruar, sepse i ka dhënë ujë një qeni të etur në kushte të vështira dhe se një grua që ka burgosur një mace dhe ka shkaktuar ngordhjen e saj, është e destinuar për në ferr.

Kur pa një deve me barkun e saj të mbërthyer nga uria, tha: “Kini frikë Allahun për këto kafshë që s’kanë gojë të flasin” (Ebu Daud, Xhihad, 44)

Ai nuk e toleronte as ofendimin e kafshëve, veçanërisht goditjen e tyre në kokë dhe vulosjen e tyre në fytyrë (Muslim, Libas, 106-112).

Allahu na bëftë njerëz të kujdesshëm dhe të mëshirshëm ndaj krijesave të Tij!/insi.al/