Të nderuar besimtarë e besimtare!
Allahu shprehet kështu në Kuranin Famëlartë:
كُلُّ نَفْسٍۢ ذَآئِقَةُ ٱلْمَوْتِ ۗ وَنَبْلُوكُم بِٱلشَّرِّ وَٱلْخَيْرِ فِتْنَةًۭ ۖ وَإِلَيْنَا تُرْجَعُونَ
“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.”
(Enbija, 21:35)
Allahu në Kuranin Famëlartë na vendos qartazi përballë një fakti të pashmangshëm: vdekja. Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! (Enbija, 21:35) Që fundi i njeriut është vdekja, s’ka nevojë që t’na jepet si informacion, sepse këtë ne e dëshmojmë çdo ditë, por ndonjëherë njeriu diçka që e sheh çdo ditë, nis të mos e dallojë dot. Pra nuk humb fakti, por humb rëndësia. Prandaj Allahu na përkujton vdekjen dhe në vijim shton: Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni. (Enbija, 21:35)
Dhe tërheq vëmendjen në suren Rahman: Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket. (Rahman, 55:27), duke theksuar që Zotëruesi i Vetëm i gjithçkaje është Allahu Fuqiplotë.
Njeriu është një qenie me dy thellësi të veçanta: aspekti fizik dhe ai shpirtëror. Të jetosh, në një farë mënyre, do të thotë të ushqesh këto dy aspekte. Cilin aspekt ushqen më shumë, njeriu me atë do të jetë më i lidhur, atij do t’ia vuajë më shumë mungesën dhe vazhdimisht atë do të kërkojë. Nisur nga kjo, për shkak të natyrës së tij fizike, ai mund t’i frikësohet vdekjes. Sepse vdekja e bën jetën të hidhur dhe i jep fund dëshirës për jetëgjatësi. Këtë veçori të vdekjes e ka përmendur edhe Profeti (a.s) duke e cilësuar atë si diçka, që e shkatërron lezetin material që ndiejmë në këtë botë dhe e hidhëron atë. Kështu, shumë natyrshëm njeriu mund të ketë frikë nga hyrja në varr, që do të thotë kalbje dhe shkatërrim për sa i përket ekzistencës së tij materiale. Sepse nefsi nuk dëshiron të humbasë kënaqësitë dhe shijet me të cilat është mësuar. Sa më të dominojnë ndjenjat karshi materiales, aq më shumë intensifikohet frika ndaj vdekjes. Në këtë aspekt, përkujtimi i vdekjes është një këshillë shumë e vyer. Sepse në të njëjtin hadith Profeti (a.s) shprehet: Përkujtojeni shumë atë, që ju prish shijen dhe jua hidhëron. (Tirmidhi)
Kush është shumë i lidhur me jetën e kësaj bote mund të dëshirojë të jetojë gjatë këtu. Por e vërteta duhet parë në sy, sepse, një mijë vite, rezultati i të cilave është vdekja, nuk ndryshojnë nga dhjetë vite jetë.
Ndërkohë që besimtari i arrirë në besimin e tij e sheh vdekjen si ecje drejt një ëndrre të ëmbël. Trupi fizik është një peshë e madhe dhe limitues për kërkesat e shpirtit. Kalimi në jetën e përtejme, në një jetë pa fund, ku të pret takimi me miq e të dashur, dhe kryesisht me Mikun më të Madh, Allahun e Gjithëmëshirshëm, sidomos me rezultat shikimin e bukurisë hyjnore është dëshira e pazëvendësueshme e gjithsecilit që beson në Zot. Njerëzit e tillë e kanë tretur vdekjen aq shumë, sa e shohin atë si kalimin nga një dhomë në tjetrën, ose zhvendosje nga një vend në tjetrin.
Nga kjo dallohet që nuk është aspak e lehtë për të gjithë kapërcimi i frikës ndaj vdekjes dhe të jetosh me dëshirën për të takuar Zotin. Prandaj, besimtari duhet të kërkojë gjithmonë dituri, besim, sinqeritet, siguri dhe përkushtim në lutjet e tij, si dhe dëshirë për ta takuar Zotin. Kjo frikë zhduket pasi njerëzit që jetojnë në nivelin e jetës së zemrës dhe shpirtit, do të fillojnë ta perceptojnë ndryshe natyrën e vdekjes. Kush arrin të dallojë vërtet, se çfarë vlere ka jeta e përtejme dhe sa e ulët është materialja, në sytë e tij bota nuk ka më vlerë. Ai pranon të qëndrojë në dynja vetëm sepse Zoti e mban këtu dhe kërkon realizimin e disa përgjegjësive prej tij. Për të jeta tokvsore ka vlerë, sepse është mjeti i vetëm për të arritur takimin e madh në mënyrën e duhur, dhe për asgjë tjetër. Çka e bën botën me vlerë për të jetuar është fakti i të qenit kalimi i vetëm për në jetën e përtejme.
E megjithatë, frika duhet të jetë, duhet të jetë për konkluzionin e jetës. Vallë çfarë vlerësimi do të marrë mënyra si kemi jetuar në këtë botë? Ky është halli i besimtarit. Sepse siguri të plotë s’ka për askënd. “Kur një nga më të mëdhenjtë e tabiinëve, Esued b. Jezid, ishte pranë vdekjes, ai hero i adhurimit dhe shtatore e sinqeritetit, ndjeu momentet e fundit dhe nisi të kthehet sa andej këndej, e kapën drithërimat dhe nisën rënkimet, ndërkohë që lotët rridhnin prej syve të tij. Alkame, një tjetër shtatore e dijes dhe jetesës fetare e pyet: Ç’ke kështu? Frika prej mëkateve? – Çfarë mëkatesh? – i përgjigjet Ibrahim en-Nehai, – unë kam frikë mos po vdes pa besim.” Mos ia dhëntë askujt Zoti një fat të tillë. Njeriu vdes ashtu siç ka jetuar dhe ringjallet ashtu siç ka vdekur. Por megjithatë, ekziston shqetësimi se, kush nuk ka ndier kurrë një ankth dhe frikë të tillë në jetën e vet, mund të rrëshqasë në humnerën e mosbesimit. Çdo besimtar duhet të ketë një ankth dhe frikë të tillë. Jo ta thotë me gojë si koment e analizë. Madje s’ka nevojë ta shprehë, por ta ndiejë thellë në shpirt. Në fakt, Imam Gazaliu thekson se besimtari duhet të jetojë me frikë gjatë gjithë jetës së tij, të theksojë gëzimin kur vdekja t’i trokasë, por dhe të kërkojë strehim në mëshirën e Allahut në momentet e fundit. Kjo qasje është një kriter i rëndësishëmepër ekuilibrin mes frikës dhe shpresës.
Besimtari duhet të ketë hall fundin e vet dhe të gjitha çfarë ka të bëjë me vdekjen t’i mendojë për veten e vet. Sepse ndonjëherë, duke menduar si ka vdekur tjetri, çfarë punësh të këqija ka bërë, ka konsumuar shumë alkool apo ka folur shumë pas shpinës së të tjerëve, harrojmë veten tonë, që duke folur kështu në fakt ne po flasim pas shpinës së tyre dhe po mbushim thesin e mëkateve, në një moment shumë jetik për të marrë mësime e t’i thërrasim mendjes. Prandaj Profeti (a.s) ka thënë: Mos përkujtoni të këqiat e të vdekurve, sepse lëndoni edhe të gjallët.Madje kur i biri i Ebu Xhehlit, Ikrime (r.a), erdhi pranë Profetit (a.s) ai i këshilloi kështu sahabët e tij: Kur të vijë Ikrime, mos i përmendni bëmat e babait. Kështu, kur veprat e Ebu Xhehlit dhe çfarë ai përfaqësonte, diheshin. Imagjino të flasësh për gjëra të panjohura apo fjalë që i dëgjon sa lart poshtë. Kështu, për Ebu Xhehlin dhe familjen e tij, po për njerëzit që i shohim çdo ditë në fytyrë? Ata që i kemi në lagje, në punë, në xhami?
Në përmbyllje, halli ynë duhet të jetë të arrijmë në këtë synim: مَنْ أحَبَّ لِقاءَ اللَّهِ أحَبَّ اللَّهُ لِقاءَه، ومَن كَرِهَ لِقاءَ اللَّهِ كَرِهَ اللَّهُ لِقاءَه “Kush dëshiron ta takojë Allahun, Allahu dëshiron ta takojë atë. Kush nuk i pëlqen ta takojë Atë, as Allahu nuk e do takimin me të”. (Buhari, imân 24; Muslim, imân 107-110)
Allahu na mundësoftë një vdekje të mirë, një vdekje me iman!/insi.al/