Shpërndani faqen. Zgjidhni platformën që dëshironi!

tre muajt e begate

O ju që keni besuar? A doni t’ju tregoj për një tregti (përfituese për ju dhe) që do t’ju ruajë nga një dënim i dhembshëm? Besojini Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe përpiquni në rrugën e Allahu me vetet dhe pasuritë tuaja! Kjo është më e mirë për ju nëse do e dinit.” (Saf, 61:10-11).

E nisim përgjigjen me këtë ajet për të rikujtuar se qëllimi i ardhjes sonë në këtë botë është fitimi i kësaj tregtie të lartëpërmendur. Fitimi i një shpërblimi të përhershëm në një jetë të limituar mund të ndodhë duke shfrytëzuar si duhet “stinët e bonuseve” të mëshirës hyjnore kur punët shpërblehen deri në 700 fish apo akoma më shumë.

Periudha të caktuara, ku përqendrimi për adhurimin e Zotit është kolektiv, formojnë një atmosferë shpirtërore optimale që robi të forcojë besimin te Zoti dhe të përtërisë lidhjen që ka me Të. Kjo është një periudhë kohore ku njeriu mund të shohë me shpresë të ardhmen, duke reflektuar për mbarëvajtjen e deritanishme.

Për të treguar vlerën e këtyre muajve, në fillimin e tyre Profeti (alejhisselam) lutej kështu: “O Allahu im! Na begato neve në muajin Rexhep dhe Shaban, dhe na mundëso të arrijmë Ramazanin!” (Ahmed b. Hanbel, Musned, 4/180 (2346); Sujuti, Xhamiul Ehadith, 35704). Ndërsa Aisheja (r.anha) na tregon: “Nuk e kam parë Profetin të agjërojë (në muajt e tjerë, përveç Ramazanit) aq sa agjëronte në muajin Shaban.” (Muslim, Sijam 175).

Shkurtimisht po përmendim disa gjëra që mund të bëhen në këto muaj:

1) Fillimisht duhet të rishikojmë veten tonë dhe të bëjmë një vetëllogaritje se ku jemi me detyrat dhe përkushtimin ndaj adhurimit të Allahut (xh.sh).

2) Duhet ta konsiderojmë këtë kohë si një periudhë faljeje dhe të shtojmë pendimin dhe kërkimin e faljes.

3) Mund të rishikojmë namazet tona dhe të bëjmë një përpjekje për të përmirësuar cilësinë dhe përqëndrimin në to. Të shtojmë namazet me xhemat dhe nafilet.

4) Kjo kohë duhet parë si një mundësi rikthimi te Fjala e Zotit, Kurani Famëlartë. Mund të punohet për përmirësimin dhe shtimin e recitimit, kryerjen e hatmeve, si dhe leximin e tefsireve ose përkthimeve në gjuhën që kuptojmë.

5) Mund të bëjmë përpjekje që atmosfera e këtyre muajve të ndjehet edhe në familjet tona. Duhen nxitur dhe pjesëtarët e tjerë që të bëhen përfitues të kësaj stine mëshire me punë të mira.

6) Këshillohet të ripërtërijmë marrëdhëniet farefisnore me vizita dhe ftesa, dhurata ose mesazhe.

7) Mund të ndihmojmë të varfërit dhe njerëzit në nevojë dhe mund të përmirësojmë marrëdhëniet me fqinjët, etj.

Allahu di gjithçka më së miri!/insi.al/