Tefsir
Tefsir e ka prejardhjen prej rrënjës “fesr” dhe është në masdarin “tef’îl”. Fesr do të thotë të zbulosh diçka të mbuluar.
Por pranohet edhe që me fjalën fesr nuk nënkuptohet zbulimi me shqisa, por me intelekt.
Edhe tefsir dı të thotë të nxjerrësh në dritë një kuptim të mbuluar. Por, për shkak se kjo e fundit është në trajtën tef’îl, ka kuptim me të fortë sesa fesr. Në lidhje me Kur’anin është përdorur pikërisht në këtë kuptim.
وَلَا يَأْتُونَكَ بِمَثَلٍ إِلَّا جِئْنَاكَ بِالْحَقِّ وَأَحْسَنَ تَفْسِيرًا
“Pa dyshim që Ne të sjellim shpjegimin e vërtetë dhe më të bukur karshi shembullit që ata të sjellin”. (Furkan 25/33)
Në shqip tefsir do të thotë “interpretim, komentim dhe libra rreth tefsirit”.
Kurse dijetarët e tefsirit e përkufizojnë kështu këtë fjalë: “Shkenca, e cila ka për temë kuptimin e tekstit të Kur’anit, me aq sa i lejojnë njohuritë e gjuhës arabe dhe intelekti i njeriut”.
Përkufizimi më i njohur mes dijetarëve është kështu: “Të zbulosh kuptimet e Kur’anit dhe të sqarosh çka nënkuptohet nga fjalët e tij të huaja”.
Te’uîl
Fjala te’uil vjen prej “êle-je’ûlu-eulun”. Përsëri nga trajta tef’îl. Kuptimi i saj është “të kthehesh pas”. Kurse në trajtën tef’îl, fiton kuptimin “shpjegim, tefsir, sqarim, shtjellim, interpretim, etj”.
Megjithëse termat tefsir dhe te’uil janë trajtuar si të ndryshëm, përveç disa dallimeve, zakonisht ato janë përdorur në të njëjtin kuptim. Te’uil do të thotë që ajeti të interpretohet sipas njërit nga kuptimet e tij. Shumë dijetarë të tefsirit i kanë përdorur të dy termat në të njëjtin kuptim.
Sipas el-Begauîut: Te’uil do të thotë ta interpretosh kuptimin e ajetit në përputhje me ajetetet përpara dhe pas tij. Ta interpretosh pa rënë ndesh me Librin dhe Sunetin. Kurse tefsir do të thotë ta shpjegosh ajetin duke patur parasysh shkakun e zbritjes, kushtet e tjera dhe tregimin që përfshihet në të.
Sipas el-Mâturidîut: Tefsir: Të thuash në mënyrë të prerë që kuptimi i ajetit është pikërisht ai që po shpreh dhe për këtë të mbash dëshmitar Allahun. Nëse argumenti yt është i prerë, atëherë Allahu është dëshmitar i këtij tefsiri. Përndryshe është një tefsir i bazuar në mendim personal, gjë që është rreptësisht e ndaluar.
Te’uil: Të përzgjedhësh një nga kuptimet që janë të mundshme, por pa mbajtur dëshmitar Allahun dhe pa u bazuar në argumente të prerë.
p.sh: shumica e sahabeve e dinin tefsirin, por te’uilin e dinin shumë pak veta. Në krye të këtyre ndodhet Ibn Abbas (r.a), për të cilin i Dërguari i Allahut (s.a.s) ka bërë këtë dua: “Zoti im! Thelloje atë në dijet e fesë dhe mësoji atij te’uilin!”
Përkthim
Në leksik fjala përkthim do të thotë “të shprehësh kuptimin e një fjale nga një gjuhë në një gjuhë tjetër” ose “të ndryshosh një fjalë me një fjalë tjetër, e cila bart të njëjtin kuptim me të parën”.
Kurse kuptimi i saj në terminologji është “të shprehësh kuptimin e një fjale, me një shprehje tjetër të një gjuhe, e cila ka të njëjtin kuptim”.
Përkthimi është dy llojësh:
- Përkthim motamo:
Është përkthimi që i bëhet teksteve duke u përkthyer çdo fjalë në gjuhën tjetër. Ky lloj përkthimi është tepër i vështirë, sidomos për Kur’anin Famëlartë”.
- Përkthim me koment:
Të transmetosh kuptimin e një teksti pa qenë i kushtëzuar me fjalët dhe radhitjen e tyre në gjuhën prej së cilës po përkthejmë dhe duke shtuar edhe disa komente. Ky lloj përkthimi është shumë më i lehtë sesa i pari.
A mund të bëhet përkthimi i Kur’anit?
Në fakt, kush thotë që përkthimi i Kur’anit mund të bëhet, ka patur për qëllim përkthimin me koment. Dijetarët janë unanim që përkthimi fjalë për fjalë i Kur’anit është i parealizueshëm. Sepse format e tij letrare nuk të lejojnë të arrish një gjë të tillë.
Nga ana tjetër, po të ekzistonte një mundësi e tillë, atëherë do të hapej edhe diskutimi i zëvendësimit të Kur’anit në gjuhën arabe me përkthimin e tij. Ndërkohë, që sipas Kur’anit është e pamundur të shkruhet një gjë e ngjashme me të. Por, për shkak se të gjitha përkthimet janë komente, nuk bëhet fjalë për një shqetësim të tillë. Sepse, edhe në këtë lloj përkthimi do të ketë gjithmonë mangësira, të cilat në tekstin origjinal të Kur’anit nuk ndodhen. Asnjëherë përkthimi nuk është kuptimi i plotë i Kur’anit, por vetëm njëri prej tyre.
Meal (Përshtatje)
Edhe fjala meal e ka prejardhjen nga “êle” dhe është masdari ose ismi mekan i saj, në kuptimin e vendit ku ke për qëllim të shkosh.
Për shkak se përkthimi i Kur’anit nuk mund të realizohet, është përdorur një fjalë tjetër e cila shpreh kuptim të afërt me origjinalin e Kur’anit. Kjo është pikërisht fjala meal.
“Të shprehësh kuptimin e një fjale në formë të mangët”. Ky është kuptimi i fjalës meal në terminologji.