
Sasinë e sadakasë së fitrit e ka përcaktuar Pejgamberi (a.s), kur ka thënë: “Një sa’ me hurma ose me elb, ose gjysmë sa’ me grurë”. Një sa’ është e barabartë me 3.350 kg.
Prandaj, sadakaja e fitrit duhet të jepet nga këto katër lëndë ushqimore: grurë, elb, hurma dhe rrush i thatë. Nga gruri ose mielli i grurit dhe nënproduktet e tij, jepet ½ sa’, kurse nga të tjerat jepet një sa’. Nga llojet e përmendura të ushqimeve, nënkuptohet që sasia e sadakasë së fitrit është përafërsisht sa ushqimi ditor i një të varfri. Transmetimet lidhur me këtë çështje tregojnë se lëndët ushqimore të dhëna në atë periudhë në emër të sadakasë së fitrit, kanë qenë lëndë konsumi bazike të shoqërisë dhe se ndërmjet masave të tyre ka ekuivalencë në vlerë. Prandaj, me fitrin është synuar të plotësohet ushqimi një ditor i një të varfri, sipas standardeve të shoqërisë ku ai jeton.
Kështu, ushqimi minimal një ditor është kthyer në kriterin përcaktues, i cili është përkthyer në vlerë monetare, duke qenë më praktik për shoqëritë aktuale. Nisur nga kjo çdo institucion përfaqësues dhe përgjegjës për çështjet e myslimanëve përcakton çdo vit shumën në vlerë monetare. P.sh., Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për vitin 2024 e ka përcaktuar sadakanë e fitrit në vlerën 400 lekë të reja për person.
Kjo është minimalja e fitrit, por kush jep më shumë se kaq, natyrisht që është më mirë dhe më e lavdëruar, sipas ajetit 184 në suren Bekara: “E ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të…” Kjo do të ndikonte në masë të konsideruar për shpëtimin e të varfërve nga lypja dhe për begatimin e sofrave të tyre së paku ditën e Bajramit.
Allahu di gjithçka më së miri.